Ergys Kaçe i ka dhënë fund periudhës së errët që po kalonte, më në fund mesfushori shtatshkurtër është kthyer përsëri në fushën e lojës me skuadrën e PAOK dhe sipas gjasave pritet të vijojë karrierën e tij. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare luajti të mërkurën në ndeshjen e parë të raundit 1/16 në Kupën e Greqisë, duke ndihmuar PAOK-un të fitonte 2-0 në fushën e Panaitolikos.

Kaçe do të vazhdojë të mbetet pjesë e PAOK në vazhdim. Një fakt të tillë e konfirmoi edhe trajneri Vladimir Iviç. “Kaçe është futbollist i yni të cilin e kishim dhënë huazim për 6 muaj, tani u kthye dhe mendoj se mund të na ndihmojë në objektivat që kemi,. Ndaj ne do ta mbajmë këtë futbollist dhe ai do të aktivizohet rregullisht me ne”, konfirmoi trajneri i PAOK-ut pas ndeshjes.

Kaçe e filloi ndeshjen nga pankina, meqë është ende larg formës më të mirë për shkak të javëve pa luajtur në Çeki me Plzen. Por i aktivizuar në minutën e 63 të ndeshjes, ai tregoi vlerat e tij duke shtyrë skuadrën drejt fitores. Në fund, për futbollistin nuk munguan përshëndetjet si nga pjesëtarët e skuadrës, ashtu edhe nga tifozët e PAOK, të cilët i kërkuan atij fanellën në fund të ndeshjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: