Kryetari i LSI-së,  Ilir Meta, mori pjesë në një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë në Britaninë e Madhe. Në fjalën përshëndetëse në këtë takim, që u zhvillua në Londër, Meta tha se politika duhet të punojë shumë për ta konsoliduar më tej të ardhmen evropiane të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi kontributin e komunitet shqiptar për vendlindjen.

“Ne si politikanë duhet të punojmë shumë për ta konsoliduar më tej të ardhmen evropiane të Shqipërisë në mënyrë që edhe ju të merrni sa më shumë lame të mira nga vendi ynë, por edhe të afërmit tuaj dhe familjarët tuaj në Shqipëri. Ju keni arritur të kontribuoni për familjet tuaja dhe të investoni që shumë nga të afërmit tuaj gjithashtu të studiojnë këtu”, – u shpreh Kryetari i LSI-së, duke vlerësuar edhe shqiptarët që studiojnë në Britaninë e Madhe si një pasuri të madhe për vendin tonë.

“Kemi një komunitet të jashtëzakonshëm që punon në Londër dhe në Britaninë e Madhe, por kemi edhe një komunitet të jashtëzakonshëm që studion këtu me të rinj shqiptarë që janë integruar. Kjo është një pasuri e madhe për vendin

tonë, që ne duhet ta shfrytëzojmë më mirë sidomos në drejtim të integrimit të gjithë atyre që studiojnë këtu në institucione dhe në të gjithë jetën e vendit pasi sjellin një kulturë të re, sjellin një vizion të ri”, – vijoi Meta.

Kryetari i LSI-së theksoi se politika duhet të jetë më bashkëpunuese dhe të përçojë mesazhe pozitive, ndërsa nënvizoi nevojë për të forcuar dialogun politik në Shqipëri ashtu si edhe forcimin e institucioneve që do të ndikonte në rritjen ekonomike.

“Dua të shpreh edhe detyrimin tonë për të bërë më shumë për emigracionin tonë këtu, por edhe kudo dhe njëkohësisht për të bërë gjithçka që shqiptarë kudo ku ndodhen të jenë sa më pranë njëri-tjetrit. Njëkohësisht edhe të kenë gjithmonë një mesazh pozitiv nga vendi i tyre, gjë që kërkon edhe një politikë pak më bashkëpunuese në Shqipëri. Ky ka qenë dhe mbetet një nga qëllimet tona kryesore që të shërbejmë për të forcuar dialogun politik në vend me qëllim forcimin e institucioneve të vendit tonë dhe njëkohësisht në këtë mënyrë rritjen e mëtejshme të ekonomisë së vendit si një bazë shumë e rëndësishme jo vetëm që të rinjtë tanë të mos mendojnë më për t’u larguar nga Shqipëria, por edhe për të krijuar një mjedis sa më të përshtatëm për kthimin e shumë të tjerëve, të cilët mendojnë se ato eksperienca që i kanë realizuar këtu apo në vende të tjera të munden t’i investojnë në Shqipëri”, – shtoi Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së tha se komuniteti shqiptarë luan një rol shumë të rëndësishëm në një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm, një partner të provuar e një aleat të jashtëzakonshëm siç është Britania e Madhe për Shqipërinë.

“Ju falënderoj për atë kontribut që jepni për forcimin e marrëdhënieve tona me Britaninë e Madhe dhe në këtë mënyrë besoj se ju do të vazhdoni të kontribuoni edhe më tej për t’i mbështetur këto lidhje dhe njëkohësisht për të shfrytëzuar të gjitha lidhjet tuaja këtu dhe për të ndihmuar zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, i cili shoqërohej në këtë takim edhe nga deputeti i LSI-së, Ylli Shehu.

 (e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb