TIRANË- Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS-së kanë raportuar ministrat për punën e tyre në 3 sektorë: shëndetësi, energjetikë dhe ekonomi. Të tre ministrat përkatës kanë bërë një përmbledhje të punës së tyre. Ndërkohë deputetja Mimoza Hafizi dhe deputeti Ben Blushi kanë kërkuar të flasin për statutin e partisë por kreu i grupit, Gramoz Ruçi ka mbyllur diskutimet duke thënë se kjo çështje do diskutohet në Kongres.

Një tjetër çështje e ngritur nga Blushi ka qenë edhe ajo e borxhit publik, për të cilën i ka kërkuar ‘llogari’ ministrit të Financave. Cani ka thënë se aktualisht niveli i borxhit është 73% por sipas tij do të ulet.

DEBATET

GRAMOZ RUÇI: Ka pasur një kërkesë nga deputetët që ministrat të raportojnë për zbatimin e programit të punës së qeverisë. Sot janë thirrur ministrat për të folur për punën që është bërë në 3 sektorë. Ju lutem t’i dëgjojmë dhe më pas të bëjmë pyetjet, kush ka ndonjë gjë për të pyetur.

DAMIAN GJIKNURI: Ne kemi ndërmarrë një nga aksionet më të rëndësishme, por edhe të vështira, reformën në energji. E ka thënë FMN dhe Banka Botërore, që reforma në energji ishte leva kryesore mbi të cilën ktheu stabilitetin ekonomiko-financiar dhe buxhetor. Në vitin 2013 ishin 210 milionë USD të taksapaguesve shqiptarë që shkonin pikërisht për të mbajtur stabilitetin energjetik të vendit. Ne bëmë reformën e duhur strukturore të tarifës së energjisë, bëmë ritarifimin duke e ulur çmimin mesatar, i cili është tanimë 9.5 lekë dhe duke garantuar 203 mijë familje me buxhet të mjaftueshëm për të kompensuar çdo luhatje nga ky ristrukturim tarifash. Për shkak të disiplinës financiare, arkëtimi është dyfish i vitit 2013, pasi këtë vit shkon në 65 miliardë lekë nga 38 që ishte. Sigurisht që jo çdo problem është zgjidhur. Ka nevojë për investime.

ARBEN AHMETAJ: Për të folur për ato çfarë qeveria ka bërë, mjafton që t’u referohemi raporteve ndërkombëtare, qoftë të Bankës Botërore, qoftë të Komisionit Europian, qoftë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe të Bankës së Shqipërisë që është institucioni që ka platformën statistikore më korrekte dhe më larg të gjithë neve. Raporti i fundit i Bankës Qendrore për 9-mujorin tregon që ka një rritje të tregtisë me pakicë me 7.6% dhe një rritje të konsumit gati 2%. Është një tremujor, i cili konfirmon rritjen ekonomike dhe trendin e rritjes ekonomike. Shifra 3 për qind është e konfirmuar zyrtarisht nga Banka Qendrore në tremujorin e tretë dhe në tremujorin e dytë. Ne tremujorin e tretë 2015, ekonomia shqiptare u rrit 2,98% kundrejt tremujorit të tretë të 2014. Jemi në rrugën e duhur të konsolidimit të rritjes dhe zhvillimit ekonomik. Shifrat tregojnë që investimet e huaja direkte në 9-mujorin e vitit 2014 kanë qenë 621 milionë euro, ndërsa në 9-mujorin e vitit 2015 janë 714 milionë euro. Ne kemi paguar borxhet e vjetra 1.21 miliardë dollarë interesa dhe borxhi neto që kemi marrë është 950 milionë dollarë. Kemi investuar në tri vite, fondi i rajoneve, FSHZH, llogaria kapitale, 2.9 miliardë dollarë. Dy fjalë për koncesionet… Janë 161 koncesione që janë bërë në energji nga qeveria e mëparshme.

ILIR BEQAJ: Ne kemi marrë përsipër t’u ofrojmë shërbim shëndetësor të gjithë shqiptarëve pa pagesë. Që prej datës 1 shkurt janë miratuar edhe tarifat e reja të vizitave te mjeku specialist dhe të ekzaminimeve të ndryshme shëndetësore për personat që nuk janë të siguruar, por që bëhen pjesë e sistemit të referimit, duke e filluar kontrollin nga mjeku i familjes. Vizitat te mjeku i familjes tashmë janë falas për çdo pacient edhe të pasiguruar. Tashmë falas do të jenë edhe shërbimet e mëtejshme te specialisti për çdo pacient që ka kaluar nga mjeku i familjes. E filluam me kontrollin bazë shëndetësor. Nga data 27 janar, mjeku i familjes është falas për këdo. Qeveria e djeshme ia kishte mohuar mjekun e familjes falas 600 mijë shqiptarëve. Sigurisht që unë jam i vetëdijshëm që ajo që ne duam të bëjmë në shëndetësi ka nevojë edhe për reforma të thella radiale. Preken interesa, prekin lobe, prekin status quo. S’kam pasur asnjë dyshim që ditën e parë, por nuk mund të pranoj që të drejtoj një dikaster që ka marrë përsipër që të zbatojë programin e një qeverie që kryefjalë të saj ka reformën ditë pas dite, sepse në radhë të parë, kemi detyrim ndaj qytetarëve tanë që meritojnë më shumë, kemi detyrime ligjore.

MIMOZA HAFIZI: Unë mendoj se u bë shumë mirë që ministrat të raportojnë në grupin parlamentar për punën e tyre. Kjo ishte një kërkesë e imja dhe e zonjës Dade që ministrat të vinin këtu, por do të ishte mirë që deputetët të njoftoheshin më përpara, në mënyrë që ne të përgatiteshim edhe për pyetje. Së dyti, unë desha të sqaroja diçka në lidhje me statutin e partisë. Kam shprehur mendimet e mia dhe dua të flas edhe në grup.

GRAMOZ RUÇI: Diskutimi për statutin nuk është objekt i mbledhjes së sotme. Kemi ngritur një grup pune dhe do të jetë temë diskutimesh në rendin e ditës të kongresit të partisë.

FATMIR TOÇI: Për punën e statutit të naftëtarëve nuk u tha gjë. Ndërkohë që në fushatë kemi premtuar që ne do të rishikojmë koncesionet në disa nga zonat naftëmbajtëse. Jo vetëm që kemi lënë njerëzit pa punë, por kemi krijuar edhe problem mjedisore dhe sociale, sepse njerëzve u është premtuar se do të paguheshin për dy vite. Bëhet fjalë këtu për Gorishtën, Vllahinën, Amonicën si dhe HEC-in e Langaricës.

BESNIK BARAJ: Disa nga këto koncesione janë bërë edhe të dëmshme për mjedisin.

DAMIAN GJIKNURI: Çështja e koncesioneve nuk është e lehtë. Ato janë kontrata që janë lidhur dhe si pasojë kanë edhe kushtet e tyre. Anulimi i tyre do të kishte mjaft kosto për vendin.

EDI RAMA: Dua të sqaroj çështjen e koncesioneve. Nga viti 2005 në 2013-ën janë dhënë 173 koncesione, ndërkohë që sot janë bërë vetëm 14 kontrata partneriteti publik-privat. Është spekuluar shumë me këtë çështje, por ne do të vazhdojmë vendosmërisht që të ftojmë partnerë privatë për të ndërtuar shkolla, infrastrukturë sociale, rrugë si dhe për të bërë shërbime të tjera, sepse janë disa shërbime që kushtojnë shumë para, që qeveria dhe shteti nuk i ka. Ndaj kjo është një mënyrë e mirë për t’u shërbyer njerëzve.

Edi Rama largohet për shkak të axhendës. Mbledhja e grupit vijon

BEN BLUSHI: Unë i kam shprehur mendimet e mia për situatën ekonomike. Nivelin e borxhit. A mund të më thonë ministrat, ndoshta ministri i Financave se sa ka shkuar niveli i borxhit publik. Sa e kemi pasur ne në premtimet tona elektorale. Unë kam edhe disa shqetësime të miat për shkeljen e statutit. Kam përgatitur një dokument me shkeljet që i janë bërë statutit. Janë shkelur 30% të neneve të statutit, fryma e Kushtetutës dhe ligji për partitë politike. PS nuk bën zgjedhje, kryetari ka mandate ilegjitime. Forumet nuk mblidhen…

GRAMOZ RUÇI: Çështjen e statutit do ta diskutojmë në kongres. Dhe për çështjen tjetër të përgjigjet ministri.

SHKËLQIM CANI: Niveli i borxhit tashmë është afërsisht 73%. Por që këtë vit do të ketë ulje të borxhit.

BEN BLUSHI: Si ka mundësi që ilaçet e shtrenjta që përdoren për ata që vuajnë me kancer dhe që kushtojnë 400-500 euro nuk i gjen në spitalin publik, por i gjen në spitalet private?

ILIR BEQAJ: Unë e pranoj dhe jam i vetëdijshëm që ende nuk i plotësojmë të gjitha nevojat tona me barna. Ne kemi ulur çmimet e barnave. Ka nevoja sigurisht.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: