LAGOS- Militantët e organizatës terroriste Boko Haram kanë vazhduar shënjestrimin e fëmijëve në fushatën e dhunës që ka përfshirë mbi një mijë fëmijë të rrëmbyer dhe miliona të tjerë të shpërngulur në verilindje të Nigerisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë një ditë para përvjetorit të katërt të rrëmbimit të 276 nxënësve nga qyteti Chibok, UNICEF tha se militantët kanë rritur sulmet ndaj fëmijëve me efekte shkatërruese mbi edukimin dhe të ardhmen e tyre.

Së paku 112 vajza mbetën në robërinë e organizatës Boko Haram. Më 19 shkurt, militantët përsëri organizuan një rrëmbim masiv të rreth 112 vajzave dhe një djali në qytetin verilindor Dapchi në shtetin Yobe.

“Katër vjetori i rrëmbimit në qytetin Chibok na kujton se fëmijët në Nigerinë verlindore vazhdojnë të sulmohen në një shkallë tronditëse”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të UNICEF-it në Nigeri, Mohamed Malick Fall.

Fall shton se ata janë shënjestër e vazhdueshme dhe të ekspozuar ndaj dhunës brutale në shtëpi, shkolla dhe vende publike.

Agjencia tha se sulmi i fundit në një shkollë në Dapchi, në të cilën pesë prej vajzave humbën jetën, ishte tregues se ka pak hapësira të sigurta për fëmijët në verilindje.

“Këto sulme të përsëritura kundër fëmijëve në shkolla janë të paarsyeshme. Fëmijët kanë të drejtën e arsimit dhe të mbrojtjes dhe klasa duhet të jetë një vend ku ata janë të sigurtë nga dëmtimi”, tha Fall.

Gjatë ditës së nesërme, lëvizja #BringBackOurGirls (Sillni vazjat tona) do të mbajë një ligjeratë mbi përvjetorin e katërt në kryeqytetin Abuja. Ligjerata titullohet “Drejt një shoqërie të drejtë dhe të mirë: Përtëritja e përkushtimit tonë ndaj fëmijës vajzë në Nigeri”.

Që nga konflikti që nisi në Nigerinë verilindore, pothuajse nëntë vite më parë, të paktën 2.295 mësues janë vrarë dhe më shumë se 1.400 shkolla janë shkatërruar. Shumica e këtyre shkollave nuk janë rihapur për shkak të dëmtimit të madh apo pasigurisë në vazhdimësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: