LUSHNJE- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me strukturat e Lëvizjes së Gruas për Integrim të qytetit të Lushnjës. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë këtij takimi z. Meta tha se fuqizimi i gruas do të thotë fuqizim i familjes dhe se kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale.

“Fuqizimi juaj është fuqizim i familjes, është investim i drejtpërdrejtë. Një nënë çdo të ardhur më shumë që fiton do ta investojë për shkollën e fëmijës, për mirëqenien e familjes. Forcimi dhe fuqizimi i gruas dhe i nënës është fuqizim i familjes dhe kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë të tronditur gjatë këtyre 26 viteve nga trauma të mëdha sociale, që përjeton vazhdimisht, për një pjesë të mirë të të cilave shkaktare është politika konfliktuale, që nuk merret me zgjidhjen e këtyre çështjeve sociale. Politika ka për detyrë t’ i zgjidhë problemet, t’i pakësojë ato dhe jo t’i shtojë dhe t’i rëndojë”, – tha z. Meta.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Erisa Xhixho, tha se LSI është e vetmja forcë politike që i jep shansin çdo të riu e çdo të reje për të kontribuar me vlerat që ka për Shqipërinë.

“LSI është e vetmja forcë politike që i jep shansin çdo të riu, çdo të reje për të kontribuar me vlerat, me kapacitetin e tij për një qytet më të mirë këtu në Lushnje për një vend më të mirë dhe më të zhvilluar, për Shqipërinë tonë. Fuqizimi ekonomik i gruas është shumë i rëndësishëm për fuqizimin politik dhe social të saj. Prandaj të bëhesh pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim është t’i japësh shansin një gruaje të përfshihet në politikë dhe vendimmarrje”, – deklaroi Xhixho.

Ndërsa, Kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, u shpreh se fuqizimi ekonomik i gruas është një shans për familjen dhe për komunitetin.

“Ky është edhe mesazhi kryesor i LSI-së: t’i mbështesim njerëzit, të mbështesim komunitetin ku ne jetojmë, sepse vetëm këtu ne do të ecim përpara.
LSI ka një slogan shumë të mirë, ndoshta më të mirin nga të gjithë partitë politike, sepse është realisht një shans për të gjithë. Është një shans për fuqizimin ekonomik të gruas, është një shans për familjen, është një shans për promovimin e grave dhe vajzave në politikë”, – tha Gjosha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: