SHKODËR- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka qenë sot në Shkodër, ku ka marrë pjesë në përurimin e një biznesi fason. Krah tij është shfaqur edhe kandidatja e maxhorancës për kryetare e Bashkisë së Shkodrës, Keti Bazhdari. Në fjalën e rastit, kryeparlamentari Meta tha se iniciativa të tilla të guximshme do ti shërbejnë jo vetëm Shkodrës dhe uljes së varfërisë por gjithë vendit për të hyrë në rrugën e një zhvillimi të vrullshëm.

“Për mua është një kënaqësi e veçantë të jem sot në këtë fabrikë të re, të standardeve të larta, evropiane. Jam shumë i lumtur që shoh gjithnjë e më shumë në Shkodër, këtë shpirt të sipërmarrjes, guxim dhe vizion që na rrit shpresat se kjo frymë e re mes atyre që mbartin këtë vizion dhe kurajë për ndryshim do të bëjë që Shkodra ti zgjojë potencialet e saj ende të fjetura dhe të hyjë në rrugën e një transformimi të madh që do të bëjë të mundur që varfëria të mos jetë më pjesë e shkodranëve. Ky shpirt sipërmarrjeje duke patur më shumë mbështetje nga qeveria dhe pushtetit vendor do ti shërbejë të ardhmes së Shkodrës. Përshëndetjet më të mira për përfaqësuesit e kompanisë. Do të kenë mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë dhe parlamentin, me ligje më të mira për ta lehtësuar dhe mbështetur punën e tyre. Sepse kjo punë do të bëjë të mundur që Shkodra dhe gjithë Shqipëria të hyjnë në rrugën e një zhvillimi të vrullshëm”, tha Meta.

Nga ana tjetër Bazhdari ka përgëzuar të gjitha ato gra që punojnë në biznesin fason si dhe ka falënderuar kryetarin e kuvendit dhe deputetë të Shkodrës për kontributin që japin në mbështetje të këtij biznesi. “Ju përgëzoj edhe si qytetare për punën e palodhur që bëni prej vitesh. Falënderoj kryetarin e Kuvendit, zotin Ilir Meta, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të cilët japin kontributin e tyre maksimal në mbështetje të biznesit”, tha Bazhdari.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: