I dashur mik!
Ti ike shumë herët, shumë shpejt; si në një aksident. Nuk pate as kohë të vuaje nga sëmundja e menjëhershme. Mirësitë që bëre në jetë ta kursyen vuajtjen. Veçse u tregove pak cinik e i pabesë: ua le dhimbjen përgjithmonë Teftës, gruas së rrallë që të dashuroi (ta tha dje) atëherë kur të tjerët s’të flisnin me gojë, Anjezës e Baltionit, Andetës e Rozanës, vëllait e motrave. T’i shikoje dje sa dhimbje kishin për ty, nuk do ta bëje gabimin e madh të jetës, ikjen prej tyre!
E di që nuk të vjen mirë që po të shkruaj kështu, e di edhe që do ma grisje menjëherë këtë copë letër, por unë nuk mund të rri pa të thënë dhe dy fjalë të tjera:
Ty ta shpejtuam ikjen të gjithë nga pak, ca naivë (edhe unë) e ca hipokritë:
Që s’të kuptuam
Që s’të dëgjuam
Që s’të njohëm mirë
Që s’ta lexuam heshtjen
Që s’të gjetëm “Adresën”
Që s’të kapëm ritmin, edhe kur ti ecje me “Biçikletë”
Që s’të bëmë “Një telefonatë zemrash” kur ti kishe nevojë…
Ndaj na mblodhe dje, si të përhumbur në terr për të na thënë: “Ky fat na ra”, “Humbet pranverën”…
Ke të drejtë. Problemi nuk është me disa që ikin, por me ne të gjallët. Mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë!
Ti, ishe ndër të paktët!

Një letër që Martin Leka i shkroi mikut të tij Franncesk Radi të sapo ndarë nga jeta vitin e shkuar, shërbeu si gjenezë e një dokumentari të shfaqur në Tiranë ditën e martë. Dokumentari i realizuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar me skenar të Martin Lekës, flet për jetën e Françesk Radit. Përmes jetës së tij vjen e gjithë koha, duke nisur që nga vitet 70-’80, kur nisi censura në artin shqiptar. Në dokumentarin “Jetë e trazuar” kanë folur artistët Robert Radoja, Bujar Kapexhiu, Josif Papagjoni, Sadik Bejko, Zhani Ciko etj. Në një intervistë për “GSH”, Martin Leka jep disa detaje për Radin.

– Ju vetë, si e keni njohur dhe si e keni bërë mik Franceskun?
Françeskun e kam njohur shumë herët, me muzikën që bënte! Ndërsa mik e bëra para 21 vitesh, kur të dy punonim në të njëjtin institucion, në Radio-Tirana! Si e kam bërë mik? Nuk ishte e lehtë, në fakt, sepse njerëzit e ndershëm, njerëzit e aftë, antikonformistët, është e vështirë t’i bësh miq! Nuk di me tej, por e kam për nder që e kisha mik! Tani fjala mik më duket aq e vogël…
– Kur të lindi ideja për një dokumentar?
Ideja lindi natyrshëm dhe nuk është ndonjë meritë! E thashë dhe në promovim: “skenarin” e bëri vetë Franko me jetën dhe veprën e tij, të trazuar, por të bukur!
– Ka diçka në film që ju e keni shkruar në kohë. Si erdhi?
Ndoshta e keni fjalën për një pasazh nga një shkrim që bëra ditën që përcollëm Frankon?!
Po. Nuk munda të flisja atë ditë dhe të nesërmen, siç më erdhën fjalët e dala nga shpirti, “i thashë ato s’mundja t’ia thosha dje”! Është e vështirë të mendosh fjalët në raste të tilla, në largime kaq të papritura e të pabesa! Mendon shpirti dhe kaq!
– Sa ju ka ndihmuar Tefta për realizmin e dokumentarit?
Tefta? Tefta është një histori e ekranit! Padyshim, pa atë s’do ishte bërë as filmi! Franko ka pas fat që kishte në krah një grua, ku cilësitë e saj përmblidhen vetëm në një emër: Tefta Radi!

Shkrimin e plotë mund ta lexoni duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://www.gsh.al/2018/04/05/martin-leka-pengjet-dhe-malli-per-francesk-radin-e-jeta-e-tij-e-trazuar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: