TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në një takim lamtumire, të Ngarkuarin me Punë të Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson. Gjatë takimit, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qëndrueshme, të hapur e të sinqertë të Suedisë dhe në veçanti për punën dhe dedikimin personal të Svensson gjatë misionit të tij në Shqipëri, si ndaj avancimit të integrimit evropian të vendit ashtu edhe në shërbim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit tregtar dhe shkëmbimeve turistike.

Duke vlerësuar vizitën e fundit të Kryetarit të Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin në Tiranë gjatë këtij viti, Meta nënvizoi se marrëdhëniet ndërparlamentare mes dy vendeve do të intensifikohen më tej. Në këtë kuadër, Svensson vuri në dukje se vizita e pritshme e Kryetarit të Kuvendit në Suedi do të kontribuojë në konkretizimin e mëtejshëm të dinamikës së shkëmbimeve dypalëshe.

I Ngarkuari me Punë i Suedisë, Patrik Svensson i shprehu kreut të Kuvendit të Shqipërisë mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pandërprerë në funksion të thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Suedisë duke theksuar se Suedia do t’a vazhdojë mbështetjen e saj si ndaj procesit të integrimit evropian, ashtu edhe në funksion të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në përfundim, Meta duke shprehur mirënjohjen për punën, përkushtimin dhe miqësinë që Svensson ka treguar ndaj Shqipërisë dhe popullit tonë, i uroi atij suksese në angazhimet e ardhshme diplomatike.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb