*Basha: Sot shqiptarët të bashkuar pushuan nga detyra Kryetarin e Kuvendit-

*Basha: Garantojmë nga ky bulevard mbështetje ndaj prokurorisë-

*Basha: Nuk ndalemi derisa të shporrim qeverinë, të çlirojmë vendin nga krimi

*Basha: Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se Shqipëria do ta ketë ofertën e re

*Ristani: E ardhmja është e jona, jo e banditëve

*Paloka: Kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më, Meta ik, Rama zhduku.

TIRANE – Ashtu sikundër siguruan një ditë më parë drejtuesit e PD-së, protesta e opozitës ka qenë tërësisht paqësore dhe ka zgjatur vetëm një orë. Opozitarët nga të gjitha qytetet e Shqipërisë mbushën bulevardin përpara godinës së Kryeministrisë, prej ku kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Marshimi i demokratëve, i kryesuar nga kryetari Lulzim Basha dhe deputetë të PD­-së, nisi rreth orës 11:00 nga sheshi “Skënderbej”, për të kulmuar para godinës qeveritare. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Meta ik”, “Jep dorëheqjen”, “Jashtë kriminelët nga Kuvendi”, ndërsa në kor brohorisnin: “Poshtë komunizmi”, “Meta ik” etj. Përpara Kryeministrisë ishte vendosur një kordon me police femra, ndërsa përballë tyre qëndruan vajzat e Forumit Rinor të PD­së.

BASHA: SOT SHQIPTARËT TË BASHKUAR PUSHUAN METËN NGA DETYRA KRYETARIN E KUVENDIT

lulzim basha protesta

“Vëllezër dhe motra, bota e pa shqipëria e pa se si pamja e bashkimit të shqiptarëve mbylli sot parlamentin dhe pushoi Metën nga detyra e kryetarit të kuvendit”.
Kështu e nisi kryetari i opozitës, Lulzim Basha fjalimin para mijëra qytetarëve të mbledhur në mitingun para kryeministrisë nën moton, “Meta ik”.

Sipas Bashës, Rama dhe Meta me veprimet e tyre kanë ndërhyrë harbutërisht në dinjitetin e çdo shqiptari duke u kthyer në makthin më të keq.
“Të dashur qytetarë jemi mbledhur sot këtu në këtë miting madhështor më të bashkuar se kurrë sepse në jetën tonë, në jetën e cdo shqiptari, në rrugën me shumë mund e përpjekje, në dëshirat tona për të pasur këtë dinjitet, duke na kthyer në makthin më të keq kanë ndërhyrë harbutërisht Ilir Meta dhe Edi Rama që kanë përmbysur gjithçka. Sot cdo familje shqiptare është rrënuar, cmimet janë rritur, varfëria është thelluar, qindra familje mezi mbijetojnë, kokulur, se nuk blejnë dot librat për shkollë të fëmijëve, nuk blejnë dot ushimet, nuk paguajnë dritat”.

Basha theksoi se, në 1 vit qeverisje, dyshja arrestoi 38 mijë qytetarë.
“Kanë arrestuar 38 mijë qytetarë në një vit të vetëm, njerëz të braktisur nga qeveria e tyre që nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar, por këta oligarkët po mbushin xhepat, zyrat e qeverisë janë kthyer në pasigurinë e jetës”.

Sipas kryetarit të opozitës shqiptarët nuk mund të kenë rend e siguri, kur krimi ka kapur qeverinë.
“Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në qeveri me krim. Kurrë më parë krimi nuk ka pasur lidhje më të forta. Bandat e Edit, Saimirit janë bërë të paprekshëm, nuk kuptojmë më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Bandat kanë arritur deri në parlament. Na del se kryetari i parlamentit është porositës i vrasjes së dy deputetëve, dhe akuza vjen nga një mik i Ramës, nga një superdeputet, ortak i bizneseve dhe aferave. Për 6 muaj Meta e Rama kanë mbajtur të fshehur krimin, me dorëzanin, me shënjestrën, me oborrtarin, me sekserin, dhe gjithë këtë mesele donin t’ja faturonin opozitës”.

Në vijim të fjalës, Basha u përqëndrua në cështjen Doshi.
“6 muaj të zhytur në krim, duart me gjak, në zyrat e parlamentit, kryeministrit, ministrit të Brendshëm është bërë shantazh me jetën e 2 deputetëve. Jemi sot të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, vetëm se kumbarët në pushtet nuk vendosën dot paqe, nuk u morën vesh për koncesione, shpërndarje të privilegjeve, pazari nuk u arrit dhe ujrat dolën sheshit e qelbën kudo. Ja sot, kryeministri ka dijeni për vrasjen, kryeparlamentari porositës vrasjeje, ministri i Brendshëm sekser, janë mbledhur si një sekt mafioz, nuk dinë kujt ti puthin dorën më parë, Don Ramës apo Don Metës”.

Basha i bëri thirrje Prokurorisë të mos ndalet para shantazhit, ndërsa apeli ndaj Metës ishte të mos ushtronte presion ndaj organit të akuzës. Kryetari i PD u shpreh se opozita është e gatshme të ngrihet dhe t’i dalë zot vendit.
“I bëjmë thirrje Metës të përballet me akuzat si porositës për vrasjen e dy deputetëve, të ndalë presionin ndaj prokurorisë. Ndërsa kësaj të fundit i bëjmë thirrje ta cojë ministrin e Brendshëm për ndjekje penale. Garantojmë nga ky bulevard mbështetje ndaj prokurorisë, kërkojmë zbardhje të akuzave, jemi këtu për fuqinë e pathyeshme të bashkimit popullor, jemi gati, në këmbë të gatshëm të ngrihemi dhe ti dalim zot vendit me cdo mjet demokratik, ti dalim zot demokracis sot, të cuar buzë greminës si asnjëherë tjetër, këta oligarkë pa din dhe pa iman. Ti dalim zot të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë të kërcënuar seriozisht nga varfëria dhe krimi i ngritur në siste,m për këto jemi mbledhur sot dhe qëndrojmë të bashkuar deri në fitore”.

Kreu i PD-së Basha kërkoi largimin e qeverisë, i bëri thirrje Metës të largohet, ndërsa Ramës të mos bëjë pazare me krimin, Basha u shpreh me bindje se opozitarët do qendrojnë përballë qeverisë derisa ata të shporren, derisa vendi të çlirohet nga krimi.

“Ne jemi këtu, përballë do të na keni derisa të çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet. Ky është një moment tragjik për gjithë ata shqiptarë që kishin varur shpresa të mëdha në këtë qeveri, por ja erdhi koha për të zbritur të bashkuar për një qëllim. Demokratë, opozitarë, të majtë e të djathtë në rrugët e sheshet e protestës popullore, përpara një qeverie që ka devijuar nga rruga e ligjit, e dijes dhe e zotit. Jo vetëm për ta ndalur, por për ta larguar”, tha Basha.

Përpara shqiptarëve, Basha premtoi se Partia Demokratike iu propozon atyre një ofertë të re, të ndryshme nga ajo e qeverisë së sotme, që sipas tij është e lidhur me krimin.

“Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe unë ju jap fjalën se Shqipëria do ta ketë ofertën e re. Ne nuk ndalemi derisa të ketë ligj dhe drejtësi, derisa bijtë më të mirë të marrin qeverinë, derisa të shporrim të keqen, derisa Ilir Meta, Edi Rama të largohen”, shtoi Basha.

Sipas Bashës, “Ky bashkim i paprecedentë është shenja e parë se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Dëgjojeni zërin e qyetarëve, Ilir Meta jep dorëheqjen! Edi Rama mos bëj hesape me krimin, me bandat me Ilir Metën, por me popullin”.

Kryeopozitari e mbylli fjalën e tij me shprehjen “Rroftë populli shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Rroftë Demokracia”!
protesta2

PALOKA: KJO QEVERI NUK MUND TË VAZHDOJË MË, META IK, RAMA ZHDUKU

Ora 11:40 – Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se qytetarët kanë mbushur sot bulevardin kryesor të Tiranës, pasi padrejtësia ka arritur atje ku nuk mban më. Sipas Palokës, ka ardhur koha që Rama dhe Meta të japin dorëheqjen dhe kjo qeveri të largohet sa më parë.

“Sot jemi këtu më shumë se kurrë, sepse padrejtësia ka arritur atje ku nuk mban më. Jemi më shumë se kurrë për tu treguar atyre se nuk mund të vazhdojmë më me kriminelë. Jemi këtu për t’i thënë Metës ik, Ramës zhduku, sepse kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më. Këta duhet të ikin një orë e më parë. Sot fillojmë të gjithë bashkë, nesër e gjithë Shqipëria do t’i çojë aty ku e meritojnë.”- deklaroi Paloka.

protesta PD

NIS PROTESTA, RISTANI: E ARDHMJA ËSHTË E JONA JO E BANDITËVE
Ora 11:36- Arben Ristani nga foltorja e protestës: “Qytetarë, bashkatdhetarë sot në këtë bulevard jemi të shumtë në nuëmr, të vendosur dhe të indinjuar se kemi nevojë të protestojmë të na dëgjojmë, të na respektojnë. Aa takon dhe e meritojmë një jetë më të mirë.
Pushtetarët tanë janë një bandë kriminale, oligarkësh që duan të mbushin xhepat me paret e korrupsionit.
Jetë është shtrenjtuar, nuk ka punë, në zyrat e administratës nuk ka shërbejnë më mirë, jeta e përditshme është e frikshme nga shpërthimet e tritolit, na shembin pronat dhe pasuritë pa asnjë copë letër, i kanë mbushur burgjet me shqiptarë të pamundur.
Kanë në mendje të shtojnë vetëm pasuritë e tyre, Rama e Meta zhvasin ç’ju del përpara.
Të protestojë fuqishëm t’ju tregojmë bandës sa të vogël janë, t’ju tregojmë që krimi dhe mafia nuk mund të jenë bashkudhëtarë në rrugën tonë. Të mos e lëmë Shqipërinë të kthehet në diktaturë banditeske. E ardhmja është e jona jo e banditëve!
protestapd

BASHA DHE DEPUTETET NISEN DREJT SHESHIT TË PROTESTËS
Ora 11:10- Kryeopozitari Basha, deputetët e tjerë të kryesuar nga kreu i grupit Edi Paloka dhe aleatët e PD-së i janë bashkuar protestës. Basha ka lëvizur në këmbë nga selia e PD-së për t’ju bashkuar protestës në sheshin “Skëndërbej”.
protesta3

POLICIA-PROTESTUESVE: KUJDES! KEMI TË DHËNA PËR TË ARMATOSUR QË MUND TË INFILTROHEN NË TURMË
Ora 11:02 – Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në protestën e thirrur nga opozita, që të tregojnë kujdes gjatë zhvillimit të tubimit, pasi ekzistojnë informacione për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Policia e Shtetit sqaroi opinionin publik se nga strukturat e policisë nuk ka patur asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë nga rrethet drejt Tiranës.

Policia e Shtetit thekson se ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin.

DEPUTETET E PD TENTOJNE TE BLLOKOJNE KUVENDIN, META VIJON SEANCËN
Ora 10:22- Pavarësisht përpjekjes së deputetëve të PD-së për të bllokuar seancën plenare, duke kërkuar dorëheqjen e Ilir Metës, kryeparlamentari nuk e ndërpreu seancën por vijoi me rendin e ditës. Në përfundim të seancës që zgjati vetëm 16 minuta, me qetësinë që e karakterizon, zoti Meta u uroi deputetëve të opozitës suksese për mitingun, duke thënë se do të shkonte në zyrën e tij për të vijuar punën si çdo ditë.
“Ju përshëndes, ju uroj suksese për mitingun. Unë do shkoj në zyrën time dhe respekte të fala doktorit. Jeni shumë të mirë, jeni të mrekullueshëm.”- deklaroi Meta.
Deputetët e PD-së qëndruan gjatë gjithë kohës në këmbë përpara foltores së Kuvendit, duke tentuar të bllokojnë seancën plenare. Në nisje të seancës, sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i akuzuar nga deputeti Tom Doshi, si porositës i një atentat ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi.

Ristani: Urgjenca e madhe që kemi sot është të gjejmë rrugën për ta detyruar kryetarin e parlamentit që të japë dorëheqjen.

Meta: Ky djalë nuk e njeh rregulloren i ndërpritet fjala, vazhdojmë me rendin e ditës.

PALOKA: MOS PROVOKONI PROTESTUESIT, DO MBANI PËRGJEGJËSI VETË
Ora 10:04- Kreu i Grupit të PD-së, Edi Paloka deklaroi sot se protesta e opozitës do të jetë paqësore, por sipas tij protestuesit po provokohen dhe po bllokojnë arritjen e lirshme të qytetarëve.

“Do i bëja thirrje Ilir Metës, Edi Ramës të lirojnë pritat që ju kanë bërë qytetarëve që duan të protestojë qetësisht. Të mos i provokojnë duke iu ngritur prita, të mos provokojnë me vullnetarët e Enverit se përndryshe përgjegjësinë do ta mbajnë vetë. Jemi ne të parët që nuk duam të përsëritet një 21 janar, ishte një grup njerëzish i vënë me qëllim që të sulmojnë policinë. Ne jemi për protesta paqësore derisa kjo qeveri të largohet”, tha ai.

POLICIA: JA SEGMENTET RRUGORE KU DO NDALOHET LËVIZJA DHE PARKIMI I MJETEVE
Ora 09:30- Policia e Tiranës ka publikuar sot segmentet rrugore ku do të bllokohet lëvizja e mjeteve ditën e nesërme që në orën 09:30 deri në përfundim të protestës opozitare.

1. Kryqezimi i rruges se “Dibres” me rrugen “Bardhok Biba” ne sensin e levizjes ne drejtim te sheshit “Skenderbej’, nuk do te lejohet qarkullimi.

2. Kryqezim i rruges “Urani Pano” me Bulevardin “ Zogu i pare”, ne drejtim te sheshit “ Skenderbej’ dhe rruges “Dede Gjo Luli”, nuk do te lejohet qarkullimi. (levizja do te kryhet ne drejtim te ishstacionit te Trenit)

3. Kryqezimi i rruges se “Durresit’ me kryqezimin “Ded Gjo Luli” ne drejtim te sheshit “Skenderbej”, nuk do te lejohet qarkullimi.

4. Kryqezimi i rruges se “Kavajes” me rrugen “Deshmoret 4 Shkurtit” ne drejtim te sheshit “Skenderbej”, nuk do te lejohet qarkullimi.

5. Kryqezi i rruges “Deshmoret 4 Shkurtit” me rrugen “Myslym Shyri” ne drejtim te Bulevardit “Deshmoret e Kombit”, nuk do te lejohet qarkullimi.

6. Segmentet rrugore nga kryqezimi i Bulevardit “Gjergj Fishta” me “Deshmoret 4 Shkurtit” deri ne rrugen “George W .Bush” do te lejohet levizje e detyruar vetem ne unaze, ne varesi te situates.

7. Segmentet rrugore nga kryqezimi i Bulevardit “Bajram Curri” me “Deshmoret 4 Shkurtit” deri ne rrugen “George W .Bush” do te lejohet levizje e detyruar vetem ne unaze, ne varesi te situates.

8. Kryqezimi i rruges “Ludovik Shllaku” (sheshi Sulejman Pasha) ne drejtim te sheshit ”Skenderbej” nuk do te lejohet qarkullimi.

9. Segmenti rrugor “George W.Bush” : nga rruga “Ludovik Shllaku” ( sheshi Sulejman Pasha) deri ne rrugen e Lanes nuk do te lejohet qarkullimi

10. Kryqezimi “Deshmoret 4 Shkurtit” me rrugen “Ismail Qemali” ne drejtim te Bulevardit “Deshmoret e Kombit” nuk do te lejohet qarkullimi

11. Kryqezimi “Deshmoret 4 Shkurtit” me rrugen “Abdyl Frasheri” ne drejtim te Bulevardit “Deshmoret e Kombit” nuk do te lejohet qarkullimi

12. Kryqezi i i rruges “Ismail Qemali” me rrugen “Papa Gjon Pali II” nuk do te lejohet qarkullimi

13. Kryqezimi i rruges “Ismail Qemali” me rrugen “Papa Gjon Pali II” ne drejtim te Kryeministrise nuk do te lejohet qarkullimi

14. Kryqezimi i rruges “Leke Dukagjini” (sheshi Frederik Shopen) ne drejtim te sheshit “Nene Tereza” nuk do te lejohet qarkullimi

15. Levizja e mjeteve Sheshi “Nene Tereza”- Bulevardi “Deshmoret e Kombit” nuk do te lejohet qarkullimi

Ne segmentet rrugore te mesiperme nuk do lejohet dhe parkimi i mjeteve, sqarohet në deklaratën e policise.

POLICIA KONTROLLE NË HYRJE TË TIRANËS
Ora 09:03- Policia e Tiranës mësohet se po ushtron kontrolle në hyrje të kryeqytetit, me qëllim për të evidentuar nëse do hyjnë në Tiranë persona me precedentë penalë. Ky kontroll bëhet pak orë para se të nise protesta e opozitës, ndërkohë që qytetarë të shumtë nga rrethet pritet ti bashkohen asaj.

Mësohet se policia ka bllokuar 4 furgonë me protestues që vinin nga Lura. Furgonët janë bllokuar në vendin e quajtur “Livadhi i Turkut”.

protestuese

QYTETARET NGA RRETHET NISEN DREJT TIRANES
Ora 08:30 – Opozitarët nga të gjitha qytetet e Shqipërisë janë nisur me autobusë drejt kryeqytetit, që në orët e para të mëngjesit, për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga demokratët. Mësohet se nga qarku i Dibrës janë nisur rreth 4000 persona, ndërsa nga Kukësi pritet të mbërrijnë 1000 protestues. Me autobusët e vënë në dispozicion nga PD-ja, nga qarku i Shkodrës janë nisur të paktën 12 mijë persona. Nga qyteti i Elbasanit janë nisur 10 autobusë me protestues, ndërsa nga Korça pritet të mbërrijnë 4 autobusë dhe mijëra qytetarë të tjerë me mjete personale. Nga Fieri pritet të mbërrijnë në mënyrë të organizuar 2500 qytetarë, ndërsa në dispozicion të qytetarëve të Vlorës janë vendosur 6 autobusë. Nga qyteti i Durrësit pritet pjesëmarrje masive e qytetarëve, të cilët do të udhëtojnë me 30 autobusë të vënë në dispozicion nga Partia Demokratike. Pesë autobusë dhe 20 mjete të vogla janë nisur nga qyteti i Gramshit, dhe qindra qytetarë nga Gjirokastra pritet të mbërrijnë në kryeqytet.

TAKIMI I BASHES ME TE RINJTE: PROTESTA PAQESORE
Ora 07:00 – Po dje lideri i opozitës, mblodhi të rinjtë demokratë, për t’u bërë thirrjen e fundit të gjithë shqiptarëve që të bashkohen sot në protestën në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”. Para të rinjve të FRPD-së, Basha siguroi se gjatë protestës së organizuar nuk do të ketë asnjë incident, pasi në radhët e PD-së nuk ka kriminelë dhe këta të fundit sipas tij gjenden në radhët e qeverisë dhe të qeverisësve. “Ne do të ushtrojmë të drejtën tonë për një protestë paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë bën edhe marrëzira. Kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit, por unë ju them se nuk kemi ne kriminelë, kriminelët janë në gjirin e tyre dhe ne do t’i largojmë ata me çdo çmim”, – u shpreh kreu i PD-së. Sipas Bashës, mes protestuesve nuk do të ketë vend për krimin dhe kriminelët. “Ta nisim marshimin tonë nesër (sot) për të mos e ndalur derisa të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë politikës. Protesta do të jetë paqësore dhe demokratike. Bashkohuni dhe me forcën e bashkimit, pa dhunë, nuk ka nevojë për dhunë, por me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi”, – deklaroi Basha. Duke sjellë në vëmendje akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, Basha përmendi se brenda mazhorancës po lahen hesapet, përmes skenarëve të denjë për filmat e mafies. “Kemi parë, kemi dëgjuar nga gjiri i mazhorancës përpjekje për likuidime jo me aktorë, siç i pëlqen të thotë kryeministri, por me vrasës. Dhe tani pasi u vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi mbyllën mijëra vende pune, rrënuan biznese të vogla e të mëdha, shtuan e shtuan taksa sa u morën edhe kacidhen e fundit shqiptarëve, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë e me gjak, pasi u zinë e u grinë me njëri-tjetrin, tani filluan të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, një skenar i denjë për filmat e mafies. Por ky nuk është film, por një realitet i dhimbshëm që na prek ne”, – deklaroi Basha. Sipas kryetarit të demokratëve, Rama dhe Meta do të përballen sot me sovranin, që siç tha ai, do të vijojë protestat deri në dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare. “Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundim i ligjit, por i mafies. A jemi për sundimin e ligjit apo të mafies, a jemi për demokracinë apo oligarkinë Rama-Meta? Këto janë dilemat të cilave do t’u japim përgjigje duke nisur nga dita e nesërme (sotme). Mendonin se do ta linim pa përgjigje. Harruan rininë shqiptare. Rinia nuk vihet dot asnjë ditë nën thundrën e krimit. Përse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran”, – u shpreh Basha.

(er.nu/ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: