Çdo qytetar që jeton në qytetin e tij, apo qoftë dhe i larguar e kthehet për të pushuar, apo të takojë njerëzit e afërt, miqësinë, shoqërinë, të kujtojë me nostalgji fëmijërinë apo rininë e tij, gëzohet kur shikon ndryshime në vendlindjen e tij. E themi me plot gojë që këto nuk kanë munguar dhe në Korçën tonë të bukur. sidomos në vitet e fundit. Por një gëzim i tillë kthehet në trishtim të madh, kur në valën e nxituar të ndryshimeve për mirë, prishim simbolet dhe historinë e qytetit. Të gjithë korçarët dhe ata të larguarit, por dhe ata që nuk janë korçarë, njohin mirë disa pika referimi në qytetin tonë si: Ushtarin e panjohur, Kinema Moravën, Mitropolinë, Panda e Birra Korça, Shën Gjergji, Çezma e Amzos, Shtëpia e Zaharait e shumë emërtime të tjera që janë pjesë e historisë dhe i japin identitet qytetit të Korçës. Këto pika identiteti është mirë të ruhen dhe të restaurohen si vlera të veçanta, apo pika referimi, idhujtare për banorët e qytetit, aq sa mund të shpallen Monument qytetarie, s’na vjen mirë të përdorim këtu fjalën Monument Kulture, sepse me këtë fjalë të gjitha regjimet e deritanishme kanë abuzuar duke i lënë në mëshirë të fatit. Këto vlera që përmendëm më lart e të tjera, është fat i madh për korçarët, ku megjithë shkatërrimet dhe ndryshimet në vite, nuk guxoi as sistemi diktatorial ti tjetërsonte. Duke përjashtuar shkatërrimin total të së vetmes vlerë historike dhe shpirtërore të qytetit, Kishën madhështore të Shën Gjergjit, për të cilën thuhet se, atyre që urdhëruan prishjen e saj në vitin 1971, u hoqi veshin e i qortoi rrëndë dhe vetë diktatori Hoxha. Ndoshta dhe ai e shikonte prishjen e këtij monumenti madhështor, si mëkat të madh që u ishte bërë qytetarëve korçarë. Por në se flasim dhe nga ana fetare e shpirterore, Perëndia i ndëshkoi, sepse të gjithë e dimë që fundi i tyre ishte i hidhur, pa përmendur mallkimet e besimtarëve e të nënave korçare të vrara shpirtërisht. Kudo ku u prishen Tempujt, u prishën njerëzit dhe kjo ndodhi nga ata që me egon e tyre ushqyen lavdidashjen, dëshirën për të zotëruar mbi të tjerët duke u vetshpallur idhuj, natyrisht të ndihmuar dhe nga lajkatarë, të bindur që duartrokisnin. Ata që nuk binin në një mendje me Atë i flaknin tutje deri në burgim. Jo rrallë ndodhën këto në atë kohë në Shqipëri. Njerëz të tillë fatkeqë, janë të shumtë në mes tonë. Pra, si rrjedhojë, prishja e monumentit shpirtëror, e Kishës të Shën Gjergjit, i shpallur Mbrojtës i qytetit, ishte shkatërrim i njerëzve të pafajshëm, i jetës shpirtërore dhe i qytetërimit të tyre. Ajo Kishë nuk ishte vetëm shpirti i besimtarëve orthodhoksë, por: pjesë e historisë të qytetit, e Meshës të parë në shqip, e shugurimit të imzot Nolit, fillimi i përpjekjeve të Autoqefalisë së Kishës, si dhe në luftrat e ndyshme u bë pjesë e historisë së Shqipërisë dhe përpjekjeve për të bërë shtet. Të cilën në vite u përpoqën ta fshinin nga memorja njerëzore, duke dashur ta fillonin historinë nga epoka e tyre. Por ja që një ditë erdhi dhe fundi i tyre, duke marrë fund përpjekja e historisë së tyre, të cilën sot e kujtojmë me dhimbje, duke u përpjekur akoma, të shërojmë plagët dhe dëmet e mëdha shpirtërore të asaj kohe që iu bënë Kishës orthodhokse. Të gjithë jemi dëshmitarë që ajo Kishë u kthye në Bibliotekën e qytetit, duke u shndëruar në Tempull dije për qytetarët. Në kërkesën e bëre nga Mitropolia në vitin 1991, për ta kthyer përsëri në Kishë, na u tha nga autoritet vendore, se është e pamundur të çvendosen gjithë ato libra dhe vështirësia kryesore është që nuk egziston një ambjent i tillë dinjitoz në qytet. Nga kjo përgjigje e autoriteteve të asaj kohe, Mitropolia nuk nguli këmbë për të prishur një Tempull e për të ndërtuar një Tempull tjetër, por asnjëherë nuk hoqi dorë gjatë takimeve apo bisedave të ndryshme, pa përmendur çështjen Shën Gjergji. Me qetësi ka parë mundësi të tjera për të bashkëpunuar me qeveritë vendore për të sygjeruar ambjente më të mira, të cilat qytetit nuk i kanë munguar dhe as i mungojnë, që me pak shpenzime do të ishin shumë dinjitoze, për një Bibliotekë moderne, të cilën e meriton qytetin ynë. Në vend që të bëheshin këto përpjekje të përbashkëta, mësuam me habi se do të zhvendoset Biblioteka dhe në vend të saj do të vijnë zyrat e Bashkisë të qytetit.
Paradoks!…Si mundet që tempujt e Kishat të kthehen sot në zyra? Kjo gjë ndodh vetëm në vendet diktatoriale, ku tek ne sistemi komunisto-ateis, i ktheu Kishat në zyra, vatra kulture, depo grumbullimi,etj. Qytetarët u njohën me këtë vendim qesharak, i cili me sa duket ka filluar të zbatohet. U njohën me të vertetën e saj, kur disa nga ne duke biseduar miqësisht me disa punonjës të Bashkisë, u shtruam pyetjen: Pse Bashkia kërkon të zhvendoset tek Pallati i kulturës dhe të bashkohet me godinën e Bibliotekës? Na u tha se do të kthehej në identitet dhe do të ndërtohet një Bibliotekë e re. Shumë mirë, u thamë ne. Pallatin ktheheni ju në identitet. Po Kishën e Shën Gjergjit nuk kemi të drejtë ne ta kthejmë në identitet? Madje truallin që u ndërtua Bashkia në atë kohë e ka dhuruar Mitropolia nga prona e Shën Gjergjit. Nuk folën, por mblodhën supet dhe u larguan të heshtur. Nga momenti që u mor vesh ky vendim, indinjata e qytetarëve është e madhe, aq sa midis tyre, pa e fshehur ka dhe zëra ekstremiste, të cilat përpiqemi dita-ditës ti qetësojmë. Sigurisht që për të tilla vendime absurde, ne nuk do ngremë njerëzit të irituar në protesta, sepse shikojmë çdo ditë që protestat përfundojnë me lëndime të ndryshme, heqje nga puna etj, gjë që tregon arësyen e sëmurë të vetvendosjes dhe egos të personit. Por duhet ta dinë dhe është momenti t’u kujtojmë, se keto janë të përkohëshme, sepse të tjera plane bëni ju, e të tjera plane bën Zoti. U themi, Zotërinjve qeveritarë e pushtetarë vendorë. Mos luani me Kishën dhe qytetarët, kthejani atë komunitetit orthodhoks, sepse shikojmë që mundësitë për zgjidhje janë, por u mungon dëshira e mirë. Mos lejoni që me të tilla gabime, të shkruhet emri juaj në llumin e historisë. Qytetarët u votuan ju, duke premtuar mirëqënie e vepra të mira për popullin, jo të bëheni të ngjashëm me diktatorët. Presim nga ju të ndreqni e jo të prishni akoma më shumë ato që shkatërroi regjimi komunisto-ateist. Sigurisht që për të gjithë do të vijë një ditë që quhet dita e gjyqit. Perëndia nuk do t’ua falë këtë gjë por do tu dënojë, si dhe besimtarët orthodhoksë një ditë do tu ndëshkojnë. Në se nuk jeni besimtarë, të paktën silluni si qytetarë. Një sjellje e tillë me Kishën, nuk është serioze për ju. Këto qëndrime u takojnë njerëzve me kombinacion fuqie e pushteti egoist të pabesë dhe amatoresk. Ju beni punën tuaj, por ne nuk do ta lemë me kaq. Ju sigurojmë që luftën do ta bëjmë të mirë, brenda ligjeve, duke ndjekur të gjitha instancat e duhura brenda e jashtë vendit. Në se nuk na kuptoni ju, besojmë që Evropa do na mirëkuptojë, sepse me të tilla sjellje që po shohim të ndodhin nëpër Kishat tona në Shqipëri, është frika e shpërthimit të një diktature të re, e cila do të ishte katastrofë e madhe për vendin. A keni ndërgjegje qytetare ju? Ne do të lutemi për ju, që ti thërrisni ndërgjegjes tuaj sa nuk është vonë.

Letër e hapur drejtuar në “BalkanWeb” nga komuniteti orthodhoks i Korçës
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb