TIRANË- Në mbështetje të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të mos lejuar importin e mbetjeve në Shqipëri, Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi rikthimin e referendumit, që qytetarët të mund të shprehen me votë nëse i duan apo jo mbetjet. Duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin, kryedemokrati tha se është kaluar në mënyrë të pabesë ligji që i lejon mafies të mbushë Shqipërinë me plehra.

“PD prej ditës së parë ka qëndruar në mbështetje të kësaj aleance. Qeveria e Edi Ramës në mënyrë të pabesë ka shkelur angazhimin për të mos importuar plehra, por ju ka mohuar referendumin, në mënyrë të pabesë ka kaluar një ligj që i hap rrugë maifes të sjellë plehrat dhe mbetjet e botës për të helmuar shqiptarët. Kjo është një pafytyrësi kriminale, ai jo vetëm e anuloi në 2013 , por në mbështetje të anulimit krijoi një detyrim ligjor që brenda 2016-ës të përfundonin procesin e diferencimit të mbetjeve për pastrim më të mirë dhe ai i riciklimit më të mirë të mbetjeve në vend. Sot ka dështuar me zbatimin e VKM. Sot plehrat e kanë mbuluar vendin lumenjtë e detet, të sëmurët e rrugëve respiratorë, kanceri i mushkërive është 10-fishuar. Sot ia kemi lënë Shqipërinë peng krimit”,- tha Basha.

Duke vijuar akuzat, kreu i të djathtëve u shpreh se Rama po sillet si drejtori psikopat i një burgu. Ai kërkoi ndër të tjera edhe vendosjen e një moratoriumi për importin e plehrave, deri sa qytetarët të shprehen me referendum.

“Ndaj me shoqërinë civile jo vetëm që jemi të bashkuar për të realizuar qëllimin tonë për të ndalur importin e plehrave, por jemi të bashkuar edhe për të rikthyer votën e qytetarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themeli i një shoqërie të drejtë. Dhe për këtë drejtori psikopat dhe i droguar i burgut duhet të largohet një orë e më parë. Na bashkon ky ligj për të cilin qëndrimi jonë është i qartë. Të miratohet dekreti i Presidentit, të miratohet një moratorium për importin e plehrave deri sa qytetarët të shprehen me referendum. Sepse ky vendim nuk i takon më asnjë qeverie, as kësaj që po ikën dhe as asaj që do të vijë, i takon qytetarëve shqiptarë ta vendosin me referendum popullor. Dhe deri në atë moment të miratohet dekreti i Presidentit Nishani dhe bashkë me të një moratorium për importin e plehrave. Dhe bashkërisht jam i bindur se në të njejtën frymë do të punojmë në një aleancë të madhe kundër drogës, për dekriminalizimin, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të rikthyer dinjitetin e shqiptarëve duke iu rikthyer besimin dhe të drejtën për të zgjedhur me votë qeverisjen që dëshirojnë”,- vijoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: