Çuditërisht Kukësi lajmëroi sot ndërprerjen e marrëveshjes me trajnerin austriak Peter Pacult, në një kohë kur klubi është në pritje për të zhvilluar ndeshjen e kthimit në fazën eliminatorë të “Champions League”.

Në një intervistë për ‘Vip Sport’ menaxheri i Pacult, Marian Prela, ka treguar arsyen e vërtetë të largimit të austriakut. Prela shprehet se trajnerin e larguan një klan futbollistësh te Kukësi, të cilët nuk ishin dakord me mënyrën e stërvitjes.

“Në fakt u çudita kur mora vesh se Pakulti u shkarkua dhe nuk do të ishte më pjesë e Kukësit. Ishte mënyra më e turpshme nga stafi për t’i bërë një largim të tillë një trajneri të madh dhe profesionist si Peter Pakult. Kam kontaktuar me të dhe më tha se po largohet drejt Durrësit për të kaluar pak kohë vetëm, pasi ishte ofenduar shumë nga mënyra se si Kukësi e largoi.

Arsyet? Kushtet financiare që pretendohen nga klubi, nuk kanë të bëjnë aspak në largimin e trajnerit, duke qenë se ka hyrë në fuqi kontrata për të cilën është rënë fillimisht dakord dhe s’ka asnjë arsye për të diskutuar. As ndeshja me Valetën, nuk mendoj se ka ndikuar në largimin e tij, pasi janë luajtur vetëm 90 minuta dhe në dispozicion janë edhe 90 minuta të tjera.

Nuk i di me saktësi se kush, por te Kukësi janë 3-4 futbollistë, të cilët i janë ankuar presidentit Gjici se Pakulti ua bën stërvitjen në orar të papërshtatshëm, duke qenë se temperaturat janë të larta. Në fakt, nuk mund të konsiderohet orar i papërshtatshëm ora 9-10, pasi të gjithë i dimë kushtet atmosferike në Shqipëri.

Gjithashtu, janë shprehur se ai i lodh shumë në stërvitje dhe se nuk bën asgjë taktike, gjë të cilën vetë trajneri Pakult e ka hedhur poshtë. Trajneri i ka kërkuar Gjicit një ndihmës të tijin, por kërkesa është hedhur poshtë pa u diskutuar aspak.

Një klub serioz, nuk duhet të bëjë këto sjellje, pasi nuk i bëjnë mirë askujt, duke ditur se vetëm pak ditë më vonë, Kukësi ka ndeshjen e kthimit me Valetën. Edhe një çift, burrë e grua kur ndahen, ndahen me mirëkuptim, ndërsa Kukësi e largoi Pakultin pa i thënë asgjë.

E ardhmja e tij? Unë kam pasur oferta nga disa klube të mëdha jashtë Shqipërie për trajnerin dhe në ditët në vijim do të shohim. Nëse do të ketë ofertë bindëse nga Shqipëria, them se mund të qëndrojë edhe atje”, u shpreh menaxheri Prela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb