Ligji për ratifikimin e marrëveshjes mes Greqisë e Maqedonisë së Veriut, të hënën pritet të kalojë në Qeveri, ndërsa më pas do të dërgohet në Kuvend për miratim. Për miratimin nevojitet shumicë e thjeshtë, konkretisht shumica e të pranishmëve në sallë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë ‘pro’.

Sipas procedurave, ligji më pas dërgohet në presidencë. Presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet ta firmosë. Nëse Ivanov përdor të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas kushtetutës është i obliguar që ta firmosë.

Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e tij se nuk do të firmosë një marrëveshje të tillë. Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi të dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen. Qytetarët do të thonë fjalën e tyre në referendum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb