SARANDE- Pas vrasjes së Aleksandër Bardhit në 24 shtator të 2016-ën në Shëndelli të Sarandës, një seri ngjarjesh të tjera kriminale rrodhën më pas. Kështu, ekzekutimi i Agron Xhezairit, babai i Albi Xhezairit, i cili është shpallur në kërkim pasi akuzohet të jetë një nga autorët e vrasjes së Bardhit, dyshohet se ka pas si motiv hakmarrjen, duke u pasuar me ngjarjen e sotme, ku mbeti i vrarë Vangjel Çiko. Ky i fundit është babai i Dhimitër Çikos, i cili ndodhet në burg për vrasjen e 47-vjeçarit Bardhi.

Teksa ka dyshime të forta që këto vrasje kanë pas hakmarrjen, “BalkanWeb” ju sjell të plotë vendimin e gjykatës ditën kur u dha masa e sigurisë për tre të akuzuarit për ekzekutimin e Aleksandër Bardhit, ku dalin edhe detaje lidhur me vrasjen e tij. Në këtë vendim jepet edhe dëshmia që ka dhënë Dhimiter Ciko, në prani të babait të tij Vangjel Ciko, (personi që u vra gjatë natës) dhe se gjithçka është bërë për hashash.

Sipas Cikos, ai bashkë me dy shokët e tij kishin shkuar në një parcelë me kanabis në Shëndelli, pasi kishin si qëllim që të vidhnin prej aty hashash, ndërsa janë ndeshur me Aleksandër Bardhin, shkruan “BalkanWeb”. Ndërkohë, nga dëshmia e Amarildo Lames, personi i dytë i arrestuar për vrasjen e 47-vjeçarit thuhet se Bardhi ka mbetur i vrarë në mjetin e tij pas shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe Albi Xhezairit.

PJESË NGA VENDIMI I GJYKATËS SË SARANDËS
Ka rezultuar se në datën 24.09.2016 në fshatin Shendëlli është vrarë me armë zjarri shtetasi Aleksandër Bardhi. Nga policia gjyqësore janë kryer disa veprime hetimore dhe pasi është administruar një pjese e akteve procedurale, janë arrestuar në flagrance shtetasit Gj.A dhe F D. Arrestimi i tyre është bëre për shkak se kishte dyshime të lindura si pasojë e deklarimeve kontradiktore të tyre, dhe të personave të tjerë dhe se shtetasit G. A., iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë automatike që e mbante pa leje. Gjithashtu, nga akti i ekspertimit nr. 10190, datë 27.09.2016, i Institutit të Policisë Shkencore, ka rezultuar se në dorën e djathtë të shtetasit E. D vërehej prania e faktorëve plotësues të qitjes, dhe për këtë arsye ky shtetas është ndaluar me urdhër të prokurorit nga policia gjyqësore. Hetimet nuk janë ndërprerë dhe nga një informacion i marrë nga policia gjyqësore është mësuar fakti se natën e ngjarjes në vendin ku ka ndodhur krimi, kanë qenë shtetasit Dhimitër Ciko, Amarildo Lame dhe Albiano Xhezairi. Për të verifikuar këtë informacion janë shoqëruar ne Komisariatin e Policisë Sarande shtetasit Dhimiter Ciko dhe Amarildo Lame.

Fillimisht ata nuk kanë treguar rrethanat e ngjarjes, por pasi janë kryer veprime me mjete shkencore për kërkimin e marrjen e provave, ka rezultuar se këta shtetas ishin të përfshirë në vrasjen e shtetasit Aleksander Bardhi në fshatin Shendëlli. Kështu në pyetjen e shtetasit Dhimiter Ciko, në prani të babait te tij Vangjel Ciko dhe të av.K. Milo, ai ka shpjeguar faktin se: Në datën 24.09.2016 rreth orës 20:30 është takuar me Albiano Xhezairin dhe Amarildo Lamen në vendin e quajtur “Pallavraq” në Ksamil dhe kanë biseduar se do të shkonim në Shëndelli për të vjedhur disa bime hashashi, pasi janë përdorues të tij. Pasi ndanë detyrat ai vajti dhe mori një varke dhe shkoj të merrte dy shokët e tij me varkë. Kur erdhën Amarildo dhe Albiani kishin me vete dy arme kallashnikov. Pasi lanë varkën afër “peshkimit” në Vivar dhe shkuan në arat e fshatit Shëndelli, pasi kishim marrë vesh se atje ishte mbjellë hashash. Kur kanë mbërritur kanë parë një motor papaq afër një are dhe nga frika filluam të qëllonim në ajër me automatik, pasi kujtuam se kishte njëri. Njërin automatik e mbante ai, ndërsa tjetrin e kishte shtetasi Albiano Xhezairi. Për të qëlluar në ajër kanë qëlluar të dy. Më pas janë futur në parcelën e mbjellë me hashash të cilën e gjeti i pari Albiano Xhezairi. Pasi u futën të tre në të, filluam të prisnim bimën e hashashit. Kur po i nxirrnim bimët e prera në anë të parcelës kanë parë dritat e një makine që po vinte në drejtimin e tyre. Ai ka filluar të largohet bashkë me armën në dorë dhe duke ikur i ka thënë Albianos që ‘hajde të ikim se po vjen një makinë’. Kur ka kthyer kokën nga frika, ka parë se makina u afrua me shumë shpejtësi dhe në këtë moment ka dëgjuar të shtëna me armë. Por pasi nuk ka dëgjuar që Albiano Xhezairi të kthente përgjigje ka vazhduar të largohet me vrap për në drejtim të varkës. Kur ka mbërritur atje ka parë shtetasin Amarildo Lame, i cili kishte mbërritur përpara tij. Pastaj pas pak ka ardhur edhe shtetasi Albiano Xhezairi që mbante në dore një automatik. Pasi kanë hipur në varkë, kanë shkuar në Ksamil dhe armët i ka marrë Albiano Xhezairi.

Gjithashtu, është pyetur në cilësinë e personit nën hetim edhe shtetasi Amarildo Lame, i cili ka deklaruar faktin se janë takuar bashkë me dy shokët e tij në Ksamil dhe pasi janë takuar, kanë shkuar në Butrint, ku kanë marr motorin e varkës se Dhimitrit dhe pastaj kanë shkuar me varke për në breg të liqenit të Butrintit. Më pas kanë shkuar në drejtim të fushave të fshatit Shendelli. Armët i ka sjelle Albiano të mbështjella me një qese dhe në një bidon plastik “Spring” kishte fishekët, të cilët i kanë futur në karikatorë në kohen që ishin në varkë. Karikatorët i ka mbushur Albiano dhe Dhimitri. Pasi kanë lënë varkën kanë shkuar në këmbë në fushat e fshatit Shëndelli dhe atje kanë parë një motor papaq qe ndodhej afër një ure që kalon midis dy parcelave. Albiano dhe Dhimitri filluan të kërkonin me prozhektor dhe aty dalluan dhe motorin. Kur po prisnin lenden në parcelë ka parë që po vinte një makine me drita ndezur. Në kohën që është afruar makina ai është larguar në drejtim të vendit ku ishte varka, dhe tij është nisur dhe Dhimitri, ndërsa Albiano në një distancë rreth 20 metra, u ul ne gjunjë dhe filloi të gjuante me automatik në drejtim të makinës me breshëri deri sa i mbaroj të gjithë fishekët. Pasi Albiano Xhezairi ka ardhur te varka, ka dëgjuar t’i thotë Dhimitrit: “më duket se e vrava shoferin se kur qëllova makina nuk po lëvizte më dhe ai po bërtiste.” Armët i mori përsëri Albiano dhe i çoj tek shtëpia e tij në Ksamil. Pasi janë marrë këto deklarime, në prani të një mbrojtësi ligjor dhe familjareve të të dyshuarve, nga prokurori në datë 02.10.2016 është urdhëruar ndalimi i këtyre shtetasve.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb