Milani ka konfirmuar se sulmuesi kroat, Nikola Kalinic është diagnostikuar me një dëmtim muskulor të muskujve të këmbës së majtë dhe do të monitorohet çdo ditë përpara derbit ndaj Interit.

Kalinic u lëndua gjatë ndeshjes së të dielës, të cilën Milani e humbi në San Siro nga Roma me rezultat 2-0.

Sulmuesi kroat tashmë është përjashtuar nga detyra ndërkombëtare me Kroacinë për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Finlandës dhe Ukrainës për shkak të lëndimit.
Rossonerët gjithashtu publikuan një deklaratë këtë mbrëmje në lidhje me gjendjen e ish-sulmuesit të Fiorentinës.

kalinic1

“Gjatë ndeshjes kundër AS Roma, Nikola Kalinic pësoi një problem muskulor”, thuhet në fillim të komunikatës së Milan.

“Lojtari iu nënshtrua procedurave diagnostike të hënën, të cilat zbuluan një lëndim në muskulin e këmbës së majtë”.

“Sulmuesi kroat nuk do të jetë në gjendje t’i përgjigjet thirrjes nga ekipi i tij kombëtar dhe tashmë ka filluar trajtimin e rikuperimit dhe do të monitorohet çdo ditë”, përfundon komunikata e kuqezinjve, raporton tg.

Ndryshe, kroati është në garë kundër kohës që të jetë gati për Derby della Madonninan kundër Interit, e cila zhvillohet me 15 tetor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb