TIRANË- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në Kuvend Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare z. Alan Bersin, të cilin e falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit në Shqipëri, dhe veçanërisht për mbështetjen në drejtim të forcimit të sigurisë.

Në këtë kuadër u vlerësua bashkëpunimi dypalësh për forcimin e sigurisë kufitare, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe parandalimit të elementëve terroristë, sidomos në kuadër të lëvizjeve të paprecedenta migratore të viteve të fundit.

Meta u shpreh se “Vetëm një sistem transparent dhe modern mund të na ndihmojë të sigurojmë kufijtë tanë më mirë. Ndaj bashkëpunimi i ngushtë me SHBA në këtë drejtim na ndihmon jo vetëm në forcimin e parametrave të sigurisë brenda vendit, por na rrit kredibilitetin edhe ndaj partnerëve tanë euro-atlantikë, si një kontribut për forcimin e sigurisë rajonale”.

Në këtë drejtim Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi rëndësinë e nënshkrimit pa vonesa të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe SHBA për “Forcimin e Bashkëpunimit në Parandalimin e Terrorizmit dhe për Luftën ndaj Emigracioninit të Paligjshëm dhe Krimeve të Rënda” i cili do të ndihmojë në shkëmbimin e informacionit biometrik në kohë reale.

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare z. Alan Bersin theksoi se “SHBA janë krenarë që qëndrojnë përkrah jush, ndaj do të maksimizojmë përpjekjet tona me qëllim që edhe Shqipëria të jetë pjesë e sitemeve të sigurta e në kohë reale të shkëmbimit të informacionit në pikat kufitare”.

“Shqipëria është një shembull i tolerancës ndër-fetare dhe ky model duhet ruajtur” – vuri në dukje z. Bersin.

Në përfundim Ndihmës Sekretari Bersin e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit Meta për miratimin konsensual të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi dhe nënvizoi se implementimi i kësaj reforme kyçe do t’a ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të forcuar shtetin ligjor dhe zbatimin e ligjit.

Nga ana e tij, Meta vlerësoi kontributin e SHBA dhe Misionit OPDAT për mbështetjen e tyre ndaj reformës në drejtësi dhe shprehu besimin në suksesin e këtij bashkëpunimi edhe gjatë zbatimit të kësaj reforme historike për vendin.

Në takim morën pjesë edhe Kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Arta Dade dhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: