TIRANE -Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ndërpret vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyra për shtyp e Metës bën të ditur se kryeparlamentari po kthehet në Shqipëri për të sqaruar konfuzionin e krijuar gjatë ditëve të fundit, që sipas tij kanë për qëllim prishjen e konsensusit historik parlamentar të 21 korrikut për reformën në drejtësi.

Apeli i fundit i ndërkombëtarëve për miratimin nga Kuvendi brenda korrikut të ligjit “për vettingun” (një nga 7 ligjet e paketës që do të mbështesin zbatimin e reformës në drejtësi), ka vënë në lëvizje palët politike për thirrjen jashtë radhe të një seance parlamentare.

Ndonëse seanca plenare e së hënës ishte parashikuar të ishte e fundit për këtë sesion, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nga SHBA, shprehu gatishmërinë për mbledhjen e parlamentit në çdo moment që kjo do të vlerësohej nga gjithë aktorët e reformës në drejtësi, vendas dhe ndërkombëtarë.

Gjatë së martës, mediat raportuan se Bashkimi Europian kishte këmbëngulur në miratimin brenda korrikut të ligjit “për vettingun”, me argumentin se mund të digjej një fond i akorduar prej tij për këtë projekt.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit të posaçëm janë njoftuar për një mbledhje, që pritet të mbahet sot, ku pritet miratimi i ligjit të “vetting”-ut. Në njoftimin e përcjellë anëtarëve të komisionit thuhet se “kjo ndodh në përgatitje të seancës plenare që pritet të zhvillohet brenda javës”. Por, qëndrimet e kryetarëve të tre grupeve kryesore parlamentare PS, PD dhe LSI, për mbajtjen e një seance të posaçme, janë të ndryshme.

Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, është shprehur se me PS-në është rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. “Në grupin parlamentar të PD-së nuk ka kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”, iu përgjigj Paloka interesimit të mediave për këtë çështje.

Ndërsa kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, vuri në dukje dhe një pengesë kushtetuese, që sipas tij e bën të pamundur miratimin e ligjit të “vettingut”, brenda muajit korrik. “Më 25 korrik ishte seanca e fundit për këtë sesion. Dakortësia ka qenë që 7 ligjet, nuk kanë mundësi kushtetuese të kalojnë këtë sesion, ndërsa sesioni i radhës nis më 4 shtator”, u shpreh Vasili.

Edhe ekspertët e opozitës janë shprehur për disa pengesa, njëra prej të cilave kushtetuese. Sipas tyre, përsa kohë ndryshimet kushtetuese nuk kanë hyrë në fuqi, projektligjet nuk kanë bazë ligjore mbështetëse.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nuk e shikon të pamundur thirrjen e parlamentit, edhe pas mbylljes së sesionit. “Parlamenti është gjithmonë i pambyllur dhe është funksional në çdo kohë. Nëse ka emergjenca në korrik apo gusht, parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë”, u shpreh dje Ruçi.

7 pr/ligjet, në pritje të miratimit nga parlamenti, përbëjnë shtyllat kryesore të reformës kushtetuese dhe procesit të reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në total janë rreth 40 projektligje, shtatë prej të cilave prioritare, pasi kanë të bëjnë me detyrimin për ta bërë të zbatueshëm projektligjin kushtetues, i miratuar me konsensus në parlament, më 22 korrik.

Në fund të punimeve të séancës historike të 21-22 korrikut, ku u miratua reforma në drejtësi, maxhoranca u shpreh për miratimin sa më shpejt dhe në frymën e konsensusit edhe të paketës së 7 ligjeve. Gjithashtu, u miratua shtyrja deri në muajin dhjetor e punës së komisionit të posaçëm parlamentar.

Nevoja per miratimin e shtatë pr/ligjeve, lidhet me ngritjen e disa institucioneve te reja te drejtesise, të parashikuara me miratimin e Kushtetutës së re dhe qe pa kete nuk mund të bëhen efektive. Po ashtu, miratimi i paketës së re kushtetuese krijon një vakuum institucional pasi disa institucione pushojnë së ekzistuari. Kjo do të kërkojë ngritjen e institucioneve të reja, që e kanë të domosdoshme paisjen me ligjet kuadër.

Por gjithashtu, janë disa procese siç është procesi i “vetingut” dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion, Njësisë së Posaçme Hetimore etj, të cilat, kërkojnë detyrimisht miratimin e projektligjeve përkatëse për t’u vendosur në normalitet të nisjes së procesit për fillimin e punës së tyre.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb