Mbrojtësi i Skënderbeut, Kristi Vangjeli, i cili në përfundim të ndeshjes së fituar kundër Luftëtarit u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, ka deklaruar se diferenca +18 me Kukësin e vendit të dytë nuk e gëzon, pasi diçka të tillë do ta bënte vetëm kualifikimi në grupet e “Champions League”.

Ia dolët të përballonit presionin e Luftëtarit…

Sot nuk bëmë ndonjë ndeshje shumë të mirë. Dy golat në pjesën e parë na bënë që të ulnim ritmin. Me rëndësi janë 3 pikët që morëm, dhe mbajmë distancën nga ekipet e tjera që na ndjekin.

Fituat, +18 pikë, por jo shumë në humor…

Ekipi ka këtë ritëm gjithë vitin. Nuk është se festojmë aq shumë për një fitore të tillë. Punojmë për këtë gjë, dhe e japim në fushë. Gëzim ka, por ne duam të futemi në Champions. Gëzimet e tjera i kemi arritur.

Si ndiheni për hetimin që po i bën UEFA Skënderbeut? Si po e përjetoni në klub?

Është një betejë e madhe që i përket zyrave të klubit. Ne e kemi thënë që të jemi me këmbë në tokë. Nuk e analizojmë ne këtë gjë, sepse ne nuk dimë gjë nga ky aspekt. Të tjerë mendojnë se si do sillet Skënderbeu në Gjykatë. Ne presim vendimin që të na ndihmojë të jemi në Champions.

Kush mendon se është ekipi që mund të kapë Europën?

Janë disa ekipe që do luftojnë deri në fund. Besoj se Laçi ka një ekip shumë të mirë, ka lojtarë me perspektivë. Edhe Kukësi është shumë afër, duke ditur fuqinë që ka si ekip. Edhe Vlora ka një ekip të ndërtuar mirë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb