TIRANË- Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s Ben Blushi ka folur sot për jetën e tij personale, atë politike dhe letërsinë e tij. Në një rrëfim në “Këndin e ekselencës” në emisionin e mëngjesit Vila24 në News24, Blushi ka treguar edhe arsyet e ‘ndarjes’ së tij me gazetarinë në vitin 1997. Ai ka folur për librat e tij dhe si ndikon letërsia e tij në jetën e tij si politikan.

Zoti Blushi jeni në qendër të vëmendjes si shkrimtar, si politikan, jeni një personazh në dyzim mes politikanit dhe shkrimtarit të suksesshëm. Si e gjeni ekuilibrin mes dy profesioneve dhe sa e ndihmojnë njera-tjetrën?
Kjo është një pyetje që ma bëjnë shumë se si unë gjej një ekuilibër mes politikanit dhe shkrimtarit. Shkrimtari është ambicioz kurse politikani është rebel. Politikani e dëmton letërsinë kurse shkrimtari e bën më të mirë politikën. Këtë zgjidhje kam zgjedhur. Në dëm të letërsisë sime. Më parë kishte demokratë që nuk më lexonin, tani ka edhe demokratë dhe socialistë që nuk më lexojnë, pra janë shtuar.

Si ka ndikuar të qenit djali dhe nipi i një shkrimtari në jetën tuaj?
Fakti që bëj këtë që bëj është edhe për këtë arsye. Jo vetëm në rastin tim, fëmijët ndjekin zanatet e prindërve. Kam përshtypjen po të kisha lindur në një familje që merret me ekonomi do isha bërë biznesmen, apo me sport. Absolutisht që ka ndikuar. Kur isha 2-3 vjeç shikoja babain dhe gjyshin tim duke shkruar.

Është babai lexuesi i parë i librave tuaj?
Jo.

Ose gruaja?
Në disa raste po. Është shumë pak e dobishme. Edhe miqve të mi iu them mos mi jepni sepse do ua ndryshoj tërësisht. Kur shkruaj nuk ja tregoj askujt sepse më duket sikur do më ikë frymëzimi.

Kë nga 5 librat pëlqeni më shumë?
Më pëlqen më shumë libri që nuk kam shkruar akoma. Që nga viti 2005 kam botuar 7 libra.

Kanë elementë biografikë librat e tu?
Nuk e them dot. Unë jam në një moshë të ndërmjetme dhe më duket edhe vetja i ri dhe sikur nuk jam shumë i ri. Në këtë kuptim ka ardhur koha të shkruaj për veten time. Mund të gjesh gjëra të përafërta por nuk jam unë tek asnjëri nga personazhet.

Ju shkruani për të ardhmen, pse?
Nuk është e vërtetë. Në vitin 2008 kam shkruar “Të jetosh në ishull” tregonte se si shqiptarët u konvertuan në myslimanë. Më pas “Otello, Arapi i Vlorës” sërish historik. Pas tij “Shqipëria” që bënte fjalë sërish për mesjetën. Pasi shkrova 3 romanet e para thashë e kam unë aftësinë të shkruaja për të ardhmen? Njëherë kur më kanë pyetur kam thënë se kam frikë se nuk kam aftësinë të përshkruaj shqiptarin e ditëve tona. Ndaj vendosa të shkruaj për të tashmen dhe të ardhmen. Vitin e kaluar shkrova “Kandidati” shumë skenik. Libri i fundit “KM” është projektuar në të ardhmen. Shkrimtari gjithë kohën eksperimenton. Në radhë të parë me veten.

Çfarë natyre jeni përtej librave?
Kam arsye të jem pesimist për Shqipërinë. “Hëna e Shqipërisë” nuk është roman, është një libër që projekton Shqipërinë në 20-30 vitet e ardhshme. Jam marrë shumë me çështjen e popullsisë. Shqipëria është një vend që po tkurret.

Çfarë ju bëri të linit gazetarinë dhe të kalonit tek politika?
Në vitet ‘90-‘91 shkruaja si amator. Pastaj nga viti 92-97 shkruaja në shtypin e kohës. Në vitin 97 Shqipëria pati përmbysje ekzemplare. Përmbysja ishte me forcë, çka ishte legjitime. Por kjo solli një ndryshim radikal në Shqipëri, një nga këto ndryshime më ndodhi dhe mua. U futa në politikë, lashë pasionin tim. Fillova të bëj një eksperiment me veten, u futa në administratë dhe më pas në politikë. Vendi ku isha në punë u dogj. Gazeta Koha Jonë u dogj dhe ne ngelëm të gjithë pa punë.

Kush gabon më shumë media apo politika?
Sigurisht politika gabon më shumë dhe populli është i prirur të shohë gabimet e politikës përmes medias.

Kur flasim për rastin tonë, ne jemi në një stad prepolitik. Kemi një traditë të shkurtër dhe të kufizuar në politikë dhe në shtypin e lirë. Gabimet e medias i shtohen gabimeve të politikës dhe kjo është arsyeja që krijohet ky perceptim tek publiku.

A mendon Blushi të ketë një revolucion demokratik në 2017-ën?
Unë jam përpjekur që Shqipëria të ndryshojë me mjete politike. Nuk duhet ta çojmë konfliktin tonë deri në revolucion.

A mund të ketë një revolucion në Shqipëri?
Mund të ketë shumë të rinj që të përpiqen ta ndryshojnë me mjete të tjera politikën.

Mendoni se do ketë zgjedhje të lira?
Shpresoj por nuk kam besim. Pas zgjedhjeve pesimizmi në Shqipëri nuk ka gjasa të zbehet, do shtohet. Sido që të dalin zgjedhjet. Pesimizmi nuk ka gjasa të zbehet.

Ka në politikë vit me 3 stinë, pas këtij pasazhi që ndoqëm.

Blushi: Ky pasazh nuk ka lidhje, në politikë ka një dekadë që ka vetëm një stinë, aktualisht kemi kapërcyer vjeshtën dhe jemi në dimër politik.

Libra çfarë është?

LIBRA është një projekt politik që do të ndryshojë Shqipërinë. Sot LIBRA ka 600 anëtarë online dhe shumë të paregjistruar. Regjistrimi mund të kryhet online përmes Libra.al. Pas kësaj ti je një kandidat potencial për të garuar. Ka çdo ditë njerëz që vijnë tek LIBRA pasi shohin çfarë është LIBRA dhe më pas vendosin. Dikush merret me programin, dikush tjetër me organizim. LIBRA merr përsipër të mbështesë shtresat e varfra dhe të mesme.

Personazhi i dytë në LIBRA është Mimoza Hafizi, kush mund të jetë tjetër një personazh i njohur?
Unë jam duke u përpjekur të ndihmoj LIBRA-n për shkak të mundësisë që kam, pasi mund të flas ne parlament. Kur mos jem unë LIBRA do jetë edhe më i madh. Është një projekt që do ekzistojë, pasi brezat do e rrisin.

Simboli LIBRA, si mund të realizohet lidhja, pasi shtresa e mesme dhe e varfër nuk mund të realizojë lidhjen? Ku qëndron më afër LIBRA?
LIBRA nuk është një elitë, por përfaqëson njerëz të zakonshëm,, LIBRA është lista e barabite. LIBRA do të thotë dije, pra libër. Do të thotë liri, ekuilibër dhe peshore, pra drejtësi. Kemi menduar rreth 2 muaj se çfarë emri do të vendosim. E verdha është ngjyra e optimizmit dhe shpresës.

LIBRA mund të ishte një personazh në librat tuaj?
Jo nuk besoj, LIBRA ka projekt tokësor dhe synon që të nxisë progresin.

Një nga gjerat aktuale është arrestimi i Hardinaj, kush është arsyeja e arrestimit sipas jush?
Haradinaj nuk mendoj se do ekstradohet në Serbi. Ky është një presion që i bëhet politikës në Kosovë. Kanë gjetur një kleçkë që është konsumuar, pasi ai është shpallur i pafajshëm nga Haga. Kosova ka shumë presion ashtu si Shqipëria për të ndryshuar.

Në Kosovë sot do bëhet tubim për Haradinajn, po në Shqipëri?

Ne duhet të jemi më diplomatik, Shqipëria do bëjë të veten me aq sa mundet.

Keni bërë një kritikë të vazhdueshme ndaj Ramës, ka ndonjë gjë që doni të shprehni?

Unë kam bërë fushate me PS dhe kam miq, por unë nuk po flas kundër socialistëve, por kundër Rilindjes. Rilindja nuk është Partia Socialiste. Kur një vend pushtohet atij i hiqen të drejtat. Unë kam ikur pasi u hoq e drejta e votës. Ika me dëshirë, pasi mu hoq një e drejtë themelore. Unë kam bërë betejë për të drejtën time.

Kam dëgjuar se ju jeni larguar nga PS se Rama nuk ju bëri ministër?
Këto gjera i kam kapërcyer. Nuk është beteje karriere, pasi nëse do ishte do rrija tek Rilindja. PS është parti legale, ku pranoi të pushtojë nga nevoja për të ardhur në pushtet. PS na la pa statusin kandidat. E dini pse nuk u hapen negociatat? Një nga arsyet ishte se Shqipëria ka probleme me kanabisin.

Kush është libri juaj i preferuar?
Nuk kam shumë kohë, nuk jam lexues shumë i rregullt.

Kush është një libër që mund të na sugjeroni?
Është një libër interesant, në mos gaboj titullohet ‘Në Tehun e Briskut’

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: