BURREL- Policia e Matit dhe FNSH e Shkodrës ka zhvilluar një operacion blic në Burrel ku ka arrestuar një person që lëvizte i armatosur dhe sekuestruar sende të forta e municione.

Në kuadër të planit të masave për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, të atyre që mbajnë apo trafikojnë lëndë narkotike, si dhe nisur nga ngjarja e datës 06.09.2017, në qytetin e Burrelit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, me mbështetjen e FNSH Shkodër kanë ushtruar kontrolle të befasishme në akset rrugore dhe në ambiente të ndryshme për këtë qëllim.

Si rezultat i këtyre kontrolleve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Leonard Kolaveri, 23 vjeç, banues në Burrel, pasi;

Ky shtetas duke qarkulluar në qytet me motoçikletë mbante me vete armë zjarri pistoletë pa leje. Vepra penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Në vijim të kontrolleve, gjatë kontrollit të mjetit tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. Z., 29 vjeç, banues në Burrel, poshtë sediljes së pasme të automjetit është gjetur një shkop bejsbolli.
Shtetasi K.Z, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

Gjithashtu në vijim të kontrolleve, në një lokal në pronësi të shtetasit S.K, 32 vjeç, banues në Burrel, janë gjetur një krehër fishekësh, një kapsolle detonatorë dhe një shkop bejsbolli.

Shtetasi S.K., nuk ishte në lokal në momentin e kontrollit por vetëm punonjësit e lokalit, dhe është shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”. Kontrolle të ngjashme do vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Dibër. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb