NGA GERILINA KODHELI

U bë më shumë se një dekadë tashmë që Mateus Frroku është prezantuar me audiencën shqiptare, e që prej asaj kohe këngëtari ka qenë gjithmonë pjesë e skenës. Edhe pse më shumë i dhënë pas muzikës ‘live’ dhe jetës së natës, këngët e videoklipet nuk kanë munguar kurrë prej tij. Por ndryshe nga artistët e tjerë që përpiqen vazhdimisht të përshtaten me tendencat, Mateus i “refuzon”, teksa thotë se: “Nëse do kisha ndjekur ndonjëherë modën, e para gjë që do kisha bërë do isha dobësuar”.

Në një intervistë plot humor për “Summer Pages”, këngëtari Mateus Frroku na tregon për këngën e tij më të re “M’ka bo like”, se si dhe sa kanë ndikuar rrjetet sociale në jetën e tij, e gjithashtu edhe disa çështje “delikate” të jetës së tij private.

“M’ka bo like”, një këngë shumë e veçantë. Është hera e dytë që punon me “Three Dots”?
Është bashkëpunimi i dytë me “Three Dots” dhe Kledi Bahitin, pas atij për “Kënga Magjike”.

Je bërë pjesë e labelit?
Jo, nuk jam pjesë e labelit, ndonëse marrëdhënia me ta është shumë e mirë. Thjesht bashkëpunojmë, por ende nuk jam pjesë e tyre. Kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë djemtë dhe vajzat që janë aty, jemi si një familje e madhe, por nuk kam kontratë.

Kush e kishte idenë që të krijonte një këngë për rrjetet sociale?
Në fakt, ideja fillestare ishte e imja, duke qenë se jo vetëm me rrjetet sociale, por njerëzit sot janë shumë të lidhur edhe me telefonin dhe nuk kanë marrëdhënie drejtpërdrejt me tjetrin. Kjo gjithmonë më ka shqetësuar dhe kam menduar që duhej të bëja një këngë për njerëzit që rrinë gjithë kohën me telefon. Pastaj mendova të bëj diçka më artistike, një histori ‘like’- sh (pëlqimesh në “Facebook”), ku një vajzë bën një ‘like’ dhe pastaj mashkulli mendon se duhet t’i shkruajë dhe i dërgon një zemër. Kur vajza nuk i përgjigjet ashtu siç mashkulli ka pretenduar, atëherë e justifikon në forma të ndryshme si, nuk ka bateri. Unë kam dashur të them që shumë histori të tilla nuk zhvillohen më ‘live’, drejtpërdrejt me personat, por i përkasin telefonit tani, mesazheve, ‘like’-ve. Tekstin, e ke shkruar ti? Pak a shumë kemi hedhur ide të gjithë, unë, Kledi dhe të gjithë djemtë që punojnë në studio. Kemi punuar të gjithë.

Fabula është përqendruar më shumë te keqkuptimet…?
Po, te keqkuptimet. Për shembull, nëse një femër më bën ‘like’, nuk duhet të mendoj domosdoshmërisht se e bën ngaqë do të ketë një marrëdhënie me mua. Në rastin konkret, personazhi i këngës kështu mendon, që femra që i bën ‘like’ e ka një arsye dhe i jep të drejtë vetes që t’i shkruajë dhe, pse jo, t’i dërgojë edhe një zemër. Përveç kësaj mendon se mund edhe ta ftojë të dalin dhe të qëndrojnë bashkë.

Ty personalisht, çfarë keqkuptimesh të kanë ndodhur në internet?
Mua më ndodhin herë pas here, sepse jam person që përgjithësisht u përgjigjem mesazheve në “Instagram” dhe “Facebook”. Kështu që jam përballur me persona që nuk kanë dashur vetëm të urojnë, por kanë pasur edhe qëllime të tjera, të kalojnë në konfidencialitete.

Po flet për femra që kanë pretenduar diçka më shumë me ty?
Po sigurisht! Çdo gjë fillon me, “Jam një fansja jote dhe të uroj për këngën”. Në momentin që i përgjigjesh, “Faleminderit, të jam mirënjohës”, vazhdon me, “Kur do takohemi bashkë?”.

Të ka shkaktuar probleme në jetën private ky fakt?
Jo, sepse nuk janë kaq të rëndësishme këto gjëra, thjesht janë keqkuptime, momente të vogla që janë të parëndësishme kur i kujton në fund. Kjo është universale, që njerëzit me telefon i bëjnë të gjitha gjërat. Kam përshtypjen që një ose dy gjëra nuk mund t’i bësh me telefon.

Ishte e qëllimshme përzgjedhja e mashkullit obez dhe jo aq të bukur sa ç’ishte femra?
Ka një qëllim. Nëse e vini re në videoklip, përveç këtyre karakteristikave, mashkulli në klip është i lezetshëm, simpatik, ndërsa femra, edhe pse është e bukur dhe elegante, është më e tërhequr. Me pak fjalë, simbolika është që: tjetër mendim kam për ty dhe tjetër del. Është edhe ky një raport keqkuptimi. Unë mund ta kisha interpretuar edhe vetë atë personazh sepse kam studiuar për aktrim, edhe unë obez jam dhe nuk e mbaj veten për të bukur, por ishte më bukur kështu, sepse personazhet duhej të ishin më të këndshëm në anën komike.

Përveç kësaj kënge, ke projekte të tjera për verën?
Për momentin dua t’i lë pak hapësirë kësaj kënge dhe në fillim të tetorit do sjell diçka tjetër. I kam disa materiale në studio, por duhet të ulem dhe të zgjedh atë të duhurin. “M’ka bo like” është komerciale dhe dua që pak kësaj të sjell diçka më të rëndë, ndoshta ndonjë bashkëpunim, apo ndoshta ndonjë baladë.

Bashkëpunimet me reperët janë aktualisht në modë; e sheh veten në një projekt të tillë?
Nëse do kisha ndjekur ndonjëherë modën, e para gjë që do kisha bërë do isha dobësuar (qesh).

Je i dashuruar prej vitesh tashmë. E keni zyrtarizuar?
Jam i dashuruar, dhe është një lidhje e mirë.

Martesën, e keni diskutuar?
Po, dhe kemi rënë dakord që do jemi të dashur të përjetshëm, secili në shtëpinë e tij, dhe kur të kemi nevojë për njëri-tjetrin do takohemi.

Nuk do martohesh kurrë?
Nuk e di, por për momentin kështu kemi vendosur (qesh).

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: