Dy ditë më parë, FSHF lajmëroi se në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv ishte bërë edhe ndarja e klubeve në dy grupet e Kategorisë së Dytë për sezonin e ardhshëm. Në njoftimin e thatë dhe pa asnjë sqarim të Federatës nuk bëhej e ditur asnjë emër skuadre apo më keq akoma ndarja e tyre në grupe.
Gazeta “Panorama Sport” arriti të siguronte ndarjen e ekipeve në dy grupe ku ashtu si një sezon më parë, ishin nga 13 skuadra në çdo grup. Gazeta mëson se ka pasur diskutime të shumta në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ku është kërkuar përfshirja edhe e disa klubeve të tjera, ndër to edhe Skrapari.

STRATEGJIA
Në një situatë të tillë, drejtuesit e FSHF-së kanë lënë gjithçka të hapur për sa i përket mundësisë së shtimit të ekipeve për sezonin e ardhshëm. Ky është edhe qëllimi se pse Federata ka fshehur ndarjen e skuadrave në grupe. Një strategji që ka lidhje edhe me zgjedhjet për kreun e FSHF-së vitin e ardhshëm.
Çdo klub ka të drejtën e një vote në zgjedhje dhe nuk përjashtohet mundësia që kreu aktual i Federatës, Armand Duka, ta përdorë këtë çështje për fushatën e vitit të ardhshëm. Duke favorizuar klube të ndryshme që përfshin në kampionat edhe në mënyrë të padrejtë, në këtë mënyrë votat për zgjedhjet e ardhshme janë të sigurta.

SKANDALI
Por, në institucionin që drejton dhe menaxhon futbollin shqiptar, rregullorja respektohet sipas dëshirës. Një sezon më parë u bënë pjesë e Kategorisë së Dytë dy skuadra, Këlcyra dhe Maliqi, për të cilat nuk u respektua asnjë rregullore, por gjithçka ishte një dhuratë e FSHF-së.
Sipas rregullores, klubet në Shqipëri e nisin gjithçka nga Kategoria e Tretë për t’u ngjitur në të Dytën dhe kështu me radhë. Por, as Maliqi dhe as Këlcyra nuk morën pjesë në Kategorinë e Tretë një vit më parë, por u përfshinë menjëherë në të Dytën. Një shkelje e hapur e rregullores. Gjithçka në kuadër të strategjisë për sa u përket zgjedhjeve të ardhshme ku çdo votë vlen shumë.

SEZONI I RI
Në kampionatin e ardhshëm, janë lënë jashtë skuadra si Skrapari, Kevitani apo ndonjë tjetër. Klubi i Kevitanit ka nisur prej disa ditësh punën, në një kohë që investimi është serioz. Gjithashtu, skuadra çorovodase është renditur në vendin e fundit në përfundim të kampionatit të kaluar dhe sipas rregullores duhet të luajë në Kategorinë e Tretë.

Po pse nuk është respektuar rregullorja edhe në vitet e kaluara kur Skrapari është renditur i fundit, por ka marrë pjesë në kampionatin pasardhës?! Në Federatë, rregulloret vetëm shkruhen, renditen dhe publikohen, por respektohen rrallë. Edhe pse është mesi i shtatorit, Federata ende nuk ka publikuar ndarjen e grupeve dhe as kalendarin. Në një kohë që mban peng shumë klube që u bëhen ndere dhe më pas kërkohet “shpërblimi”. Futbolli në mjerim…/p.sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: