DIBER– Gjykata ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për Mahmut Gegën, i cili dyshohet si autor i vrasjes së 32-vjeçarit Elsi Kosiqi, dy ditë më parë në oborrin e shtëpisë së tij në Maqellarë të Dibrës.

Para trupit gjykues, Mahmut Gega, banues në Shupenzë, ka mohuar autorësinë e vrasjes. “Nuk jam unë jam vrasësi”, ka thënë ai në sallën e gjyqit.

Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se pavarësisht mohimit të akuzave, ndaj Gegës u caktuan 30 ditë burg.

Sipas policisë, dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që ende po punohet për zbardhjen e plotë.
vrasja-ne-diber-autori-mahmut-gega

Ngjarja
Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve u ekzekutua më 20 mars në derën e shtëpisë në Dibër. Burime për “BalkanWeb” pohuan se 32-vjeçari kishte shkuar mëngjesin e së hënës në Dibër të Madhe ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë. Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por sapo ka parkuar makinën në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga një person që i ka dhënë dorën dhe më pas i ka drejtuar armën.

Elsi Kosiqi

Ngjarja ka ndodhur brenda oborrit të banesës, ngjitur me verandën e banesës dhe familjarët dyshohet se e kanë parë ngjarjen, megjithëse nuk kanë dhënë shumë informacion për policinë.

Më pas autorët apo autori është larguar me shpejtësi, duke qenë se shtëpia ndodhet vetëm disa metra larg nga rruga nacionale dhe 500 metra nga kufiri me Maqedoninë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb