VLORE– Gjykata Kushtetuese ka kthyer për rishqyrtim vendimin për 3 të akuzuarit e ‘masakrës së Coles’ në Vlorë, ngjarje e ndodhur më 7 prill 2015, ku u vranë tre persona.

Pas kërkesës së 3 të akuzuarve, Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e tyre për t’u rigjykuar duke shfuqizuar vendimin e 23 shkurtit të Gjykatës së Lartë e cila la në burg 3 të pandehurit Aleksandër Llanaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj.

Gjykata Kushtetuese kërkon të dërgohet për rishqyrtim dosja në Gjykatën e Lartë. Kujtojme se Gjykata ka dhënë masën me nga 35 vite burgim për Bertil Aliaj dhe Ani Begaj, ndërsa Aleksandër Llanaj është dënuar me burgim të përjetshëm. Për Aliajn dhe Begajn dënimi u shkurtua.

NGJARJA NE 11 SEKONDA
Në këtë datë nga filmimet ka rezultuar se shtetasit Ardi (Feridian) Velaj dhe Haki Rakipi (Akil Hasanaj) janë ulur në verandën e lokalit “A…” përballë njëri-tjetrit duke biseduar. Më pas është fiksuar automjeti “BMW” me ngjyrë bezhë, i cili po kalonte përballë lokalit, dhe shtetasit Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj janë futur në verandën e lokalit “A…” në hyrjen e dytë.

Nisur nga të dhënat e përftuara nga këqyrja e vendit të ngjarjes, pamjet filmike, deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj, pasi janë futur në lokal, në një hark kohor në më pak se njëmbëdhjetë sekonda, i pandehuri Aleksandër Llanaj ka ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi (Akil Hasanaj) dhe Ardi (Feridian) Velaj, të cilët i ka goditur me armë zjarri.

Fillimisht është goditur një herë me armë zjarri në drejtim të shtetasit Ardi Velaj (Dushi) pranë të cilit është pistoleta me numër 152175 teknikisht e rregullt, që nuk ka realizuar asnjë qitje, referuar gëzhojave të fiksuara në vendngjarje. Pra, është provuar plotësisht se shtetasit Ardi Velaj dhe Haki Rakipi ishin të papërgatitur për sulmin e të pandehurve Aleksandër Llanaj dhe Albi Limaj, duke u gjendur në befasi nga goditjet me armë zjarri.

Vetë fakti që viktima Ardi Velaj është gjetur me cigare në buzë është rrethanë që krijon bindjen e brendshme se kanë qenë të pandehurit që kanë qëlluar mbi viktimat. Një konkluzion i tillë mbështetet dhe nga koha e shkurtër prej 11 sekondash e kryerjes së veprës nga momenti i hyrjes së të pandehurit Aleksandër Llanaj dhe shtetasit Albi Limaj në lokal.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: