NGA Zonja Vjollca
Përbërësit
500 gr miell
Pak kripë
1 kokërr vezë
2 lgj vaj, ujë

Mbushja:
1.2 kg mish
3-4 kokrra qepë
4 lgj vaj ulliri
Kripë, piper i zi
Pak nenexhik
Pergatitja
Në një tas hedhim njëri pas tjetrit miellin, kripën, 1 vezë, 2 lugë vaj dhe ujë. I përziejmë mirë duke formuar një brumë për petë byreku. E mbulojmë brumin dhe e lemë të qetësohet për 20 minuta dhe më pas hapim petët.

3-4 petë i lemë të njoma dhe i mbulojmë të mos thahen, petët e tjera i pjekim dhe i copëtojmë.

Ndërkohë lajmë pulën dhe pasi e presim në copa e vemë për të zjerë derisa tuli të shkëputet nga kocka. E largojmë pulën nga zjarri dhe e lemë të ftohet. Ndërkohë në një tigan me vaj ulliri kaurdisim qepët të prera në kubikë derisa ato të zverdhen pak. Më pas shtojmë lëngun e mishit afërsisht 800 ml – 1 litër lëng pule dhe e lemë qepën te ziejë duke rregulluar shijen me kripë dhe piper të zi. Në fund para se të spërkasim petët mund të shtojmë pak nenexhik nëse e preferoni.

Mishin e ftohtë e qërojmë nga lëkura dhe e copëtojmë në fije me duar. Lyejmë tepsinë me pak gjalpë, vendosim në të një petë të njomë, e lyejmë me pak gjalpë dhe shtrojmë përsëri një petë tjetër të njomë. Shpërndajmë mbi to më pas copa petësh të pjekura duke i spërkatur mirë me gjalpë. Përhapim mbi petët e pjekura copëzat e mishit në të gjithë sipërfaqen, më pas hedhim një garuzhde lëng pule duke spërkatur komplet sipërfaqen. E mbulojmë përsëri me petë te pjekura të copëtuara, shpërndajmë përsëri copëza mishi duke i spërkatur me lëng mishi. Kështu vazhdojmë deri në përfundimin e përbërësve. Në fund e mbyllim byrekun me një petë të njomë, mbledhim anët, e spërkasim sipërfaqen me pak gjalpë dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-35 minuta.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: