TIRANE– Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka thënë se duhet një dialog mes palëve politike për të zgjidhur krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Gjatë një interviste për ‘Ora News’ Meta tha se duhet dialog politik proaktiv, larg ultimatumeve të cilat nuk e ndihmojnë dialogun dhe nuk ndihmojnë krijimin e një klime mirëkuptuese dhe zgjidhëse të problemeve.

INTERVISTA:

Z. Meta a ndodhet vendi në një krizë politike në kushtet kur partitë opozitare i kanë bërë kërkesë në KQZ për mospërfshirjen në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit?

Unë besoj se të gjithë qytetarët shqiptarë janë të interesuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në këtë drejtim çdo kontribut është mjaft i domosdoshëm edhe i mirëpritur edhe nga opozita e cila ka ngritur këto shqetësime në mënyrë të vazhdueshme.

Në fakt është një traditë në vendin tonë që gjithnjë opozita ngre shqetësime të mëdha përpara zgjedhjeve dhe kjo nuk është opozita e parë që e bën këtë gjë. Ka ardhur koha që Shqipëria ta pastrojë një herë e mirë temën e zgjedhjeve me probleme.

Kjo kërkon një dialog politik proaktiv, larg ultimatumeve të cilat nuk e ndihmojnë dialogun dhe nuk ndihmojnë krijimin e një klime mirëkuptuese dhe zgjidhëse të problemeve. Dhe shpresoj që opozita të jetë më aktive gjithashtu për zhvillimin e këtij dialogu dhe jo ta ndërpresë atë në mënyrë të njëanshme dhe jo shumë të dobishme do të thosha.

Me një opozitë e cila kërkon të mos përfshihet në zgjedhje dhe që proteston, si do të jetë ecuria e procesit të Vetting-ut dhe reformës në drejtësi?

Padyshim që këto të dyja këto janë çështje themelore, dhe çështja e zgjedhjeve dhe vazhdimit të reformës dhe zbatimit të ligjit të Vetting-ut. Dhe në këtë drejtim prandaj e theksoj që duhet një dialog më proaktiv dhe bashkëpunues, sepse ky është vendi i të gjithëve, jo i disave, as i mazhorancës, as i opozitës.

E theksoj, duhet ta pastrojmë një herë e mirë temën e zgjedhjeve dhe e problemet që ato kanë patur në të kaluarën dhe duhet t’i parandalojmë për të ardhmen, pasi cenimi i zgjedhjeve, aq më keq dështimi i tyre, do të ishte një pengesë dramatike për të ardhmen e stabilitetit të vendit, sepse për integrimit evropian nuk bëhet më fjalë.

Dhe unë besoj që të gjithë të reflektojnë dhe të punojnë për të ndërtuar ura dialogu, komunikimi, dhe unë edhe si Kryetar i Kuvendit do të bëj çdo gjë dhe jam i hapur për të dhënë këtë kontribut, ta pastrojmë një herë e mirë këtë histori.

Dhe padyshim që të vazhdojmë zbatimin e reformës në drejtësi. sepse kjo është themelore për sundimin e ligjit në vendin tonë dhe në këtë drejtim të dyja janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën, sepse kanë të bëjnë me kredibilitetin e institucioneve dhe shtetin e së drejtës së vendit tonë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: