Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Veprat e mjeshtrave të ikonografisë shqiptare prej Onufrit, Nikollës, Onufër Qipriotit, Kostandin Shpatarakut, David Selenicës, Kostandin e Athanas Zografit, Mihal Anagnostit, vëllezërve Çetiri, Kostandin Jeremonakut e shumë të tjerëve që për ne njihen si anonimë, ruhen në Muzeun Historik Kombëtar. Janë objekte të trashëgimisë, që bëjnë pjesë tek “vlerat” e veçanta të cilat datojnë prej fundit të mesjetës. Vit pas viti, për to është folur si për thesare në rrezik. Lagështira, agjentet atmosferikë, nevoja për restaurim, janë konsideruar gjithherë të menjëhershme. Anipse imazhet e tyre përcjellin temat religjioze, rëndësia e tyre për kulturën shqiptare mbetet tepër e madhe. Pavijoni i Ikonografisë në Muzeun Historik Kombëtar, duket se do gjejë shpëtimin që ka kërkuar. Drejtori i MHK-së, Melsi Labi tha dje për “GSH” se një fond prej 35 milionë lekësh të vjetra pritet të jepet për ndërhyrjen në to. Mbas kartelizimit të tyre, Labi bën me dije se mund të ketë edhe surpriza, por këto do ti mbeten kohës, mbasi më herët ka nevojë për studime. Një fond ikonash që kanë pasur një histori të gjatë lëvizjesh nga një institucion në tjetrin, gjenden në Muzeun Historik Kombëtar. Çfarë po bëhet me to, cila është gjendja e tyre?
Gjendja e ikonave është optimale në Muzeun Historik Kombëtar, pasi pavijoni i ikonave është një ndër më të ruajturit dhe më me kushte në këtë institucion. Një pjesë e tyre janë në fonde, ndërsa i gjithë ekipi merret me kujdesin ndaj tyre, apo me minikurimin, sa të jetë e mundur.
Dhe e nevojshme?
Në fakt sa të jetë e mundur, se nevojat janë më të mëdha se sa mundësitë. Ne njëkohësisht kemi menduar që të bëjmë një aktivitet pas restaurimit të tyre, sa i takon pjesës së ikonave. Do të kemi edhe surpriza me ikonat.
Ç’lloj surprizash?
Kjo mbetet ende për tu parë. Tani jemi në proces studimi të tyre, po merremi me zbërthimin e më pas do japim detaje.
Nuk dihej me herët se ç’ikona gjendeshin në MHK?
Më në fund është bërë regjistrimi, katalogimi, i çdo lloj vepre në Muzeun Historik Kombëtar.
Nuk ishin të kataloguara objektet që ruheshin?
Nuk është se e kam gjetur muzeun në këtë gjendje. Ka pasur edhe vepra të paregjistruara fare, ato që mund ti quajmë ikona apo vepra arti, por të paregjistruara. Kam pasur shumë të tilla, ndaj them se mund të kemi të bëjmë me një zbulim të ri, por jemi akoma në fazë studimi. Shkenca do kohën e vet që të japë provat.
Cili është projekti restaurues që keni ju dhe çfarë fondi ka për këtë projekt?
Fondi prej 3.5 milionë lekësh të reja është për një restaurim total, në të gjitha kënd-vështrimet sa i takon fondit të ikonave. Vendi ku ruhen dhe mirëmbahen ikonat dhe vetë ato. Jemi në bisedime me Ministrinë e Kulturës, kemi marrë premtimin e ministres që ky fond do të jepet dhe kjo lloj hapësire do të restaurohet. Në fakt është edhe porosi e kryeministrit dhe e qeverisë. Në fund të restaurimit, do presim edhe një sërë ikonash e veprash arti që janë në Korçë në mos gaboj. Janë vepra që do të vijnë nga galeria e artit atje, ka pikura dhe ikona. Numrin nuk e di ende, sepse nuk ka përfunduar procesi. Së pari duhet të kemi hapësirën gati për ardhjen e tyre dhe besoj se do të jenë rreth 100 vepra. A ka ambiente muzeu që përpos fondeve e pavijoneve të veta, të mirëpresë edhe ato që do të vijnë?
Muzeu ka hapësira shumë të mëdha. Do vijoj të këmbëngul në atë idenë time: Do riparë, rikonceptuar dhe restauruar, po hapësirat e muzeut janë të pafundme. Unë e them pa frikë se ky muze, në të gjithë këndvështrimet, është muzeu më i madh në Shqipëri, si në pasuri fondesh, historike, arkeologjike, ikonografike, etnografike, fotografike e çfarëdolloj game tjetër. Është folur më herët për një kat të tretë të muzeut ku kushtet atmosferike, sillnin probleme për ikonat që ruheshin aty. Është ndryshuar kjo situatë? Problemi i tarracës është zgjidhur me rikonstruksionin dhe rifreskimin që iu bë ndërtesës me rastin e vizitës së Papa Françeskut. Gjëja më e mirë e bërë ishte hidroizolimi i tarracës. Tani kemi nevojë që muret, paretet e jashtme anësore të rishihen si nga brenda edhe nga jashtë, duke e ditur strukturën e MHK si është.
Ju folët për vepra të paregjistruara. Tani, a kanë shkuar kartelat në Qendrën e Inventarizimit?
Ka pasur të tilla, ndërsa tani të gjitha informacionet i janë dërguar Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Cili është zbulimi që pritet të bëni?
Zbulimi del pas studimit e hulumtimit që kemi në duar për të folur konkretisht. Ka gjashtë muaj që ka filluar puna dhe nuk mund ta shpall pa qenë i sigurt. Unë kam shprehur, kërkesat e kushtet që na duhen ne, për mbarëvajtjen e punës në sektorin e ikonave. Ato janë të vlefshme, të rëndësishme, me mesazh të qartë dhe më të kërkuarat nga publiku i huaj, ndaj do bëjmë më të mirën për to.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: