TIRANE- Me sistemin elektronik të identifikimit të zgjedhësve, votimit dhe numërimit elektronik, synohet të shmanget çdo formë e manipulimit të procesit zjgedhor. Kur pak muaj na ndajnë na mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, vijojnë diskutimet për implementimin e kësaj teknologjie.

Në rubrikën “Opinion” në “News 24”, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se identifikimi elektronik i votuesve është i rëndësishëm për të shmangur ndërhyrjen e krimit në këtë proces. Mediu përmendi situata ku persona të caktuar kanë marrë kartat e identitetit të votuesve, duke i detyruar të votojnë për një forcë politike. Apo edhe votimet e dyfishta apo më shumë nga i njëjti person.

Ndërsa me identifikimin elektronik, votimi realizohet me shenjën e gishtave, gjë që shmang manipulimin.
Sakaq, Mediu ka vënë theksin edhe tek rëndësia e votimit elektronik, dhe numërimit elektronik të votës, duke u shprehur se mund të implementohet teknologjia e ndonjë vendi të zhvilluar europian, së bashku edhe me asistencë konkrete të ofruar nga ata.

Kreu i PR ka shprehur edhe qëndrimin e tij, sa i takon “vetos” së PS sipas tij për këtë proces, duke e cilësuar një hap negativ. Duke u shprehur se mazhoranca aktuale tregon mungesë të vullnetit politik për realizimin e reformës zgjedhore, Mediu tha se procesi po vonohet qëllimisht.

Ku u fokusuan zhvillimet sot në komisionin e reformës zgjedhore?
Debati sot ishte fokusuar në identifikimin e votuesve, votimi dhe numërimi elektronik. Janë tre elementë që mund të shkrihen në një, por për këtë duhet të flasin ekspertët më mirë. Janë të gjithë palët të interesuar për këtë. Në emër të opozitës propozova që të angazhohemi të gjithë. Kemi kërkuar që të ndiqet teknologjia më e mirë për realizimin e këtij procesi. Komisioni i ekspertëve nga pikëpamja ligjore mund të bëjë procedurën ligjore për funksionimin e tyre. Nëse ne biem dakord për një vend të BE që ka një teknologji të përshtatshme për t’u aplikuar në Shqipëri, të kërkojmë edhe një asistencë konkrete për realizimin e saj.

Por u vu re një lojë nga ana e PS. Realiteti shqiptar tregon se ky proces duhet. Por vendosja e vetos sot nga PS besoj se është hapi më negativ në këtë proces. Nuk po paragjykoj se ç’mund të thotë OSBE, por ajo çfarë duket qartësisht nga diskutimet e deritanishme.

Pse po bëhet kjo shtyrje për këtë proces?
Kemi një vit në Komisionin e Reformës Zgjedhore, dhe nuk është bërë as një punë. Vihet re një mungesë vullneti nga ana e mazhorancës. Kërkohet të shtyhemi në limite kohore, që të përdoret koha si pretekst. Dhe kjo bëhet për të marrë vendime sipërfaqësore, dhe për të manipuluar procesin zgjedhor.

A i keni paraqitur propozime tuaja për procesin zgjedhor?
PR i ka kërkuar Partisë Demokratike që të vendoset për disa amendamente. Po kështu një grup partish politike parlamentare apo jo kanë paraqitur disa amendamente të shkruara. Nuk kemi patur asnjë diskutim konkret. Sot kërkova përgjigje se pse nuk kanë funksionuar dy projektet pilot. Ka qenë një në Fier një në Tiranë, një për identifikimin elektronik, e një për numërimin elektronik.

Mazhoranca e asaj kohe ka patur një vullnet, për propozimin e paraqitur nga Gjiknuri. Dhe u dol me këto dy projekte pilot. Projekti i Fierit nuk ka funksionuar për një defekt teknik pasi ishin printuar fletët e votimit, pasi fleta ishte më e madhe se pajisja.

Ne kemi shtuar votimin elektronik përveçse identifikimit dhe numërimit elektronik. Synohet të shmanget çdo lloj tendence manipulimi të zgjedhjeve.

A ka kohë mjaftueshëm për realizimin e votimit elektronik?
Problemi është gjithmonë se veprojmë në emergjencë. Kohë nuk ka se nuk kemi dashur t’i bëjmë në kohë. Mungon vullneti politik i mazhorancës për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk ka patur asnjë veprim konkret të kësaj mazhorance për të bërë një reformë zgjedhore. Ka një realitet të papranueshëm në Shqipëri ku krimi i organizuar dhe blerja e votës janë bërë të ndjeshme në vend. Kjo e bën shumë problematik një proces zgjedhor të nxituar.

Do të ketë një kosto të lartë për vendin?
Kostoja e pengimit të integrimit europian të vendit, është me e madhe se kostoja e implementimit të këtij procesi elektronik, dhe reformimi të sistemit zgjedhor.

Cila është e ardhmja nëse nuk ka vullnet politik, çfarë do të bëjë opozita?
Opozita është naive nëse mendon se me këtë maxhorancë ka zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet të gjejmë çdo formë që garanton zgjedhjet të lira e të ndershme dhe distancimin e politikës nga krimi. Në 2007, 2013 janë bërë zgjedhje me rezultat të pranueshëm.

Çfarë do të bëjë opozita?
Do të bëjë çdo luftë që është e mundshme që të garantojë një qytetar që është i lirë për të votuar.

Në takimin me Vlahutin a pati përplasje?
Nuk ka patur debate, përplasje, por shkëmbim mendimesh. Ka patur nuanca të ndryshme të diskutimit. Ne i bëmë të qartë ambasadores nuk është se ndajmë ndonjë optimizimë të madh për zhvillimet në Shqipëri, edhe për më tepër kjo mungesë vullneti çon në një proces të manipulueshëm siç ka ndodhur edhe herët e tjera dhe padyshim edhe në një qeverisje të kontestuar. U diskutuan edhe çështje të ndryshme, vlefshmëria e mandatave, kush është sistemi më i mirë, me lista të hapura apo të mbyllura etj.

Çështja e listave të hapura ose të mbyllura, pikë debati. Është thënë se krerët e partive nuk i duan listat e hapura?
Unë kam qenë nga ata që i kam abstenuar ndryshimet e kodit zgjedhor edhe pse kam qenë në maxhorancë. Ideja e listave të hapura është për t’iu dhënë idenë shqiptarëve që janë të pranishëm në parlament. Ajo çka ndodh sot që është e papranueshme, shprehim një mendim të përbashkët dhe vendosim një veto të papranueshme në fund.

Opozita ka propozuar edhe shtyrje të zgjedhjeve nëse s’ka votim elektronik…
Nëqoftëse maxhoranca nuk e do votimin elektronik do vazhdojnë avazin e manipulimit të procesit. Ambasadorja nuk është lënë të hyjë në qendrën e votimit dhe i flisnin dhe anglisht. Ja thashë edhe dje ambasadores. Këto duam të shmangim. Me sistemin elektronik minimizohen shumë. Hiqet angazhimi subjektiv i forcave politike dhe individëve. Nuk mund të blejë dot kartën e identitetit sepse voton me gisht.

Do të shkonte gjithsesi opozita në bojkot?
Opozita duhet të mbajë çdo qëndrim që iu shërben qytetarëve. Bojkoti i parë është kur nuk lejon qytetarët të votojnë.

PS nuk u shpreh kundër…
U shpreh se votoi kundër.

A keni folur me aktorë të tjerë për këtë çështje?
Si opozitë duhet të përcaktojmë një qëndrim të qartë. Nuk mendoj se marrëdhënia jonë duhet të mbarojë në Tiranë.

Mendoni se çështja do zgjidhet këtu apo tek Krokodili?
Tani janë bërë krokodilë dhe peshkaqenë bashkë, s’po merret vesh. Ajo që është e rëndësishme nuk është koha por zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të gjithë. Futja e votimit elektronik krijon shanse të jashtëzakonshme edhe për emigrantët, shmang votimin familjar, nuk voton një njeri për gjithë fisin. Është një proces jashtë duarve partiake dhe secili merr atë që kanë votuar qytetarët.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb