Zonja e Parë, Michelle Obama dënoi personalisht komentet e Donald Trumpit për gratë. Ajo u bëri thirrje votuesve të refuzojnë kandidaturën e tij dhe vulgaritetin në rritje të fushatës dhe të mbështesin kandidaten demokrate Hillary Clinton.

Zonja e Parë Michelle Obama u tha përkrahësve të zonjës Clinton në shtetin verilindor Nju Hempshër se komentet e kandidatit republikan Donald Trump për gratë nuk duhet të hidhen poshtë thjesht si “një episod shqetësues në një sezon të trishtuar zgjedhjesh”:

“Kjo nuk ishte vetëm një bisedë e fëlliqur. Kjo nuk ishte vetëm bisedë meshkujsh. Ky është një individ i fuqishëm që flet lirisht dhe hapur për sjelljen seksuale grabitqare dhe në fakt që mburret rreth puthjeve dhe sulmet ndaj grave duke përdorur një gjuhë aq të turpshme sa që shumë prej nesh shqetësohemi për fëmijët kur hapim televizorin.”

Gjatë një mitingu për kandidaten demokrate Hillary Clinton në Manchester, zonja e parë tha se fjalët e zotit Trump e kanë tronditur jashtë mase:

“Komentet e turpshme rreth trupave tanë, mosrespektimi i ambicjeve dhe intelektit tone, besimi se mund të bësh gjithçka ndaj një gruaje. Është e neveritshme, e frikshme. Dhe e vërteta dhëmb.”

Në intervistat me gazetën New York Times të mërkurën, dy gra akuzuan Trumpin se i kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme – pretendim që kandidati republikan e quajti të sajuar.

Raporti u pasua nga një seri akuzat nga disa gra të tjera, duke i bërë më shumë presion zotit Trump ndërsa ai mbetet prapa zonjës Clinton në anketat e opinionit.

Fushata e tij po mundohej të përballonte krizën pas videos së javës së kaluar që tregonte kandidatin duke u mburrur në vitin 2005 rreth ngacmimeve ndaj grave dhe sulmeve të padëshiruara seksuale.

Fushata e zotit Trump publikoi një letër që avokati i tij i dërgoi gazetës ku i kërkon asaj të tërhiqte shkrimin, duke e quajtur atë shpifje dhe duke kërcënuar me veprime ligjore në se gazeta nuk e bënte këtë.

Një anketë e opinionit tregon se një në pesë republikanë mendojnë se komentet e zotit Trump për gratë e skualifikojnë atë për të marrë presidencën. Anketa tregon gjithashtu se ai është 8 pikë pas zonjës Clinton.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb