LUSHNJË- Demir Hoxha, mësuesi i akuzuar për përdhunimin e nxënëses 11-­vjeçare, ka dhënë dje brenda ditës dy dëshmi kontradiktore. Fillimisht në sallën e gjyqit që u zhvillua dje në Lushnjë, me dyer të mbyllura, ai mësohet se ka mohuar të ketë abuzuar seksualisht me të miturën. Por, pak orë më vonë, në një seancë tjetër pyetësore, 62­-vjeçari ka pranuar se ka kryer dy herë marrëdhënie me dhunë me nxënësen e tij, në ambientet e klasës së pestë, në shkollën “Hysen Malko” të Divjakës.

Seanca për masën e sigurisë ndaj mësuesit të arrestuar mbrëmjen e së martës u krye dje në Gjykatën e Lushnjës, pa praninë e familjarëve apo të medias. Të pranishëm në godinë ishin të gjithë fëmijët e mësuesit Hoxha dhe të afërm të tij, përveç të shoqes. Ata janë detyruar të qëndrojnë në pjesën e jashtme të sallës, ndërsa prisnin që të merrej masa e sigurisë për të. Asnjë prej tyre nuk e ka pritur që gjykata do ta linte në burg njeriun e tyre.

“Është gjithçka e sajuar. Dikush e ka mësuar vajzën që të denoncojë babain tonë. Ai nuk e ka bërë kurrë këtë gjë”, thoshin dje fëmijët e Demir Hoxhës në ambientet e gjykatës. Ashtu si dhe dy ditët e para pas arrestimit, familjarët kërkonin që i arrestuari t’ua pohonte me gojën e tij nëse e kishte përdhunuar nxënësen 11­vjeçare. Por, kur doli nga salla e gjyqit, mësuesin e akuzuar për abuzim askush nga ata nuk arriti ta pyeste. Ndërkohë, Demir Hoxha u kthye me pranga në qeli, pasi Gjykata i pranoi provat e paraqitura nga Prokuroria.

MËSUESI: PO, E PËRDHUNOVA DY HERË

Demir Hoxha, për 30 minuta që qëndroi brenda sallës së gjyqit, ka deklaruar se nuk kishte vërtetësi akuza e ngritur ndaj tij. Prokurorja e çështjes lexoi në sallë akt­akuzën dhe provat që çuan në pranga mësuesin. Ajo kërkoi masën e sigurisë me burg për 62­vjeçarin, duke deklaruar se është marrë dëshmia e vajzës së mitur, si dhe përgjimi i bërë në ambientet e komisariatit, ku mësuesi u vu përballë nxënëses. I pyetur nëse e pranon akuzën, Demir Hoxha ka këmbëngulur se nuk ishte e vërtetë. “Pse më akuzoni kot mua? Çfarë i kam bërë unë asaj?”, ishin fjalët e mësuesit, baba i 6 fëmijëve të rritur.

Burri nga fshati Zharnec i Divjakës nuk ka pranuar në asnjë moment se ka kryer veprime abuzive me të miturën. Por, në fund të procesit, gjyqtarja ka kërkuar lënien e tij në burg deri në fund të hetimit. Familjarët kërkuan largimin e avokatit që kishin zgjedhur, pasi mësuan se Demir Hoxha u la në burg. Por, këtu nisi dhe seanca tjetër, që solli konfirmimin nga ana e mësuesit të përdhunimit. Me zgjedhjen e një avokati kryesisht është krijuar një tjetër seancë pyetjesh, në prani të institucionit të Prokurorisë dhe Policisë.

Mësuesi, përballë provave që i janë vendosur ballazi, ka pranuar të rrëfehet. “Po, e kam përdhunuar dy herë. Një herë në janar dhe një herë në maj”, deklaroi ai. Duket se dëshmia e dytë, e bërë jashtë ambienteve të Gjykatës dhe larg vëmendjes së familjarëve, ka sjellë pranimin e akuzës nga ana e mësuesit. Në orët e pasdites së djeshme, ai është transferuar për në ambientet e burgut të Rrogozhinës.

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: