*Meta: Ka përpjekje për të dëmtuar imazhin e LSI
* Meta: Asnjë mbështetje për abuzuesit me detyrën, s’do ketë tolerime
*Meta: Bashkë me NATO-n e BE jemi në luftë me terrorizmin. Islami predikon paqe dhe harmoni

TIRANË- “Jam krenar që asnjë kandidat i LSI për kryetar bashkie apo deputet që për të qënë i pari apo i dyti apo i treti në listë ka paguar lekë nën dorë apo mbi dorë te partia e kështu me radhë me të gjithë të tjerët, ashtu sikurse dëgjojmë që flitet lart e poshte se kërkojnë lekë për partinë e përralla të tjera të cilat nuk janë gjë tjetër veçse abuzime të indivdiëve të caktuar që kërkojnë para për veten e tyre.
Keshtu u shpreh Ilir Meta në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar, ku ka shprehur kënaqësinë e tij për arritjen e konsensusit për dekriminalizimin. Meta u shpreh se pas dekriminalizimit dhe miratimit të reformës në drejtësi do të ketë çelje të negociatave.

“Shpreh kënaqësinë për arritjen e konsensusit për proçesin e dekriminalzimit më në fund. Kjo është një problematikë që mund të ishte evituar, duke vendosur standarde më të forta të përfaqësimit publik. Kësaj do ti shërbejë edhe vetë realizimi i reformës në fushën e drejtësisë. Dekriminalizim, reforma në drejtësi dhe hapje negociatash. Me përpjekje edhe më të mëdha dhe më konsensuale. Do realizojmë reformën në drejtësi pasi të vijnë edhe opinionet e Komisionit të Venecias. Jo vetëm për të luftuar në themel korrupsionin dhe krimin e organizuar, por në mënyrë të veçantë si detyrim që qytetarët të marrin drejtësi duke i dhënë fund kalvarit të tyre nëpër gjykatat e vendit. Pra, për të ndërtuar një sistem të besueshëm efektiv dhe llogaridhënës. Do të ecim edhe më shpejt në këtë drejtim”.

Kreu i LSI u ndal sërish tek nisma e kësaj partie për të bërë publike mënyrën e financimit dhe shpenzimet për çdo aktivitet, të cilat do të publikohen në faqen online.

“Grupi parlamentar dhe ekspertë e të gjitha fushave do të jenë të angazhuar në mënyrë aktive dhe krijuese, duke respektuar objektivat makroekonomike të këtij buxheti.

Kryesia e LSI ka miratuar një platformë për transparencën. Jo vetëm të financimit të partisë por në një kuptim më të gjerë. Ne besojmë se sistemi politik në vend e ka detyrim të domosdoshëm transparencën e plotë të mënyrës sesi funksionon. Në mënyrë që qytetarët të jenë të bindur se kjo nuk është një mënyrë e dyshimtë. Nuk mund të bëhet politikë e pastër me forma të dyshimta financimi.
Jemi të hapur për të bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile që kanë në fokus transparencën dhe punojnë për të arritur këtë.
Edhe buxheti për vitin e ardhshëm është bërë tashmë publik në faqen online të LSI. Ky është një detyrim që duhet ta kishim bërë prej kohësh, edhe ndaj jush, edhe ndaj anëtarëve e simpatizantëve të LSI, që duhet ta dinë sesi shpenzohen fondet që ka në dispozicion kjo parti.
Duke filluar prej disa ditësh, çdo aktivitet i LSI do të jetë transparent, dhe brenda dy ditëve nga zhvillimi i aktivitetit do të bëhen publike shpenzimet për aktivitetit. Në ato aktivitete ku do marrë kryetari i LSI, do të bëhen publike më përpara. Ne e duam shumë transparencën”, tha Meta.

Ai sakaq u shpreh se ka një përpjekje për të dëmtuar në mënyrë të padrejtë imazhin e kësaj partie për arsye politike
“Ka përpjekje për të dëmtuar imazhin e LSI në mënyrë të padrejtë për arsye politike.
Përgjigja jonë ndaj gjithë atyre që janë të shqetësuar për rritjen e LSI-­së është trasnparencë maksimale dhe në çdo gjë. Goditje pa mëshirë ndaj korrupsionit dhe në radhë të parë kur këto shfaqen tek përfaqësues të LSI”.

Duke u ndalur tek procesi i dekriminalizimit, Meta tha se LSI ka shprehur një qëndrim të qartë lidhur me këtë proces. Meta tha se nuk do të ketë tolerime për çdo anëtar të kësaj force politike që abuzon me detyrën.

“Edhe sa i takon procesit të dekriminalizmit ne kemi shprehur qëndrim të qartë. E kemi për detyre të ngremë standardet e përfaqësimit publik. Për këdo që abuzon me pozicionin zyrtar nuk do të ketë tolerime. Askush nuk do të gëzojë mbrojtjen më të vogël, dhe do të meritojë përbuzjen tonë më të madhe”, u shpreh kreu i LSI.

Meta: Bashkë me NATO-n e BE jemi në luftë me terrorizmin. Islami predikon paqe dhe harmoni
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i kësaj force, njëherësh kryeparlamentari Meta shprehu solidarizim me popullin e Francës pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit, ndërsa e cilësoi terrorizmin një kërcënim për mbarë njerëzimin.

Meta tha se Shqipëria do vazhdojë të jetë krah vendeve të NATO-s e BE në luftë kundër terrorizmit. Nga ana tjetër shtoi se Shqipëria është krenare për harmoninë fetare.

“Pas ngjarjeve të Parisit shprehim vendosmërinë më të madhe. Jemi krenarë për faktin se Shqipëria ka qenë në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit para 11 shtatorit të vitit 2001 dhe vazhdon të jetë në vijën e parë edhe tani, terrorizmi cilësohet si kërcënim edhe për vendin tonë. Por, jemi krenarë për harmoninë fetare ku Shqipëria shkëlqen, do ta zhvillojmë dhe mbrojmë akoma me më shumë pasion se edhe vetë islami predikon paqen dhe harmoninë. Si veni i NATO-s ne do koordinojmë të gjitha përpjekjet tona ku me vendet e NATO-s dhe BE dhe me gjithë ata që kontribuojnë në luftën kundër terrorizmit”.

(ma.ar/el.sp/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: