BERLIN- Zbatimi i drejtë i procesit të vettingut do të sjellë një rritje të besimit në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Forcimi i ligjit do të sjellë edhe më tepër garanci për investitorët e huaj dhe ata vendas, deklaron në një intervistë për DW, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Kreu i Shtetit shqiptar ndodhej në një vizitë në Berlin, ku pati një takim me homologun e tij Gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Z.President ju erdhët në Gjermani menjëherë pas zgjedhjeve që u zhvilluan së fundmi për parlamentin gjerman. Ishte kjo një rastësi apo e kishit më herët parashikuar?
Vizita ka qenë e përgatitur prej kohësh dhe natyrisht nuk mund të neglizhojmë dhe faktin që ndodh dy ditë pas zgjedhjeve të funti në Gjermani. Njëkohësisht tregon se asgjë nuk do të ndryshojë në partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Edhe fakti që kjo vizitë ishte nga vizitat e para të planifikuara dhe me ftesë të presidentit të Gjermanisë, tregon se Shqipëria është në vëmendjen e vazhdueshme, së bashku edhe me rolin e saj në Ballkanin Perëndimor; dhe në qendër të politikës së jashtme gjermane.

Cilat kanë qenë disa nga temat që trajtuat me presidentin gjerman?
Temat kanë qenë mjaft të qarta dhe të përbashkëta për të dy vendet, tema të cilat kanë të bëjmë me të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe me rëndësinë e suksesit të zbatimit të reformave me qëllim përshpejtimin e kësaj të ardhme, dhe për çeljen e negociatave. Kanë të bëjnë me forcimin e sigurisë përmes kontributit të përbashkët, ku Shqipëria ka rolin e saj në një rajon me sfida, dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër terrorizmit, emigracionit të paligjshëm, ekstremizmit të dhunshëm, dhe përmes kontributit që Shqipëria jep për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, dhe përmes rritjes së vazhdueshme të frymës së bashkëpunimit rajonal. Shumë e rëndësishme është të vazhdojmë përpjekjet për të çuar përpara dhe zbatuar me sukses reformën në drejtësi, e cila është tepër e rëndësishme për të forcuar zbatimin e ligjit, si dhe për të rritur sigurinë juridike për investitorët vendas dhe të huaj, gjë për të cilët edhe vetë Gjermania është mjaft e interesuar.

Ligjet për investitorët e huaj janë shumë të rëndësishme, ndaj një proces që po ndiqet me shumë interes në Shqipëri, është edhe procesi i vettingut. A besoni ju se nga ky proces shoqëria dhe drejtësia shqiptare do të pësojë një lloj rilindje?
Jam i bindur që zbatimi i drejtë i procesit të vettingut do të sjellë një rritje të besimit të publikut te gjyqësori dhe drejtësia në vend. Ky është një proces që sapo ka nisur, dhe që gëzon të gjithë vëmendjen e institucioneve, opinionit publik dhe ndërkombëtarëve, në mënyrë që të jetë një proces tërësisht i suksesshëm, dhe e besoj se do të jetë i tillë.

Në Gjermani fitoi një shumicë një parti me qëndrime radikale, dhe kundër emigrantëve të huaj. Ju kur bëtë betimin për president, u ndalët tek projekti europian për integrimin e Shqipërisë. Në këtë sfond që jo patjetër vendet perëndimore janë të hapura për emigrantët, çfarë mendoni se mund të bëni si president që ta ndalohet rrjedhja e trurit nga Shqipëria?
Kam qenë mjaft i lumtur që dëgjoja nga presidenti gjerman fjalë dhe vlerësime nga më të mirat për komunitetin shqiptar që jeton në Gjermani, dhe për nivelin e lartë në përgjithësi të integrimit të tij. Ashtu siç është e qartë se e ardhmja e të rinjve tanë është në vendin tonë, ne duhet të krijojmë mundësi më të mira për ta, dhe për të patur besimin se këtë të ardhme që ata e kërkojnë në Gjermani apo vendet të tjera, mund ta prekin edhe në Shqipëri, dhe kjo kërkon një rritje të besimit, pas një pune të madhe me forcimin e ligjit dhe krijimit të një ambienti më të mirë biznesi që krijon më shumë investime të reja në vend, dhe vendeve pune më të mirëpaguara. Vëmendja jonë duhet ët jetë edhe në rritjen e aftësive profesionale, për të garantuar të ardhmen e të rinjve në vendin tonë. Unë jam i bindur se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të rritur shpresën dhe besimit në të ardhmen europiane të Shqipërisë. Dhe për këtë kërkohet një përpjekje e përbashkët e të gjitha aktorëve vendas. Fitorja apo suksesi i paparashikuar i ADF në zgjedhjet e fundit në Gjermani tregon se do të na duhet edhe më shumë përpjekje, do të na duhet të tregojmë më shumë sukses, do na duhet të jemi edhe më të besueshëm me reformat që bëjmë, për të qenë anëtarë të barabartë në bashkimin europian.

Zgjedhje u zhvilluan edhe në Kosovë para pak kohësh, cili është mendimi juaj për qeverinë e re. Dhe a mendoni se do të mundin të plotësojnë dy kushtet kryesore që kanë ngelur për liberalizimin e vizave, demarkacioni me Malin e Zi, dhe lufta ndaj korrupsionit?
Unë do dëshiroja shumë që kjo qeveri të ishte në gjendje për të plotësuar këto sfida, dhe mbetet për t’u parë. Por në radhë të parë për të gjitha temat më të madha me të cilat duhet të ndeshet qeveria, parlamenti dhe të gjitha institucionet e Kosovës, për të lehtësuar rrugën e progresit, integrimit europian dhe të zhvillimit të Kosovës, në radhë të parë qeveria duhet të tregojë vullnet dhe aftësi për të bashkëpunuar me opozitën. Kjo pasi pa një bashkëpunim të tillë dhe pa një konsensus për çështjet më të rëndësishme, sidomos për ato që kanë të bëjnë me ecurinë e dialogut të mëtejshëm me Serbinë, si dhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi që kushtëzon liberalizmin e vizave, do të jetë e vështirë në Kosovë që të shënojë një progres substancial.

Paraardhësi juaj e bllokoi ligjin për mbetjet. Ky ligj do të kalojë sërish për diskutim, a do të kaloni ju këtë ligj?
Lidhur me çështjen konkrete do të kemi konsideratë gjithë ecurinë e mëtejshme të procedurave parlamentare, dhe në kohën e duhur, nëse do të duhet të mbahet një qëndrim, kjo do të bëhet në mënyrë tepër transparente, parimore dhe institucionale.

Do ta kaloni apo do ta mendoni akoma?
Nuk mund të paragjykoj atë që Parlamenti do të vendosë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: