Qeveria synon që të rregullojë me një kuadër të ri ligjor menaxhimin e mbetjeve metalike. Në një draft që është nxjerrë tashmë për konsultim me grupet e interesit nga Ministria për Turizmin dhe Mjedisin jepet edhe mënyra sesi do të funksionojë licencimi i operatorëve që kanë këtë lloj aktiviteti, kërkesat mjedisore të tyre apo ato teknike.

Së pari lidhur me pozicionimin drafti vlerëson se instalimet e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve metalike duhet të bëhen jo më pak se 1000 m larg nga të gjitha kategoritë e zonave të mbrojtura dhe zonat e rekreacionit bashkiake. E njëjta distancë duhet të respektohet edhe nga zonat me rëndësi për biodiversitetin të miratuara nga autoritetet apo zonat ligatinore dhe sipërfaqet ujore (në veçanti liqenet dhe lumenjtë). Të njëjtat pika duhet të jetë të paktën 500 metra larg nga zonat ujëmbajtëse nëntokësore dhe po kaq edhe nga zonat e banuara.

Kushtet mjedisore
Drafti përcakton se operatori ekonomik, i cili ushtron veprimtarinë në fushën e grumbullimit, trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve metalike duhet të plotësojë të paktën tre kushte kryesore. Së pari të ketë një sipërfaqe të papërshkrueshme nga uji, lëngjet, dhe substancat ndotëse, si dhe e qëndrueshme, e hidroizoluar dhe me infrastrukturën përkatëse të grumbullimit dhe drenazhimit të ujërave sipërfaqësore, rrjedhjeve të mundshme dhe ujërave të shiut.

Së dyti të ketë impiant për trajtimin e ujërave, duke përfshirë edhe ujërat e shiut, dhe sipas rastit, dekantues me qëllim trajtimin dhe eliminimin e përbërësve të rrezikshëm. Së treti të ketë hapësira të përshtatshme për ndarjen dhe depozitimin e diferencuar të materialeve të ardhura në pikën e grumbullimit të mbetjeve metalike.

Të gjithë operatorët duhet që të mbajë regjistër ku do të hedhin të dhënat specifike të blerjes, marrjes apo pranimit të mbetjes metalike. Detajet duhet të përfshijnë llojin e metalit, të dhënat e personit që e merr në dorëzim datën dhe orën si dhe faturën.

Drafti nënvizon edhe mënyrën sesi do të rregullohet sistemi i kolektorëve të ujërave të ndotur, kërkesat për kontrollin e kimikateve dhe shkarkimeve të lëngshme, si dhe pajisjet elektrike dhe elektronike.

Aktualisht vendimi do të konsultohet me gjithë grupet e interesit dhe pas kalimit të këtyre hallkave përfshi miratimin në qeveri do të ketë edhe një fazë 6 mujore tranzitore ku operatorët duhet të marrin masa për licencimin dhe respektimin e kushteve të reja./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb