CERRIK– Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Bashkinë e Cërrikut ku u prit nga Kryetari Bashkisë, Altin Toska, autoritetet vendore, deputetë të Elbasanit e qindra banorë, ish-partizanë e partizane dhe të afërm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Presidenti Meta mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të themelimit të Batalionit partizan të Dumresë. Pasi vendosi një kurorë me lule në lapidarin kushtuar kësaj ngjarjeje historike, Presidenti i Republikës përshëndeti të pranishmit duke u shprehur:

“Është një kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në këtë përvjetor jubilar, të 75-vjetorit të themelimit të Batalionit të Dumresë, të një formacioni mjaft të rëndësishëm partizan të të gjithë kësaj krahine, por edhe të të gjithë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Ishte kënaqësi të takohesha me djalin e komandantit të këtij Batalioni, Petrit Hakani, i cili është këtu dhe jam i sigurt që shumë të tjerë, fëmijë të partizanëve dhe dëshmorëve e të këtyre veteranëve, janë të pranishëm.

Shumica e partizanëve dhe partizaneve që e krijuan këtë Batalion ishin normalistë, në moshën më të bukur, kur njeriu thur ëndrrat më të bukura, dhe ëndrra e tyre ishte liria e Shqipërisë, sepse pa lirinë nuk mund të ndërtohet asnjë ëndërr tjetër. Por ata e realizuan atë me sakrifica të panumërta, me gjakun e tyre.
6cc46546-a6ff-4865-a391-b8b3590908ed
Me të drejtë ngrihet shqetësimi sot që kjo Luftë duhet mbrojtur, sepse duhet mbrojtur vepra dhe produkti që ajo solli. E theksoj edhe njëherë se pa 29 Nëntorin e vitit 1944, ne nuk do të kishim mundësi as të gëzonim, dhe as të festonim përvjetorët e 28 Nëntorit të vitit 1912. Të gjithë duhet ta dinë se Konferenca e Paqes në Paris ka qenë një përplasje mjaft e fortë midis atyre që kërkonin ta rreshtonin Shqipërinë si palë humbëse në Luftën e Dytë Botërore, dhe mes atyre, të cilët e mbrojtën Shqipërinë si palë fituese në Luftën e Dytë Botërore. Dhe ata e mbrojtën me gjakun, me sakrificat, me provat e panumërta që dha populli shqiptar dhe në radhë të parë Lufta Antifashiste Nacional- Çlirimtare.

Në duhet të jemi krenarë në këtë drejtim dhe duhet t’u jemi gjithmonë mirënjohës atyre që dhanë gjithçka, edhe gjënë më të shtrenjtë: rininë e tyre, për të shpëtuar të ardhmen e Shqipërisë. Ashtu sikurse ndihemi krenarë që sot jemi anëtarë të NATO-s. Jemi edhe shumë pranë çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo ka qenë një ëndërr e dëshmorëve dhe e partizanëve tanë, sepse edhe themelet e Evropës së Bashkuar që u hodhën pas asaj lufte, u bazuan te liria dhe në radhë të parë, te vlerat e antifashizmit.
3c6df024-3594-4a9f-8c7a-45773e9a2650
Sot është momenti të përulemi me respekt dhe mirënjohje të thellë edhe para dëshmorëve të shumtë e të jashtëzkonshëm, që dha edhe Batalioni i Dumresë, që nga zëvendëskomandanti Siri Kodra, i cili ra përkrah Reshit Çollakut, e shumë figurave të tjera në një nga betejat më heroike: atë të Pojskës. Edhe Ptoleme Xhuvani, Spiro Gjiknuri, Naum Panxhi e shumë e shumë të rinj e të reja, të cilët dhanë gjithçka për lirinë e Shqëipërisë.

Njëkohësisht dua të përgëzoj edhe Kryetarin e Bashkisë, zotin Altin Toska dhe Bashkinë e Cërrikut për këtë organizim e vëmendje që i kushtojnë këtyre ngjarjeve historike që kanë ndodhur në këtë trevë! Dhe këtë kujdes duhet ta tregojmë për të gjitha ngjarjet, sepse ato përbëjnë jo vetëm historinë tonë, por përbëjnë themelet tona për një të ardhme gjithashtu më të sigurt evropiane.

Me këtë rast dua të apeloj për një bashkëpunim të ngushtë të të gjithëve jo vetëm në përkujtimin e ngjarjeve të tilla, por edhe të kujdesemi më shumë edhe për monumentet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për gjithçka që lidhet me nderimin dhe kujtimin e të rënëve, por edhe të gjithë partizanëve dhe partizaneve. Gëzuar këtë festë! Mbarësi të gjithëve dhe jetë të gjatë të gjithë atyre veteranëve, të cilët kanë ende mundësinë të festojnë me ne!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: