TIRANE- Ezaurimi i dy raundeve të para për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës e ka përforcuar në media por edhe në korridoret e politikës, teorinë sipas të cilës, PS-LSI do i djegin pa kandidat të gjitha raundet për zgjedhjen e Presidentit të ri, me qëllimin e vetëm që ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Sipas kësaj teorie, me ezaurimin me shpejtësi të 5 raundeve pa kandidat për president, fabula apo kauza e opozitës për qeveri teknike do të bjerë, sëbashku me qeverinë “Rama” ç’ka do t’i detyrojë të gjitha palët të hyjnë në zgjedhje.

Por zyrtarisht kjo teori është rrëzuar publikisht nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili në një dalje për mediat pas djegies edhe të raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, deklaroi se “këto raunde nuk do digjen, por po i jepet mundësi opozitës për t’iu bashkuar procesit për zgjedhjen e Presidentit”, duke iu dhënë kësisoj fund të gjitha aludimeve dhe skenarëve se maxhoranca ka një plan për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme duke djegur afatet për zgjedhjen e “Presidentit të Ri”

Meta përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, që sipas tij nuk janë varianti i duhur për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk i shikoj si një variant konstruktiv dhe të dobishëm. Nuk është ky qëllimi për zgjedhje të parakohshme. Synohet përfshirja e opozitës në zgjedhje dhe për zgjidhjen e presidentit të ri”, – sqaroi Meta.

Teksa ka komentuar kërkesën e dorëzuar në KQZ nga PS dhe LSI për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, Meta tha se synimi kryesor është që t’i jepet kohë dialogut me opozitën.

“Çështja kryesore nuk është e koalicionit PS-LSI. Çështja kryesore është e dhënies së një mundësie në kohë PD-së dhe partive opozitare që ende nuk janë regjistruar as si subjekte politike për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. Ky është thelbi kryesor i kësaj iniciative. Sa i takon vendimit që do marrin institucionet, është çështje e tyre”, tha Meta.

Duke theksuar rëndësinë e dialogut opozitë-mazhorancë, Meta tha se është me rëndësi që partitë opozitare t’i bashkohen zgjedhjeve të qershorit dhe të garantohen se ato do jenë të lira e të ndershme.
“Konferenca e Kryetarëve vendosi që raundi tjetër për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet të enjten e ardhshme në 15 :00. Besojmë se është një kohë e mjaftueshme edhe për të mundësuar një dialog të mundshëm me opozitën edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe për të tejkaluar çështjen e gjithë klimës për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme.

Ne po këmbëngulim për bashkëpunim, dialog dhe konsensus me mazhorancën. Besojmë dhe nuk duam të paragjykojmë mënyrën e reagimit dhe gjykimin të opozitës. Besojmë se dhe ata duan një president që vjen përmes konsensusit. Shpresojmë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të garantohen se ato do jenë të lira e të ndershme”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: