TIRANE– Opozita, pavarësisht se e cilësoi të shkelur marrëveshjen politike të 18 majit nga kryeministri Rama, do të vijojë të punojë për çështje që parashikonte ajo marrëveshje.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, menjëherë pas kthimit nga asambleja e PPE-së, që u zhvillua në Kopenhagen, takoi kreun e PR-së, Fatmir Mediu, me të cilin diskutoi për organizimin e aksionit opozitar në këtë legjislaturë të re, ku do të jetë edhe vetë pjesë e Parlamentit. Mediu konfirmoi për mediat se reforma zgjedhore dhe reforma kushtetuese janë dy nga çështjet kryesore në të cilat opozita do ta angazhohet.

Në marrëveshjen e 18 majit të nënshkruar nga Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Basha, parashikohej që të dyja këto reforma të nisnin menjëherë pas fillimit të sesionit të ri parlamentar. Por lidhur me këtë çështje, Mediu u tregua i kujdesshëm, kur kërkoi që fillimisht të jenë ekspertët e opozitës ata të cilët të punojnë mbi këto dy reforma, e më pas të nisë bashkëpunimi me maxhorancën.

“Patëm një takim pas pushimeve. Diskutuam gjerësisht për angazhimet e deputetëve të opozitës në Parlament dhe koordinimin e të gjitha forcave opozitare në veprimin opozitar të djathtë. Edhe për pritshmëritë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese që kanë nevojë për një angazhim të të gjithë nivelit të ekspertëve brenda opozitës, para se të diskutojmë për një marrëdhënie me pjesën tjetër që është maxhoranca”, deklaroi Mediu.

Kreu i PR-së, Mediu, e vlerësoi qeverinë e propozuar nga Rama si një histori të vjetër me pazare të reja, shkruan “panorama”. Ndërkohë kreu i republikanëve konfirmoi se nuk ka asnjë skenar nga opozita për të bllokuar seancën e parë parlamentare.

Sipas marrëveshjes së dakordësuar mes Ramës dhe Bashës, krahas reformës kushtetuese dhe reformës zgjedhore, do të punohet për avancimin e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje, në mënyrë që të mundësohet votimi dhe numërimi elektronik.

Gjithashtu, si pjesë e marrëveshjes së 18 majit për këtë legjislaturë të re, parashikohej edhe reformimi i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike, proces të cilin Rama e ka nisur fillimisht me reformimin e ministrive dhe agjencive që janë pjesë e qeverisë.

Mediu flet pas takimit me Bashën: Ja çfarë do bëjmë me Ruçin
Demokratët nuk e kanë vendosur ende se çfarë qëndrimi do të mbajnë të shtunën, kur Gramoz Ruçi të zgjidhet në krye të Kuvendit. Por, Fatmir Mediu pasi bisedoi me Lulzim Bashën hodhi poshtë skenarët për bllokimin e seancës edhe pse vendimi përfundimtar i takon grupit parlamentar.

“Do ketë një diskutim të grupit parlamentar për këtë çështje ku do vendosim edhe qëndrimet tona. Nuk mendoj se qëndrimi i opozitës duhet të përcaktohet nga raportet momentale spontane, por duhet të ketë një qëllim të caktuar për të ndërtuar një raport të drejtë me votuesin e djathtë dhe një qëndrim politik sa më të djathë në Kuvendin e Shqipërisë”,- u shpreh Mediu.

Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese pritet të jenë kryefjalë e kësaj legjislature. Kryerepublikani distancohet nga propozimet e disa zyrtarëve të lartë të PD, për ta bërë votimin e detyrueshëm.

“Ajo që dua të them është se e djathta bazohet mbi individin dhe lirinë e individit dhe çdo gjë që bie ndesh me këtë koncept për mendimin tim personal është e papranueshme”, theksoi Mediu. Këtë mandat opozita do të ketë përballë një super mazhorancë në numra, megjithatë Fatmir Mediu është i mendimit se kabineti “Rama 2” nuk premton asgjë të re.

“E njëjta histori e vjetër me pazare të reja, dhe kjo është e frikshme sepse është rikthim i pozicioneve politike të së kaluarës. E kam thënë, është një lëvizje politike e Antonio Gramishit, e shoqëruar me praktika të Hugo Chavezit, struktura paralele të krimit që ndëshkojnë këdo që është kundër qeverisë, jo vetëm nga pikëpamja morale por edhe politike”, thekson Mediu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: