Nga Eleina Qirici

Miliarda lekë po i gllabëron Peleshi buxhetit të shtetit, në orët e fundit të qeverisjes, për maternitetin elektoral që do të ndërtojë në Korçë. Por, ky martenitet nuk do të “lindë” vota për Peleshin dhe PS, por do të lërë sigurisht miliona në xhepat e klientëve dhe të pushtetit dorëgjatë. Mesa duket zv/kryeministri ka luftuar fort dhe gjatë, është munduar shumë për të siguruar këtë fond nga ministri i shëndetësisë, i cili e paska privuar këtë fond nga bashkëpunëtorja e tij zj.Vilma Nushi dhe skifterët e tjerë të tenderave, duke ia dhënë Peleshit të Korçës. Pas konsultash dhe bisedash të gjata që bëra me mjekë gjinekologë, mjekë specialistë të spitalit, infermierë dhe punonjës të tij, konstatoj se ky investim, në atë vend, është i gabuar dhe i pastudiuar.

Për rrjedhojë më rezulton që ky investim është një çmenduri elektorale, është një shpërdorim i fondeve publike dhe një tjetër akt për t’iu imponuar qytetit me transferime institucionesh. Bazuar tek të gjitha mendimet e mjekëve specialistë, personelit teknik dhe administratës, korpusi i spitalit, për një spital rajonal jo vetëm që nuk mund të mundësojë strehimin e maternitetit, por duhet të mendohej sot, sesi ky korpus spitalor të zgjerohej nesër, me godina dhe pavionë me standartet më të mira, për t’i ardhur në shërbim, pacientëve nga i gjithë rajoni, nga 5 Bashki, afro 500 mijë rezidentëve të Qarkut të Korçës. Por, ndodh e kundërta, me një vendim arbitrar , materniteti i qytetit të Korçës, largohet nga godina ku ndodhet aktualisht dhe shkon në një godinë hibride, ku një pjesë do të jetë një godinë e vjetër që do të rikonstruktohet dhe pjesa tjetër do të jetë një godinë e re bashkëngjitur. Ndërsa godinën aktuale , “qeveriu” ia lë Bashkisë, për nevojat e saj. Çfarë do të bëhet me këtë godinë (me godinën aktuale)? Cili institucion do të strehohet tek materniteti “i vjetër” tashmë? Këtë për momentin nuk e di askush, përveç zv/kryeministrit.

(Dua t’u kujtoj qytetarëve të Korçës, se rreth asaj zone janë bërë shumë ndërhyrje dhe shumë ndërtime të reja kanë lulëzuar atje rrotull. A mund të mendojmë se diku fle një hile tjetër e ” qeveriut”?) Përse nuk u rikonstruktua godina aktuale e maternitetit, por u transferua institucioni dhe kjo godinë u zbraz?! Marteniteti elektoral i Peleshit, nuk do të “lindë”asnjë votë për Rilindjen dhe PS-në e uzurpuar prej saj. Asnjë votë të vetme! Por është e sigurtë që do të sjellë mjaftueshëm shuma në të holla, të cilat do të zhyten në xhepat e mëdhenj të pushtetit-shtet. Institucionet e qendrës po transferohen pa asnjë plan konkret dhe pa pyetur askënd, sa andej këtej, siç po bëhet me martenitetin.

Korçarët kanë humbur busullën, jetojnë në një qytet ku godinat transformohen disi kështu: Bashkia bëhet Këshill Qarku, Prefektura bëhet Pallat Kulture, Biblioteka bëhet Bashki, Këshilli i Qarkut bëhet Qendër Kulturore, Marteniteti bëhet një godinë lënë bosh, e të tjera dhe të tjera. Peleshi ka “pjellë “ kaosin në Korçë, kaos jashtë maternitetit. Rrëzimi i Qeverisë Rama, do të rrëzojë, shembë dhe do u japë fund veprave kriminale urbane të Peleshit dhe endërrave të tij dhe Filopeleshianëve në Korçë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb