Mes qindra të rinjve që merrnin pjesë në koncertin e grupit të rrokut në teatrin Bataclan në Paris, ishin edhe dy studentë britanikë. Ata rrëfejnë për “Daily Mail” me detaje se si i shpëtuan vdekjes.

Hanna Corbett dhe Jack Konda, të dy 21-­vjeçarë, ishin duke ndjekur grupin muzikor “Eagles os Death Metal”, kur terroristët sulmuan sallën 1500 vendëshe të teatrit. Hana tregon se ajo fillimisht mendoi se personat e armatosur ishin pjesë e shfaqjes, por më pas kur nisi sulmi u shtri menjëherë përtokë. Ajo nuk gjen fjalë për ta përshkruar tmerrin që ka përjetuar.

“M’u duk se ishin fishekzjarrë dhe pjesë të shfaqjes ajo që po ndodhte, mirëpo kur pashë fytyrën e tmerruar të këngëtarit para se të largohej me vrap nga skena e kuptova se çfarë po ndodhte. Të gjithë ne u shtrimë në dysheme. Për fat të mirë isha afër daljes së emergjencës. Mbaj mend që jemi zvarritur mbi trupat e njëri-­tjetrit, disa kishin vdekur, disa ishin të plagosur. Kur dola nga teatri, skena që pashë ishte edhe më e tmerrshme, njerëz që vraponin të tmerruar nga të katërta anët e sheshit”, tha vajza.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe Jacku, i cili u shtir si i vdekur deri sa arriti te dalja e emergjencës. Ai tregoi se sulmuesit ishin të qetë dhe qëllonin me qetësi ndaj njerëzve të pranishëm, duke i vrarë një nga një.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: