NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Nga 17.613 arsimtarë që janë testuar për matjen e nevojave për kualifikim, ka rezultuar se vetëm 25% e tyre apo rreth 4.400 mësues kanë njohuri shumë të mira, ndërsa 1% janë dobët, pasi kanë rezultate të pakënaqshme në të gjitha fushat e testimit; po ashtu mbi 1.884 mësues kanë nevoja të konsiderueshme për përmirësim. Pjesa dërrmuese e mësuesve, 65% e tyre apo 11.260, kanë rezultate të kënaqshme.

Ndërsa, sa u përket drejtuesve të shkollave të arsimit parauniversitar, nëndrejtorët kanë rezultate më të larta se drejtorët e shkollave. Mësuesit me rezultatet më të dobëta janë ata të Vlorës, Dibrës dhe Kukësit, ndërsa arsimtarët më të kualifikuar kanë rezultuar ata të Beratit. Raporti u prezantua ditën e djeshme nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila gjatë fjalës së saj theksoi se përmes këtij procesi, për herë të parë, ofrohet për çdo drejtori dhe zyrë arsimore, harta kombëtare e nevojave për zhvillim profesional për trajnim të drejtuesve, mësuesve, sipas gjinisë, profilit, vjetërsisë në punë, vendndodhjes etj.

Raporti & rezultatet
Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) prezantoi Raportin Kombëtar të Identifikimit të Nevojave për Trajnimin e Mësuesve dhe Drejtuesve. Kjo pas përfundimit të përpunimit të të dhënave që dolën nga testimi i 17.613 mësuesve në gjithë vendin në katër fusha kryesore: Planifikimi; Mësimdhënia dhe të nxënit; Etika dhe komunikimi; Zhvillimi profesional. Më problem mësuesit kanë pasur në fushën e zhvillimit profesional për etikë dhe komunikim.

Ministrja e Arsimit ngriti problematikat e skemës së trajnimit të mësuesve. Sipas saj, janë 51 agjenci trajnuese të licencuara gjatë vitit 2012 dhe 2013, të cilat ofrojnë 739 module trajnimi për mësuesit. “Shpesh këto agjenci nuk kanë pasur një bashkëpunim dhe koordinim të mjaftueshëm me DAR/ZA-të dhe shkollat për të ofruar trajnime sipas nevojave reale që përputhen me reformat në sistemin parauniversitar.

Gjithashtu, ka një mungesë të literaturës profesionale dhe të botimeve mbështetëse për mësuesit, për të mësuar rreth zhvillimeve në formimin e tyre, mbi përvojat më të mira të kolegëve vendas dhe të huaj, ndërkohë që mungon edhe organizimi i trajnimeve online”, – tha Nikolla, duke shtuar se ka qenë minimal koordinimi me institucionet e arsimit të lartë sa i përket formimit të mësuesve në fakultetet e edukimit dhe përfshirjen e tyre në procesin e kualifikimit. Ndër të tjera, në fjalën e saj, ministrja përmendi edhe rëndësinë e krijimit të shkollës së drejtorëve, duke theksuar se do të ketë një diplomë për të gjithë drejtuesit që janë në sistem, por edhe për ata që duan të jenë pjesë e drejtimit të shkollave.

Pasi sipas rezultateve të këtij testimi, drejtorët nuk kanë pasur rezultate shumë të mira. Më mirë, nga të dhënat e raportit, janë nëndrejtorët, të cilët në të katër fushat e testimit kanë arritur rezultate më të larta. Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi prezantoi disa nga gjetjet kryesore, ku sipas tij, 25% e mësuesve, apo thënë në shifër 4.400 prej tyre zotërojnë njohuri shumë të kënaqshme; 11.2160 mësues që janë në sistem, pra 64% e tyre, zotërojnë njohuri të kënaqshme, por me nevoja për përmirësim. Ndërsa 2.100 mësues, rreth 12% e mësuesve në total, kanë nevoja të domosdoshme apo të konsiderueshme për përmirësim.

Sipas tij, rezultatet e mësuesve të shkollave të fshatit janë thuajse të barabarta dhe në disa raste disi më të larta kundrejt rezultateve të mësuesve të shkollave të qytetit. Kjo vlen, si për vlerësimin e përgjithshëm, po ashtu edhe për fushat: Planifikimi; Mësimdhënia dhe të nxënit; Etika dhe komunikimi; Zhvillimi profesional. Kategoria e punonjësve arsimorë që kanë rezultate më të larta janë nëndrejtorët, krahasuar me drejtorët dhe mësuesit. Mesatarja e pikëve në vlerësimin e përgjithshëm është 21.4, nga 30 pikë që ka instrumenti i plotë. Po ashtu, DAR-et me rezultate më të larta janë: Berati, Shkodra, Korça, Fieri, Tirana Qark. Ndërsa DAR-et me rezultatet më të ulëta janë: Kukësi, Dibra dhe Vlora.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: