VLORE- Familjarët e viktimave të vrasjes së trefishtë të ndodhur më 7 prill të vitit 2015 në një lokal në lagjen “Çole” të Vlorës kërkojnë largimin e prokurorit Pelivan Malaj nga çështja. Kërkesa e tyre vjen pak ditë pas pretencës së dhënë nga Prokuroria e Apelit ndaj autorëve të ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit: Feridian Velaj 28 vjeç, Haki Rakipi 27 vjeç dhe Albi Limaj 28 vjeç.

Birbil Rakipi, i ati i viktimës Haki Rakipi, tha se prokurori që përfaqëson akuzën në Gjykatën e Apelit ka kërkuar rikualifikim të veprës penale për të akuzuarit. Në emër të familjarëve të viktimave, babai i 27-vjeçarit të vrarë, tha se kërkojnë largimin e prokurorit nga çështja, pasi janë dhënë vendime që bien ndesh me vendimet e marra më parë, çka do të thotë se në asnjë mënyrë, ai nuk mund të jetë tashmë pjesë e procesit.

“Që në hyrje të diskutimit përfundimtar që ai bën, devijon nenet e vendosura nga prokuroria e rrethit të Vlorës dhe vendimet që ka marrë Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë. Prokurori, që nga fillimi deri më sot (dje) që po diskutojmë, ka qenë pjesë e procesit, ndaj nuk mund të vijojë më me këtë çështje, pasi në disa raste vendimet kanë qenë kontradiktore”, – ka deklaruar Birbil Rakipi.

Gjithashtu, ky i fundit pohoi se nuk është e vërtetë se kanë kërcënuar prokurorin. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Pelivan Malaj ka sqaruar se në asnjë rast nuk ka kërkuar ulje të dënimit për autorët e krimit. Sipas tij, familjarët e viktimave e keqkuptuan pretencën e dhënë nga ai për autorët e masakrës, Ani Begaj, Bertil Alliaj dhe Aleksandër Llanaj.

“Gjykata e Shkallës së Parë ka pranuar gjykimin e shkurtuar, që sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurës Penale, detyron gjykatën të bëjë automatikisht ulje të një të tretës së dënimit. Gjykata ka gabuar, pasi nuk ka saktësuar se burgimi i përjetshëm kthehet në 35 vite burg”, – ka deklaruar prokurori.

Pas masakrës së ndodhur në Vlorë, u arrestuan shtetasit: Aleksandër Llanaj, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj. Këta dy të fundit u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë me nga 35 vite burg, pasi pranuan gjykimin e shkurtuar, ndërsa Llanaj u dënua me burgim të përjetshëm. en.me.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb