Nga Jeton Selimi
Lionel Mesi përballë Kristiano Ronaldos. Kjo është sfida ndërmjet dy yjeve të futbollit botëror, që mbrëmjen e së shtunës do të nxehë “El Clasico”-n në “Nou Camp”. Një duel që vështirë se do të jetë përcaktues për titullin, me Barcelonën që duket e pandalshme drejt triumfit, por që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Zinedine Zidan. Një sfidë speciale kjo për Zizun, që në El Clasico-n e parë si trajner do të ketë përballë Luis Enrikuen, pas debatit të ashpër në fushë 13 vjet më parë, kur ishin protagonistë në të njëjtat skuadra, por si futbollistë. “Nou Camp” është gati për të festuar dhe tifozët shpresojnë të përjetojnë një tjetër triumf, pas suksesit 4-0 në fazën e parë të kampionatit, që i kushtoi stolin Rafa Benitez. 10 pikët avantazh që katalanët kryesues në La Liga kanë nga rivalët e përjetshëm janë tregues i diferencës ndërmjet dy skuadrave në këtë sezon, por në El Clasico mund të ndodhë gjithçka. Kjo është supersfida e parë pas ndarjes nga jeta e Johan Krujfit dhe Barça kërkon të vazhdojë ta nderojë legjendën e klubit, me një fitore përballë Realit. Në orën 20:30, blaugranat e Mesit, Luis Suarezit e Nejmarit nisen favoritë. Jo sepse treshja sulmuese e madrilenëve me Bejl, Benzema e Kristiano Ronaldo vlen më pak. Diferencën e bën rendimenti. Luis Enrike e ka shndërruar tiki-takan e Guardiolës në një mënyrë loje më vertikale. Në anën tjetër, Reali mbetet peng i tekave të presidentit Florentino Perez. Ndryshimet e shpeshta të trajnerëve ndikojnë që skuadra të mos ketë vazhdimësi, duke bërë që kualiteti dhe talenti i jashtëzakonshëm që skuadra zotëron, të jetë i çrregullt në fushë dhe të mos marrë më të mirën.

Shifrat
Real Madridi është mundur në fazën e parë në “El Clasico”, 0-4 dhe këtë radhë do të kërkojë të mbështetet te historia për të siguruar hakmarrjen. Në totalin prej 230 takimesh mes tyre, gjigantët e futbollit spanjoll kanë dhuruar gjithnjë spektakël e emocione, dhe më së shumti derbi është dominuar nga Real Madridi. “Los Blancos” e kanë fituar derbin spanjoll plot 92 herë përballë rivalit të tyre historik, dhe kjo është një shifër pozitive që mund të motivojë më shumë madrilenët për të fituar në “Camp Nou”. Barça nuk do i hedh sytë aspak nga historia, pasi aktualisht gëzon një sulm të frikshëm që në “Camp Nou” nuk njeh asnjë kundërshtar. Sa për kuriozitet, në vitin 1943, Real Madridi në fushën e tij e ka shkatërruar 11-1 Barcelonën, por ato kohë tashmë kanë mbetur në dollapin e historisë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb