TIRANE– Prej 11 tetorit, policia ka shpallur në kërkim Laert Haxhiun dhe Orges Bilbilin, si dy të dyshuarit kryesore të masakrës në Lushnjë, ku humbën jetë dy të rinj dhe u plagosën dy të tjerë. Uniformat blu kanë disa pista për ngjarjen, ku kryesore është përplasja mes bandave. Dyshohet se dy viktimat, mund të mos kenë qenë objektivi kryesor i atentatit, pasi pak minuta para atentatit bashkë me ta në tavolinë ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, dhe Sajmo Xhelili. Më herët këta të fundit kanë qenë objektiv i një tjetër atentati nga Laert Haxhiu.

Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, gazetari Artan Hoxha thotë se autorët e përfshirë në ngjarjen e 11 tetorit në Lushnjë janë 4 persona. Deri më tani janë publikuar emrat e dy të dyshuarve kryesorë për ngjarjen. Hoxha thotë se dëshmitarët në vendngjarje kanë mundur të japin përshkrim të saktë për autorin e tretë, i cili ka një defekt në ecje.

“Në nisje pati një kakofoni për pjesëmarrjen e autorëve. Kanë qenë 4 autorë, tre ishin me kallashnikov në mes të qytetit. Njëri ka vepruar si shofer, i ka lënë tek vendi i krimit, dhe i ka marrë sërish. Tre autorët kanë ecur me armë në mes të qytetit. Kanë qëlluar në mënyrë barbare ndaj viktimave. Terrori që është krijuar në zonë, ka qenë shumë i madh. Në momentet e para u mendua se mund të kishte një numër më të madh viktimash. Si Jurgen Hoxha, ashtu edhe Zamir Latifi, (dy viktimat) nuk kishin të shkuar kriminale. Autorët janë larguar drejt Beratit. Më pas makina është gjetur e djegur në fshatin Çukaj.

Deri tani janë publikuar dy emra si të dyshuar. Ndërkohë që është edhe një person tjetër i dyshuar, pasi është lehtësisht i identifikueshëm për shkak të mënyrës si ecën. Dëshmitarët në vendngjarje e kanë parë një person me këtë defekt në ecje në momentin e ngjarjes”, tha Artan Hoxha.

Gazetarja Klodiana Lala thotë se brenda lokalit ku ndodhi atentati, në momentin e ngjarjes ndodhej edhe një shok i viktimave, i cili tashmë mban cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.

“Më herët këta dy persona të dyshuar, janë takuar tek fabrika e tullave në Lushnjë, dhe nuk janë ndaluar nga policia. Thuhet se shënjestra e atentatit ka qenë Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares. Ai ishte bashkë me 4 shokët në momentin e ngjarjes. Personi i 4 nuk është bërë publik emri, pasi është një dëshmitar i mbrojtur për ngjarjen. Ai ka qenë brenda lokalit. Në momentin e ngjarjes Xhulio Shkurti ishte larguar për tek berberi, ndërsa Sajmo Xhelili ishte larguar pak më tutje për një bisedë personale me një tjetër person, duke dalë jashtë rrezes së autorëve. Dhe si pasojë plumbat ranë mbi Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën”, tha gazetarja Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb