Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar… Të gjithë i njohin yjet më të mëdhenj të futbollit, por a e dini se sa paguhen për të luajtur në Kupën e Botës 2018?

Siç është tipike me FIFA-n, përgjigjja është e ndërlikuar. Shuma totale që Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka vënë si shpërblim për 32 skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës është 400 milionë dollarë. Në fund të Kompeticionit, fituesja e Kupës së Botës do të shpërblehet me 38 mln dollarë, finalistja 28 mln, kurse skuadra që do të renditet e treta, 24 mln.

Shpërblime jo të barabarta
Bëhet fjalë për shifra të larta. Sipas USA Today, në një artikull në vitin 2014, shpërblimet u jepen federatave të skuadrave fituese, që mund të vendosin t’i paguajnë futbollistët sipas pëlqimit të tyre. Kjo do të thotë që fitorja e Kupës së Botës varion nga një vend tek tjetri, shkruan “monitor” referuar të dhënave nga “money magazine”.

German Football Association bëri të ditur në dhjetor që secili prej lojtarëve të Kombëtares gjermanes do të marrë një bonus prej 350.000 eurosh (rreth 400,000 dollarë) nëse Gjermania do të fitojë Kupën e Botës Rusi 2018. Bonuset ndryshojnë në varësi të ecurisë së ekipit në kompeticion. Nëse Gjermania kualifikohet në gjysmëfinale, çdo futbollist do të fitojë 125.000 euro ($145.000); nëse mbijetojnë deri në çerekfinale, 75.000 euro ($87.000). Nëse nuk do të kualifikohen në fazën e grupeve, nuk do të marrin asnjë shpërblim.

Diskutimi ndryshon për Brazilin, ku çdo futbollist do të përfitojë 800.000 euro (rreth $930.000) nëse Brazili fiton Kupën e Botës Rusi 2018 – sipas Reuters.

Futbollistët spanjollë janë në një pozitë më të mirë – nëse Spanja fiton Kupën e Botës, çdo lojtar do të fitojë 825.000 euro (më shumë se $950.000).
Çdo ekip gjithashtu përfiton nga FIFA 1,5 milionë dollarë për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror.

Probleme me pagesat
Por paratë mund të shkaktojnë edhe probleme. Në vitin 2014, mosmarrëveshjet me pagat shkaktuan probleme te disa vende afrikane. Katër vjet më parë, skuadra e Kamerunit refuzoi të hipte në avion drejt Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil, pasi lojtarët mendonin se bonusi prej 61.000 sterlinash ishte shumë i ulët. Futbollistët e Nigerisë bojkotuan seancat stërvitore, pasi mendonin se nuk do të paguheshin. Ganezët kërcënuan se nuk do të merrnin pjesë në një ndeshje nëse futbollistët nuk parapaguheshin me para në dorë – gjë që detyroi qeverinë të hipte në avion 3 milionë dollarë në rrugën drejt Brazilit.

Këtë vit, as Gana dhe as Kameruni nuk marrin pjesë në Kupën e Botës Rusi 2018. Por FIFA i ka dhënë Nigerisë dhe katër kombëtareve të tjera pjesëmarrëse 2 milionë dollarë paradhënie, në mënyrë që të shmangin çdo incident që lidhet me paratë përpara nisjes së Kompeticionit.

Të fitosh Kupën e Botës nuk është vetëm një çështje parash
Vitin e kaluar, presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Reinhard Grindel, tha para gazetarëve, se edhe pse shpërblimet janë padyshim një stimulim, “Sfida sportive është objektivi kryesor, dhe jo aspekti ekonomik”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb