VLORE– Një aksident i frikshëm rrugor ka ndodhur paraditen e sotme në autostradën Vlorë-Levan në afërsi të mbikalimit dalës. Dy të rinj kanë mbetur të plagosur rëndë, pasi automjeti tip “Mercedes Benz” me targa “AA859 EV” me të cilin udhëtonin është përmbysur në rrugë, rapoton për BalkanWeb, gazetari Enrik Mehmeti.

Automjeti tip “Benz” me targa AA 859 EV ka qenë duke lëvizur në drejtim të Vlorës me shpejtësi. Në krah të autostradës ka qenë i parkuar një mjet i mirëmbajtjes së rrugës, i cili edhe pse kishte sinjalistikë, nuk është arritur dot të evitohet nga ana e drejtuesit të “Mercedesit”.

Për pasojë mjeti është përplasur me mjetin e mirëmbajtjes së rrugës duke u rrotulluar disa herë.

Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur shoferi Julian Toska dhe pasagjeri Florjan Rrapaj, të cilët janë dërguar në spitalin e Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore.

“BalkanWeb”
ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes. Uniformat blu, sakaq, kanë nisur hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Mendohet se shkak i aksidentit ka qenë lëvizja tej normave të lejuara e “Mercedesit”.

Informacion paraprak
Më datë 20.11.2017, Salla Operative Vlorë është njoftuar se në autostradën Vlorë-Levan ka ndodhur aksident rrugor.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes dhe kanë konstatuar se: në afërsi të fshatit Panaja, mjeti tip Benz me drejtues shtetasin J.T., 40 vjeç, është përplasur me mjetin e ndaluar të mirmbajtjes së autostradës.

Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar shtetasit J.T., dhe pasagjeri F.Rr., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb