BEOGRAD- Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov ka kritikuar Bashkimin Europian për pasivitetin që po tregon, sipas tij, ndaj thirrjeve për formimin e “Shqipërisë së Madhe”. Në konferencën e përbashkët në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ministri rus Lavrov foli edhe për fuqizimin e faktorit shqiptar ne Maqedoni, duke pretenduar për shkelje të Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk mund të mos na brengos pasiviteti i Bashkimit Evropian për platformën e Tiranës dhe nismat e tilla që pa fshehur bëjnë thirrje për formimin e Shqipërisë së madhe. Kur në Maqedoni ishin zgjedhjet dhe më pas u zgjodh kryetari i Parlamentit, ai u fut në zyrë dhe vuri në tavolinën e tij flamurin shqiptar. Kryeministri Rama me krenari deklaroi se ka inicuar ligjin për gjuhët në parlamentin maqedonas për t’i dhënë gjuhës shqipe status shtetëror duke shkelur marrëveshjen e Ohrit”, tha ai.

Duke u ndalur te kërkesa e bërë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, se edhe Rusia duhet ta njohë pavarësinë, numri një i diplomacisë ruse deklaroi se “Thaçi do të duhet të merret me çështjet e veta, pasi është i akuzuar për krime lufte. Rusia nuk do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën dhe nuk do ta njohë pavarësinë e saj”.

Sakaq, ai tha se “Nëse SHBA do të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Rusia nuk do të qëndrojë mënjanë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb