ATHINE- Nga Athina, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se në Shqipëri po bëhen fushata më luksoze se në Amerikë. Gjatë një takimi me anëtarët e degës së PR në kryeqytetin helen Mediu bëri një pasqyrë të gjendjes sipas tij të rëndë, ku është zhytur sot Shqipëria, si pasojë e keqqeverisjes Rama-Meta.

Në fjalën e tij Mediu u shpreh se qeveria tashmë ka degraduar në çdo aspekt të saj, duke e çuar vendin drejt korrupsionit, krimit dhe kanabisit, ndërkohë që qytetarët sa vijnë e varfërohen çdo ditë e më shumë. “Çdo njeri ka të drejtë të ndërtojë dhe të punojë për lumturinë e tij, – u shpreh zoti Mediu, – por ne nuk mund t’i lemë peng ato në dorë të Ramës dhe Metës, të cilët tashmë kanë futur duart në xhepat e qytetareve e shqiptarë, duke favorizuar bandat dhe kriminelët, me qëllimin e vetëm për të kapur shtetin, drejtësinë, zgjedhjet e ardhshme”.

Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, Mediu u shpreh se Partia Republikane ka kërkuar prej kohësh një Reformë Zgjedhore, për të garantuar proces të drejtë dhe transparent, për të kthyer pushtetin ne duart e qytetarëve me anë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Kemi kërkuar votim elektronik në radhë të parë që të mund të votoni edhe ju në mënyrë të rregullt. Kemi kërkuar votim elektronik, në mënyrë që qytetarëve të mos u merren më kartat e identitetit, të mos u bllokohet rruga përfaqësuesve të BE dhe SHBA, siç ndodhi për zgjedhjet lokale, të mos trafikohet vota. Gjithashtu kemi kërkuar edhe votim me lista të hapura, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që mund të zgjedhin se për kë duan të votojnë dhe të mos jenë kryetarët e partive që të përcaktojnë se kush do përfaqësojë qytetarët. Kemi kërkuar edhe transparencë në financimin e fushatave, pasi në Shqipëri po bëhen fushata më luksoze se në Amerikë” u shpreh ndër të tjera kryetari i PR-së.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: