Mihrije Braha përveçse shumë e bukur, është edhe një njeri me pozitivet të jashtëzakonshëm. Këtë e përçon në minutën e parë që e ke përballë. Gjithmonë e gatshme të flasë, të rrëfejë, të dëgjojë apo të ndajë eksperienca, artistja kosovare po ashtu shfaqet kurdo në formën e saj më të mirë. Ata që e njohin dhe e shohin shpesh në rrugët e Prishtinës thonë se nuk e kanë hasur kurrë Mihrijen me flokët e pakrehur, apo me veshjen e papërshtatshme. Ajo ka qenë gjithmonë një hap përpara kohës dhe çdo vit që kalon e gjen njësoj, si kur ishte e re.

Me një karrierë të gjatë e të suksesshme, me një numër të madh dashamirësish që e ndjekin në dekada, me dy meshkuj që e adhurojnë si bashkëshorti dhe i biri, këngëtarja rrëfen në këtë intervistë për “Summer Pages” detaje nga jeta, puna, dashuria e familja duke u shprehur se vazhdon të ëndërrojë për të ardhmen. Menjëherë ajo na tregoi se kjo verë e ka gjetur me energji pozitive dhe jo më kot ne zgjodhëm atë si personazh të parë faqeve të verës që do të shoqërojnë përgjatë ditëve të nxehta lexuesit e “Gazeta Shqiptare”. Mihrija është e mbarë.

Mihrije si të ka gjetur kjo verë?
Kjo verë më ka gjetur me shumë energji pozitive.

Sa e do këtë stinë? Çfarë bën gjatë këtyre muajve që nuk ke shans ta bësh gjatë vitit?
Stina e pranverës dhe ajo e verës janë ato që i dua më së shumti. Gjatë verës kuptohet që i dedikohem shumë plazhit, që e dua, e adhuroj. Sapo ke xhiruar videoklipin tënd më të ri.

Si shkuan xhirimet?
Xhirimet e klipit të ri shkuan ashtu siç i kishim planifikuar. Çdo gjë shkoi shumë mirë, nuk pati problem. Mund të them se profesionalisht gjithçka ka ecur shumë mirë.

Sa ndërhyn me mendimet e tua, në zgjedhjen e skenave, veshjes, etj.?
Sigurisht që paraprakisht i diskutoj idetë e mia me regjisorin e videoklipit dhe stafin përkatës. Të gjithë japim ide e propozime, por gjithmonë në fund vendos unë.

Na fol pak më shumë për këtë këngë?
Është një këngë e punuar nga unë e Naimi dhe nga kantautori Beni Baksi. Është një këngë epike. Vetëm kaq po them, nuk dua të zbuloj më shumë për tani. Po e lë pak surprizë për fansat duke shpresuar që t’ju pëlqejë të gjithëve.

Kush është kritiku më i madh i punëve të tua, Naimi apo Platori? Ç’mendim dhanë ata për këngën e re?
Kritiku më i madh është Naimi. Pak a shumë edhe Platori jep mendimin e tij për punët e mia. Ata që kanë pasur rastin ta dëgjojnë këngën time më të fundit kanë dhënë kritika të mira. Është vërtetë një këngë e veçantë.

Të gjithë e komentojnë për mirë pamjen tënde, a të lodh kjo gjë?
Nuk lodhem kurrë nga puna e aq më tepër nga komplimentet (qesh).

Në të vërtetë, ti e ke kompleks moshën?
Jo (qesh). Nuk e kam pasur asnjëherë dhe as nuk e kam kompleks moshën.

Cili është regjimi që ndjek rregullisht për të pasur këto forma?
Nuk është se ndjek ndonjë regjim të përditshëm. Në rastet kur e shoh veten jashtë performancave të konstruktit tim ndërmarr masa duke bërë ushtrime në palestër apo edhe duke u treguar e kujdesshme me ushqimin.

A të kërkojnë këshilla bukurie shoqet?
Po, më kërkojnë shumë shpesh.

Çfarë mendon për bashkëmoshataret e tua që kompleksohen nga pamja dhe zgjedhin një stil shumë formal në veshje e krehje?
Nuk lodhem të mendoj fare (qesh). Merrem me veten.

Si mendon, a kujdesen mjaftueshëm shqiptarët për veten?
Një përqindje e vogël po, kujdeset. Pjesa tjetër fatkeqësisht jo. Mendojnë se është diçka e mundimshme dhe e lëshojnë veten. Shfaqen çdo ditë siç ju vjen më lehtë. Vetëm më besoni se nuk është fare as e rëndë e as e lodhshme mirëmbajtja dhe kujdesi për veten.

A ka rivale Mihrije Braha? Për shembull, a e ndjen si të tillë këngëtaren Eli Fara?
Unë jam Mihrije Braha dhe merrem me veten time. Nuk shoh as anash e as mbrapa. Shoh vetëm përpara. Edhe më beso që truri dhe syri im pranon vetëm gjërat e bukura. Sa i përket Eli Farës, është një artiste e kompletuar dhe kam shumë respekt për të.

Mihrije a ndihesh e realizuar me jetën tënde? A vazhdon ëndërron për të ardhmen para se të flesh?
Po, e realizuar po, ndihem. Por sado që të kalojë koha, ëndrrat mbeten ëndrra, ato nuk ndalen kurrë. Njeriu është natyrë e paqetë dhe kërkuese. Por është edhe i pangopur.

Çfarë e mban gjallë lidhjen tuaj me Naimin?
Dashuri, respekt, dashuri, respekt.

Femrat e famshme, përgjithësisht nuk pranojnë të flasin për seksin, ti e ke problem?
Jo, unë s’e kam problem.

Atëherë na thua dot, a ndryshon seksi pas të dyzetave?
Nëse e mban në harmoni me dashurinë, atëherë ecën me ritme të njëjta.

Si është raporti yt me Platorin? A të konsideron ai shoqe, t’i tregon sekretet e tij?
Po, në fakt me Platorin jam si shoqe. Flasim shumë hapur me njëri- tjetrin për çdo lloj teme jo si nënë e bir, por thjesht si shokë të mirë.

Mihrije ndihesh gati të bëhesh vjehërr, apo akoma? Po gjyshe?
Në raport me Platorin në çdo kohë, në çdo moment jam e gatshme për çdo vendim që ai do të marrë e që do të sjellë ndryshime edhe në jetën time. Për tim bir jam gati kurdo të bëhem edhe vjehërr e gjyshe… Kjo pa e vënë fare në diskutim!

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: