BRUKSEL– Gjatë javës në Bruksel do të mbahet Samiti i NATO-s, ku Republika e Maqedonisë pret të marrë ftesë për anëtarësim në Aleancë.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska sot bashkë me koordinatorin nacional të NATO-s, Stevo Pendarovski do të mbajnë konferencë për gazetarët para mbajtjes së Samitit.

Pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, Maqedonia pret të ulet në tavolinë me Aleancën, dhe procesi i anëtarësimit të mos zgjasë më shumë se gjashtë muaj. Zëvendëskryeministrja Shekerinska në një intervistë për REL, tha se nuk pret të paraqiten probleme shtesë gjatë vijimit të procesit.

Ajo nuk ka saktësuar nëse planifikohen masa konkrete kundër presidentit i cili refuzon të nënshkruajë dekretin e Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, që është një nga kushtet për anëtarësim në NATO, por ka thënë se ekzistojnë disa opsione. Por, tani për tani janë të fokusuar tek referendumi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në takimin që pati me kryeministrin Zoran Zaev nga fundi i qershorit, deklaroi se pret nga liderët e shteteve anëtare të Aleancës në Samitin që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik, të miratojnë vendim për fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim të plotë të Maqedonisë në NATO.

Stoltenberg, mes tjerash ka thënë se nëse marrëveshja për emrin nuk kalon në referendum, vështirë Maqedonia të marrë ftesë për në NATO.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb