Nga: Azgan HAKLAJ

(Besë me Atdheun dhe Flamurin) – Në kalendarin Europian marsi është muaji i tretë i vitit, perëndi e luftës për romakët e lashtë, Dita e Sulltan Novruzit apo ditëlindja e Imam Aliut në botë. Në këtë ditë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresë, ringjallje për gjithë njerëzimin. Novruz do të thotë ditë e re, është festa e Bektashizmit, e dekretuar si festë zyrtare në vitin 1996 në Shqipëri.

22 Marsi, ditëlindja e Imam Aliut, është dhe dita e fitores së PD-së, partisë misionare të kombit shqiptar, që shembi diktaturën më të egër, komunizmin në Shqipëri.

Marsi është për shqiptarët muaji i ngjarjeve dhe personazheve të mëdha, të cilat shndritin fort dhe përgjithmonë në qiellin shqiptar. Në krye të vendit qëndron natyrshëm 2 marsi i vitit 1444 i Besëlidhjes së Lezhës, vepra e parë e pavdekshme e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Nëse shqiptarët historia i ka qortuar shpesh për vonesë e përgjumje, muaji i parë i pranverës i ka gjetur përherë në këmbë në kuvende e beteja të mëdha për mbrojtjen e lirisë dhe trojeve etnike.

Betejat e përgjakshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, që filloi më 25 mars 1911.

“Epopeja e Jasharëve”, më 5-6-7 mars 1998-të dhe e Haradinajve, më 24 mars 1998.

Rënia heroike e Njazi Azemit, më 26 mars 2001, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë e që janë finalizimi i protestave.

Në Prishtinë, në marsin e vitit 1981 dhe 1999, jehuan krismat e para të pushkëve të lirisë në Kalanë e Tetovës gjatë protestave të shqiptarëve në Tetovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacionet shqiptare-angleze dhe amerikane, më 18 mars 1999-tës, që i hapte rrugë qëllimit të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë, më datë 24 mars 1999, na kujtojnë se pa marsin nuk do të kishte liri për Shqiptarët.

7 marsi 1887–ës, ditëlindja e Shkollës së Parë Shqipe, na sjell në kujtesën tonë historike devizën e madhe të rilindësve mendjendritur me pushkë e penë për mëmëdhenë.

Alfabeti dhe shkronjat shqipe janë po aq të rëndësishme sa pushka dhe baruti i trimave që i dolën për zot atdheut dhe u flijuan për lirinë.

Ky muaj i heroizmit, i patriotizmit dhe i vizionit të shqiptarëve për liri, na sjell në kujtesën kolektive figurat e mëdha të popullit shqiptar në një shtrirje kohore 600-vjeҫare: Skënderbeun e madh, Ali Pashë Gucinë, Bajram Currin, Idriz Seferin, Dedë Gjon Lulin, Preng Calin, Adem Jasharin dhe familjen e tij martire, familjen Haradinaj e Njazi Azemin.

Marsi i 1444-ës mbeti flakadani i lirisë i pashuar në shekuj. Ashtu si në Greqinë e lashtë, trimat e Shqipërisë morën flakën Olimpike për ta shpërndarë në çdo cep të trojeve amtare e për të ngritur peshë zemrat e shqiptarëve përballë armiqve të egër dhe të armatosur deri në dhëmbë.

Më 14 mars 1847 lindi dhe 25 mars 1927 ndërroi jetë udhëheqësi i kryengritjeve të Shqiptarëve, Idriz Seferi, i cilësuar si kalorësi i Karadakut nga shkrimtari Ibrahim Kadriu. Historiani Ali Riza Selmani thotë se: Idriz Seferi ishte organizator i zoti që frymëzoi, motivoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anomarovë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Nuk ishte vetëm prijës popullor dhe luftëtar i lirë, por dhe strateg ushtarak, që udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë me kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, luftoi kundër serbëve e bullgarëve.

Idriz Seferi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbrojtjen në Kuvendin e Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, luftoi heroikisht në mbrojtje të Atdheut.

Më datë 29 mars të 1925 ra Heroi i Popullit, Bajram Curri. Prijësi popullor tribuni i lirisë, mori pjesë në betejat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve etnike nga konferencat dhe traktatet që kërkonin copëtimin e tyre. Bajram Curri ishte një nga organizatorët e Lidhjes së Pejës “Besa–Besë“, të udhëhequr nga Haxhi Zekë Byberi më 1899-1900-të. Ai ishte një nga prijësit kryesorë të Kuvendit të Ferizajt. Mbështeti kryengritjen e armatosur të Malësisë së Madhe në vitin 1911-të të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli. Mbështeti Platformën e Hasan Prishtinës në Kuvendin e Junikut, më 21-25 maj 1912, ku u hartua Platforma e Kryengritjes të Përgjithshme të vitit 1912, që do të çonte në çlirimin e Shkupit, në gusht 1912-tës dhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit në Vlorë më 1912–ën nga plaku i urtë, Ismail Qemali.

Më 5 mars 1888 ndërroi jetë Ali Pashë Gucia nga plagët e marra në një atentat , një ndër misionarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të saj. Ali Pashë Gucia ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrymës centriste, që hartoi luftën kundër shovinistëve fqinjë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Atdheut. Ai u zgjodh kryetar i Shtabit Ushtarak për Mbrojtjen e Plavë-Gucisë. Veprimtarinë e tij heroike e ka përshkruar bukur Gjergj Fishta.

Betejat legjendare për mbrojtjen e Plavë–Gucisë, të Hotit dhe Grudës, të Ulqinit dhe Tivarit nga ushtritë Malazeze.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e 1911-ës.

Epopeja e Jasharëve dhe e Haradinajve, iu treguan fuqive të mbarë botës se Shqiptarët janë në gjendje të përtërijnë rolin e madh të Gjergj Kastriotit sa herë e thërret liria për të mbrojtur flamurin kuq e zi, nderin, dinjitetin dhe tokën e tyre amtare.

Prijësit e shquar të betejave për liri: Idriz Seferi, Bajram Curri, ndërruan jetë në mars.

Më 25 mars të 1945 komunistët pushkatuan heroin e mbrojtjes së tokave etnike shqiptare, “Robin Hudin shqiptar”, Prenk Calin.

Epopeja e këtyre trimave është e denjë për një Iliadë shqiptare.

Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri t’i kujtojnë Kreshnikët e Jutbinës.

Beteja 3 ditore e Adem–Hamz-Shaban Jasharit, Vraninën e Oso Kukën dhe heroizmin e Zhuj Selmanit.

Në epikën historike shqiptare kanë mbetur të pavdekshme vargjet kushtuar Epopesë marsiane shqiptare dhe heronjve të tyre.

Ja si përshkruhet beteja legjendare për mbrojtjen e Plavë–Gucisë, ku shqiptarët të udhëhequr nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri i shpartalluan hordhitë malazeze të Mark Milanit të 12.000 armiqve:

Mark Milani i Malit të Zi

Ka hyp Marku në Plevi

Çka ka Limi që dirgjet zi

Haj medet vojnikët e mi…!

Jakup Ferri, “Leonidha shqiptar”, luftonte me shpatën zhveshur si Akili në muret e Trojës. Kënga e lahuta shqiptare i skalitën një monument të pavdekshëm:

Me të kallzue ty nanë t’vjen seri:

30 burra i ka pré nji njeri.

Nja lypsh emnin: Jakup Ferri.

Shtimja, Kaçaniku, Cerrnaleva, Hoti e Gruda, Ulqini, Plava e Gucia u bënë kala të pavdekshme të qëndresës shqiptare duke i detyruar pushtuesit turko-sllavë, e Fuqitë e Mëdha të mos bëjnë hesapet pa hanxhinë, siç thotë populli ynë.

Emisarët e Sulltanit e të Knjaz Nikollës pasi u shpartalluan keqas në fushëbeteja me shqiptarët tentuan disa herë të blejnë prijësit e tyre historikë duke i peshuar me ar, por morën atë përgjigje që dinë të japin kapedanët e maleve: “As Sulltani, as krajlat, nuk kanë para për t’i blerë trojet shqiptare”.

Plisat e Bardhë dhe xhamadanët kuq e zi, trimat legjendarë nuk pranuan të shkëmbenin me kapicat, dallamat malazeze dhe me shallvaret e turqve.

Besëlidhja shqiptare bëri pluhur dhe hi planet e armikut që përmes parullës të famshme “Përça dhe sundo” tentuan të fusnin grindje mes shqiptarëve duke shpresuar ndarjet krahinore dhe fetare.

Pasi u shpartalluan në Plavë-Guci, Mali i Zi i kërkoi Portës së Lartë dhe Kongresit të Berlinit t’i jepte si këmbim Hotin dhe Grudën me pretekstin se janë katolikë dhe ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk do të bënte rezistencë. Kur mijëra luftëtarë shqiptarë vrapuan në ndihmë të vëllezërve të tyre dhe i shpartalluan ushtritë malazeze, çështja shqiptare në Ballkan u ndërkombëtarizua dhe u vu në rend të ditës në kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Shqiptarët ishin të udhëhequr nga postulati i rilindësit Pashko Vasa: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”

Ja si e konceptonte legjendari Mic Sokoli nderin dhe dinjitetin shqiptar, i rrethuar nga të katër anët nga trupat e pashait turk, ai thërret në ndihmë trimat e Dukagjinit. Kënga e thotë:

Mic Sokoli I Sokol Ramës,

Fjalë po I çon Mark Lulës Shalës,

A më ndihmon, o dajë i babes,

Më kanë ngreh topat rrethit arës

Rrethit arës, rrethit t’oborrit,

Me shemb kullat Mic Sokolit…

Përballë ushtrive perandorake, të armatosur me topa, mitraloza mortaja, “Luani i Malësisë” dhe pse me forca të pakta, ishte betuar të luftonte deri në vdekje, siç bëri përpara tij Oso Kuka i Vraninës, Zhuj Selmani e pas tyre Adem Jashari në Prekazin legjendar.

Dashuria për Atdheun, gjuhën, flamurin, doket, zakonet, amanetin, kujtimin e të parëve, janë ADN-ja e burrave që besën e lidhën vetëm me Flamurin e Atdheun e tyre.

Ja si e arsyeton qëndresën e tij ,deri në flijim heroi Mic Sokoli:

Me lëshue trojet poshtë po bie

Me venë ҫallmën spo m”ka hije

Se jam nip i Kastriotit

Më mirë gjoksin në grykë të topit.

Në vigjilje të mijëvjeçarit të tretë, më 5-6-7 mars të 1999–ës në Prekazin legjendar u shkrua Epopeja e lavdishme e Jasharajve. Komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari e familja e tij i kthyen kullat e tyre në kala të pamposhtura qëndrese.

Në tri ditë u ripërsërit madhërishëm, krenaria, qëndresa shqiptare në shekuj. Ballë për ballë e dhëmbë për dhëmbë, si në Krujë, Shkodër e Sfetigrad e Albulenë kundër hordhive turke familja e Jasharajve e lau me gjakun e agresorëve oborrin e muret e kullave. Çdo frëngji e çardak u kthye në bedenë kalaje. Muret shembeshin nga predhat e topave e tankeve, e prapë nga gërmadhat dilnin Jasharajt e përgjakur duke qëlluar në drejtim të ushtrisë serbe. Luftuan deri në vdekje për të mbetur të pavdekshëm. Heroizmi i tyre ndryshoi fatet e luftës dhe u bë simbol i betejës për liri.

Më datë 24 mars 1998–ës bisha serbe do të sulmonte një tjetër fole shqiponjash në Gllogjanin e Haradinajve. Këtu u shkrua me germa të arta një epokë tjetër e lavdishme e kombit shqiptar. Haradinajt trima me në krye Ramushin u dolën zot kullave legjendare, siç thotë kënga epike:

Tunden malet, por nuk tunden kullat.

Në log të mejdanit po maten burrat.

Marsi i trimave, betejave e kuvendeve kujtohet me krenari. Shqipëria dhe shqiptarët janë një kudo ku ata jetojnë në trojet etnike, në Ballkan e diasporë.

Trinia e shenjtë: Gjuha, Flamuri e Atdheu, është burim frymëzimi i pashuar për ardhmërinë e përbashkët.

Ulqini i Teutës e Balshajve, ku prehen eshtrat e udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni, u bënë shumicë dominuese në qytetin e tyre.

Parlamenti i Maqedonisë e shpalli gjuhë zyrtare gjuhën shqipe, pra krismat e lirisë në 14 marsin e 2001 të UҪK-së, po finalizojnë ëndrrën tonë. Marsi na thërret të jemi në këmbë e të bashkuar për të nderuar heronjtë tonë kombëtar dhe protagonistët e mëdhenj të historisë tonë, për të vazhduar misionin e tyre për realizimin e ëndrrës shumë shekullore pa harruar Mitrovicën e Bacës Isë, Preshevën e Ridvan Qazimit dhe Ҫamërinë tonë të shtrenjtë.

Viti i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut është apel për finalizimin zgjidhjes së çështjes kombëtare, bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të vetëm. Deviza jonë do të jetë: ”Një komb, një shtet”.

Shteti komb i shqiptarëve është domosdoshmëri historike.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/03/20/marsi-pranvera-e-lirise/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: