TIRANE- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, njëherësh kryetar i LSI, ka folur sot mbi çështjet më të fundit politike në vend, duke sqaruar se nuk ka plane për asnjë “puç” ndaj Ramës, duke iu referuar kështu takimeve të fundit me Rexhep Mejdanin, dhe Koço Kokëdhimën. Në një intervistë për ABC News, Meta tha se i sheh larg zgjedhjet parlamentare, duke hedhur poshtë mundësinë e një qeverie teknike.

“Nuk e kuptoj pse duhet të interpretuar si një intrigë. Jam shumë i zhgënjyer që ka pasur një vrer ndaj z. Meidani pas këtij takimi. Mediani është një figurë e rrallë sa i takon integritetet që ka një figurë politike. Është një figurë që i ka dhënë shumë Partisë Socialiste. E kishim lënë drekën tek Rogner por të për shmang keqkuptimet e lamë te Grand. Kokëdhima ishte krejt rastësisht dhe që më pas pati dhe një komunikim me mediat, punë e tij”, tha Meta.

Meta tha se nuk ka çarje të koalicionit PS-LSI, ndërsa sqaroi se takimi i tij i fundit me Ramën ka qenë për miratimin e 7 ligjeve pas kalimit të reformës në drejtësi.

“Ne jemi një koalicion që funksionon në mënyrë mjaft konstruktive, të paktën sipas mendimit tim, dhe do të vazhdojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona. Takimet për reformën në drejtësi nuk duhen keqkuptuar”, deklaroi Meta.

Ai shtoi se koalicioni qeveritar ka një marrëveshje si dhe ka mazhorancën e duhur për të përmbushur këtë marrëveshje. “Pastaj lidhur me çështjen për qeveri teknike apo qeveri ekspertësh ka ndodhur një mbivendosje e panevojshme. Kur unë e kam thënë ka qenë zgjidhje në një situatë ngërçi, kur ditët po fironin dhe kishim një afat me BE-në, pasi duhet të përmbyllnim disa procedura për reformën në drejtës. Konsensusi sipas meje ishte mjaft pranë por nuk po merrej përgjegjësia dhe gjithçka ishte për kapërcimin e atij ngërçi”, sqaroi Meta.

Lidhur me reformën në drejtësi, Meta deklaroi se “konsensusi është më i rëndësishëm se reforma”. “Kushtetuta që kishim e vitit 1998 ishte më e mirë se ajo që kemi sot, pasi sot jemi të detyruar të bëjmë lëvizje të sforcuara, të krijojmë institucione të reja, dhe këtë e bëjmë sepse ajo kushtetutë shumë e mirë nuk funksionoi pasi institucionet janë mbushur me njerëz të gabuar”, tha Meta.

Garancia më e madhe për të çmontuar këtë sistem të politizuar dhe të dështuar, sipas tij, është që tí krijojmë këto institucione në një mjedis më të përgjegjshëm politik. “Me më shumë mirëkuptim, politika duhet të qëndrojë më larg drejtësisë, ndaj edhe konsensusi është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi edhe qëndrimin konstruktiv të kreut të PD-së, Lulzim Basha lidhur me reformën në drejtësi.

I pyetur për mundësinë për t’u zgjedhur President, Meta tha se kjo është një çështje që nuk vlen të diskutohet në këto momente.

“Presidenca nuk është një prioritet për mua. Unë nuk bëj zgjedhje personale. Kam qenë kryeministër dhe dhashë dorëheqjen. Çdo politikan duhet të shohë sesi bëhet më e mira për vendin. Kjo është një çështje që nuk ia vlen të diskutohet, madje as te zgjedhjet nuk e kam mendjen sepse i shoh larg, pas një viti”, tha Meta.

INTERVISTA E PLOTE
Një stinë e nxehtë jo vetëm se është verë, por kam idenë edhe një stinë e ngarkuar për ju…
Qëlloi kjo stinë kështu. Ka pasur mjaft ngarkesa. Kishim dhe Kampionatin Europian, ku vendi ynë u paraqit shumë mirë. Patëm edhe sfidën tjetër, atë të reformës kushtetuese për reformën në drejtësi. Mendoj se këtu dolëm edhe më mirë se sa mendohej.

E mbaj mend mesazhin e Komisionerit për Zgjerim, z. Hahn, përpara Kampionatit Europian, ku i bëri thirrje politikës që të gjente mënyrën për ta miratuar këtë reformë me kompromis, me konsensus, në mënyrë që dhe Shqipëria të kualifikohej për në fazën tjetër.

Pra, duke bërë një paralelizëm me Kampionatin Europian të futbollit, ideja ishte që Shqipëria të ecte drejt një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe unë them që jemi në këtë rrugë dhe duhet të qëndrojmë këtu.

Një stinë pak e ngarkuar, duket që reforma në drejtësi pati një moment ku kurba ishte e ngritur. Ishit ju që dolët në një ditë të diel në një konferencë për shtyp, ku përmendët atë që u quajt qeveri ekspertësh. Situata u pështjellua disi, sepse u mendua që do të shkohej deri në zgjedhje të parakohshme me një qeveri tjetër. Si janë marrëdhëniet në koalicionin qeverisës?
Mendoj se marrëdhëniet në koalicion në përgjithësi janë mjaft normale, megjithëse këtu portalet prodhojnë lajme të papara çdo minutë. Nuk e di, por ekziston një dëshirë për të krijuar tensione të panevojshme, ndërkohë që reforma u miratua me më shumë konsensus se sa pritej. Pra, unë kam luftuar që ditën e parë për konsensus, por nuk e kam ëndërruar vërtet për 140 vota pro reformës.

Dhe jo vetëm kaq, por kemi parasysh se jemi dhe në një sezon turistik dhe është e kuptueshme, ku njerëzit bëjnë pushime, sezonit i kushtohet më shumë vëmendje, sepse koalicioni mendoj është në rrugën e tij normale.

E them për koalicionin, sepse, në fakt, keni pasur takime me z. Basha. Duket se ka një lloj zbutjeje me z. Basha. Nuk kam ndër mend të risjell intervistën që dhatë te Zëri i Amerikës, ku për të shprehët një farë vlerësimi…
Unë nuk mund të mos vlerësoj faktin që z. Basha ka treguar një qasje konstruktive, të paktën nga takimi i parë që unë kam zhvilluar më 12 qershor. Nuk e harroj këtë datë, sepse kjo është ditëlindja e Partisë Socialiste, por qëlloi që ishte edhe ditëlindja e z. Basha.

Pra, nga ai takim unë kërkova mirëkuptimin e opozitës për procedurat parlamentare të miratimit të reformës në drejtësi, në mënyrë që të mos fillonim me kontestime, sepse është një histori e gjatë dhe vetëm konsensusi mbylli shumë çështje, të cilat mund të ktheheshin në një pengesë, ose të minonin të gjithë legjitimitetin dhe ecurinë e kësaj reforme shumë të rëndësishme dhe shumë jetike.

Pra, nga ai moment e deri tani qasja e tij mendoj se ka qenë shumë më konstruktive sesa unë kam menduar apo mund të kem paragjykuar për shkak të informacioneve të ndryshme, apo paraqitjes mediatike të pozicionit të Partisë Demokratike.

Dhe kjo nuk ka lidhje me koalicionin PS-LSI, por ka lidhje me reformën në drejtësi dhe reforma në drejtësi është një çështje shumë më e madhe sesa çështja e koalicionit. Mendoj se edhe miratimi i reformës me konsensus është një kontribut për ecurinë më të mirë të këtij koalicioni dhe të vetë qeverisë, sepse është mundësia për të punuar në një klimë politike më të qëndrueshme dhe me më pak tensione, në rast se do të ndodhte e kundërta.

Si po funksionon koalicioni në opinionin tuaj? Do t’ju bëj një pyetje që po qarkullon: a do të ketë zgjedhje të parakohshme, qeveri teknike? Do t’i mbyllni këta 4 vjet së bashku me Edi Ramën në koalicion?
Unë besoj patjetër, për arsye se ne kemi një marrëveshje dhe kemi maxhorancën e duhur për të përmbushur këtë marrëveshje dhe pritmëritë e qytetarëve që e kanë votuar këtë koalicion.

Dhe jo vetëm ata që kanë votuar koalicionin, por qeveria është përgjegjëse, gjithashtu, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, edhe për ata që nuk e kanë votuar, apo nuk do ta votojnë. Kështu që unë besoj se nuk ka asnjë arsye këtu për çështje si qeveri teknike, qeveri ekspertësh. Unë mendoj se ka ndodhur një mbivendosje e panevojshme, sepse kur unë kam bërë një propozim, ju e përmendët, nuk ka qenë në funksion të krijimit të një qeverie ekspertësh, por një zgjidhje në një situatë ngërçi kur ditët po fironin dhe po shkonin drejt datës 21 korrik.

Pra, kishim një afat me Bashkimin Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të përmbyllnim disa procedura. Konsensusi, sipas meje, ishte shumë pranë, por nuk po merrej përgjegjësia për të realizuar këtë konsensus dhe për asgjë mund të sakrifikohej një gjë shumë e madhe. Atëherë, gjithçka ishte në funksion të miratimit të reformës dhe kapërcimit të atij mosbesimi që, sipas meje, dukej te fakti që ndoshta opozita, më shumë sesa çështje konkrete, kishte shqetësimin që kjo qeveri apo kjo maxhorancë, Rama-Meta, do të përdorte ekzekutivin për të ndikuar në kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Por kjo çështje u kapërcye. Partia Demokratike nuk vuri një kusht të tillë. Ajo kishte përmbushjen kryesisht të rekomandimit 88, i cili pothuajse u përmbush dhe çdo gjë vajti shumë mirë. Pastaj qeveria teknike, që ka kërkuar zoti Basha, e ka kërkuar prej kohësh, e ka kërkuar prapë dhe do ta kërkojë prapë.

Opozita gjithmonë kërkon zgjedhje të parakohshme. Mbaj mend vitet ‘92-‘96, kur kam qenë në opozitë për herë të parë me Partinë Socialiste, e cila ajo ishte e papërfillshme për sa i takon peshës në Parlament, pasi Partia Demokratike kishte 80% mos më shumë, ne që 6 muajt e parë kërkonim zgjedhje të parakohshme dhe deri në fund nuk u lodhëm së kërkuari zgjedhje të parakohshme.

E keni përmendur këtë: “Ne jemi në një demokraci të pakthyeshme, ata që sot janë në maxhorancë, mund të jenë nesër në opozitë dhe anasjelltas”.
Patjetër, kjo është e vërteta. Pas 26 vjetësh unë besoj se të gjithë duhet të jemi më pak emocionalë, duhet ta vendosim veten tonë edhe në pozitën e kundërshtarit, sepse ndonjëherë kur je në pushtet ndihesh në një pozitë shumë më komode.

Duket sikur do të jesh gjithmonë, aq më tepër ky politikan, me përvojën që kam, që kam qenë në pozita të ndryshme Kryeministër, tre herë Zv.Kryeministër, në opozitë e kështu me radhë. Mendoj se një ftesë për të gjithë për ta parë veten edhe në pozicionin e kundërshtarit, është e mirë dhe na ndihmon për të qenë më realistë dhe më me këmbë në tokë.

Për të dhënë zgjidhje të qëndrueshme për vendin, sepse ato që sot duken si të drejtat e opozitës ose si garanci të opozitës, nesër do të jenë garancitë e tua.

Ju keni qenë në qeveri me z. Berisha deri në vitin 2013, një nga elementet që u fol gjatë për rrëzimin e z. Berisha, e qeverisë së tij ishte arroganca, por koalicioni në të cilin ju jeni, a mendoni se është arrogant? Qeverisja e Ramës është arrogante në opinionin tuaj?
Unë besoj se në përgjithësi ne shqiptarët duhet të jemi më të përmbajtur në administrimin e pushtetit. Edhe unë kam qenë Kryeministër, mund të kem bërë sjellje arrogante apo të forta, që mund të vijnë edhe nga mungesa e eksperiencës dhe nga dëshira një herë për të demonstruar pushtet, sidomos kur opozita kërkon të të provokojë, por besoj se gjithmonë është më e mirë toleranca sesa arroganca, sidomos kur je në pushtet.

Kush mbizotëron në qeverinë “Rama”, sipas opinionit tuaj, sepse atje janë edhe ministrat tuaj, besoj se e bëni një analizë të punës së qeverisë?
Besoj se sot nuk jemi mbledhur për të bërë një analizë të punës së qeverisë…

Në opinionin tuaj si po funksionon…
… dhe nuk mund ta bëj në mënyrë të nxituar. Unë mendoj se qeveria në tërësi përpiqet të përmbushë angazhimet e saj. Unë gjithmonë kam qenë dhe mbetem partizani i vetpërmirësimit çdo ditë, duke filluar me veten time, në detyrën time, apo si politikan në tërësi dhe me gjithë të tjerët.

Ajo që unë besoj se është më e rëndësishme në vendin tonë është të kuptojmë se nuk kemi kaq shumë energji për të harxhuar për konfliktet, që nuk na ndihmojnë t’i zgjidhim çështjet që ndihmojmë vendin dhe qytetarët tanë sot dhe në perspektivë dhe jemi vend shumë i vogël për të qenë në një luftë të pandalshme të vazhdueshme, mjaft të kushtueshme, e cila reflektohet shumë në shoqëri për shkak të politikës, pra nuk është një luftë që vjen nga poshtë, është një luftë që vjen nga lart, nga deklaratat….

…Për shembull, një deklaratë që qarkullon në media, ndoshta edhe në portalet që ju përmendët, është që ju nuk jeni dakord apo keni një opinion jo të mirë për punën e z. Tahiri, Ministrit të Brendshëm. Madje portalet shkojnë deri aty që mendojnë se një ndër arsyet e konfliktit midis jush dhe Ramës është pikërisht z. Tahiri…
Unë po të merresha me portale ndoshta nuk do të kisha ardhur fare këtu, në kuptimin që portalet atë histori kanë. Unë kam parë gjëra nga më të çuditshmet. Unë asnjëherë nuk shikoj probleme me individë, përkundrazi kam kohë që mbaj distancë nga raportet me individët. Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndërtojnë debate mbi raporte individuale me mua janë të dështuar. Për mua është shumë e rëndësishme të tregohet pjekuri në respektimin e ligjit nga të gjithë dhe në mënyrë të barabartë.

Kemi hyrë në një fazë të re, kemi hyrë në një epokë të re. Në qoftë se duam të jemi vërtet të ndershëm me qytetarët shqiptarë, pra me reformën në drejtësi, kjo do të thotë që të gjithë, nga unë i pari, si Kryetar i Kuvendit, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe të gjithë të tjerët të japin shembullin e respektit ndaj institucioneve, respektit ndaj ligjit, moskeqpërdorimit të pushtetit për arsye politike, për arsye partiake. Nga kjo nuk janë të imunizuar as ministrat e LSI-së, nuk besoj se janë të imunizuar edhe ministrat e PS-së apo të kujtdo force politike nesër.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: